E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furgona falas për ata që duan të aplikojnë për kartat e identitetit

09/04/2009  Qeveria ngre taks-force për transportin e atyre që banojnë larg qendrave të komunave

Qeveria ka marrë përsipër transportin e të gjithë personave që jetojnë larg qendrave të komunës për t’u pajisur me kartat e reja të identifikimit. Kjo do të mundësohet falë krijimit të një task-force të posaçme, e cila do të drejtohet nga zëvendëskryeministri Genc Pollo, qëllimi i së cilës është përshpejtimi i procesit të pajisjes së shtetasve me këto letërnjoftime. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë se procesi i pajisjes së qytetarëve me kartat e identifikimit po ecën me ritme të shpejta, por për ta përshpejtuar më tej është detyrë e kësaj task-force. “Tani që qendrat e aplikimit fillojnë aktivitetin edhe në ditët e shtuna dhe të diela, kërkon që edhe kryetarët e komunave, këshillat e komunave të përcaktojnë edhe krijimin e lehtësirave të transportit, me autobusë apo me mikrobusë, kur janë lagje të shkëputura, në mënyrë që t’i krijojmë lehtësi çdo qytetari shqiptar që do të marrë pjesë në votime, të aplikojë”, - ka thënë shefi i ekzekutivit. Berisha ka bërë me dije se qendrat e aplikimit do të funksionojnë edhe në ditët e shtuna dhe të diela. Duke u ndalur në rëndësinë e pajisjes së qytetarëve me kartat elektronike, Berisha u shpreh se ky dokument është tepër i rëndësishëm për një infrastrukturë moderne për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, këto dokumente janë jashtëzakonisht të rëndësishme për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. “Dëshmia, ndër më kryesoret, e përshtatshmërisë së këtij kombi për të hequr vizat është pajisja e tyre me letërnjoftime dhe pasaporta biometrike”, - theksoi ai. Duke iu drejtuar trupës ministrore, kreu i qeverisë nënvizoi se qytetarët shqiptarë, duke u pajisur me këto dokumente, kontribuojnë më shumë se në çdo gjë tjetër në këtë proces. “Ne jemi në një proces vlerësimi, por dua të rikujtoj se jemi në një proces vlerësimi me vende të cilat kanë 6 apo 7 vjet që janë pajisur me dokumente elektronike, por ne kemi avantazhin se janë më të avancuara”, - tha Berisha. Ai u shpreh se të gjithë qytetarët duhet të pajisen me dokumentet e reja të identifikimit, pasi përbën premisën më të madhe. “Reforma të tjera janë bërë, krimi i organizuar është luftuar me efikasitet të madh, kontrolli i integruar i kufijve është realizuar plotësisht. Ka një seri kriteresh dhe janë të shumta, por të mos mendojmë se ministri i Jashtëm i një vendi mund të thotë ‘po’ kur të dëgjojë se ne nuk i kemi këto dokumente”, - theksoi shefi i ekzekutivit. Kryeministri e cilësoi pajisjen nga çdo qytetar me dokumentet e reja të identitetit, të teknologjisë më të lartë, një akt patriotik dhe të përgjegjshëm. Ai tha se pjesëmarrja në votime me dokumentet më të sigurta të identitetit është dëshmia para vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Karta falas

Romët do të trajtohet nga qeveria njësoj si paraplegjikët dhe të verbrit për pajisjen me kartat e reja të identitetit. Shefi i ekzekutivit Sali Berisha i ka premtuar komunitetit rom se do të mund të marrin falas dokumentet e identifikimit, si pjesë e trajtimit të problematikës së këtij komuniteti. Gjatë një aktiviteti me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve Berisha tha se romët duhet të bashkëpunojnë për të mundësuar procesin e regjistrimit të tyre. “Regjistrimi është në interesin tuaj më të mirë, sepse në çdo plan çdo projekt ne duhet ta bazojmë në të dhëna të sakta dhe tani kemi edhe letërnjoftimet e reja. Ju bëj thirrje t’i merrni ato, të votoni të lirë sipas përzgjedhjes suaj, të kontrolloni listat e votimit, sepse në këtë mënyrë edhe zëri juaj bëhet shumë më i fuqishëm, në këtë mënyrë ju gradualisht do konsolidoheni. Tek unë keni një njeri që ju mbështet me gjithë shpirt, por ju duhet të keni njerëzit tuaj të zgjedhur, të cilët duhet të thonë fjalën e tyre në komuna, në bashki, në Parlament e kudo. Kjo kërkon që vota juaj të llogaritet”, - ka deklaruar kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›