E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos të hiqet kombësia në certifikatat e reja

27/05/2011  Reagon “Omonia”

SARANDË - “Omonia” reagon për heqjen e kombësisë në certifikatat e reja të lëshuara prej tre ditësh, nga zyrat e Gjendjeve Civile në mbarë vendin. Në një deklaratë publike të bërë mesditën e të enjtes, “Omonia” e ka dënuar ndryshimin e formatit të dokumentit bazik të shtetasve shqiptarë, nga ana e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë. Suprimimi i kombësisë nga certifikatat, konsiderohet nga krerët e “Omonia”-s, si shkelje ndaj të drejtave të njeriut, ndërkohë që kërkohet korrigjimi i menjëhershëm i këtij “defekti”. “Janë të shumta pikat e dobëta dhe tendencioziteti në çështjen që lidhet me procedurën dhe formatin e ri të lëshimit të certifikatave nga gjendja civile”, thuhet në deklaratë. Sipas drejtuesve të kësaj organizate, akti në fjalë pa asnjë lloj paralajmërimi me autor qeverinë shqiptare për të ndryshuar formatin dhe përmbajtjen e certifikatës së lindjes dhe që të mos referohet më elementi i kombësisë, përveçse krijon probleme të shumta të karakterit teknik dhe burokratik, konfirmon me fakte se kush janë mentalitetet që zotërojnë në aparatin shtetëror edhe për sa i përket çështjes së regjistrimit të popullsisë. “Omonia” kërkon anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe premtoi ndërmarrjen e të gjitha hapave ligjore me qëllim që akti në fjalë të rregullohet.

“Elementi i kombësisë përbën një argument themelor për theksimin e veçorive të një minoriteti dhe për ne përbën një të drejtë të dhënë”. T. Skuqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›