E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD prezanton Lulëzim Bashën përballë Arben Ahmetaj

07/05/2005  Kryetari i Partisë Demokratike ka zyrtarizuar dje kandidaturën e Lulëzim Bashës për zonën 31 në Tiranë. Basha do të jetë përballë zëvendësministrit të Integrimit, Arben Ahmetaj. Gjatë prezantimit të kandidaturës, kryetari i demokratëve, Sali Berisha ka theksuar se nuk merret me të kaluarën, por me të ardhmen. Në këtë mënyrë, ai u është përgjigjur qëndrimeve të socialistëve, që kanë fajësuar PD-në për ngjarjen e vitit 1997. Berisha ka theksuar se arsimi, ulja e taksave për biznesin, integrimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit, do të jenë prioritetet e qeverisë së ardhshme. Ndaj ai i ka kërkuar elektoratit demokrat mbështetjen për Bashën, i cili është njëkohësisht dhe kryetar i Komitetit të Orientimit të Politikave. Po dje, në zonën 41, në Tiranë është vënë re dhe përplasja e parë mes demokratëve. Kryetari i kësaj dege ka hedhur poshtë deklarimet e Elisabeta Dostit, e cila ka kundërshtuar kandidimin e Spartak Ngjelës në këtë zonë. "Lidhur me deklarimet e të ashtuquajturës Elisabeta Dosti dhe njerëzve që kanë folur në emër të saj për kandidaturën e zonës 41 deklaroj se strukturat e PD kanë pranuar me konsensus të plotë vendimin e PD për kandidimin e Spartak Ngjelës. PD thekson se gjithë të tjerat janë abuzime nga njerëz të mashtruar nga kundërshtari socialist Spartak Poçi", thuhet në qëndrimin e dhënë nga kryesia e zonës 41 të PD-së në Tiranë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›