E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE ndihmë Komitetit të Pronave për trajnimet dhe caktimin e çmimit

07/05/2005  Vacek dhe Sinaj nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit

OSBE ka nënshkruar dje memorandumin e bashkëpunimit me Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave. Në marrëveshje është theksuar se OSBE do të japë ndihmën e saj në trajnimin e komisionerëve, si dhe në përpilimin e hartave të çmimeve për të gjitha kategoritë e pronave në Shqipëri. Me një vendim të tillë, OSBE ka bërë të ditur se do të angazhohet në mënyrë të plotë në procesin e zgjidhjes së kthimit dhe kompensimist të pronave. Megjithatë është theksuar se, deri më tani, nuk është arritur në një marrëveshje mbi financimin e projekteve të komitetit të pronave për hartimin e çmimeve të tokës.

Marrëveshja

Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se dje paradite kryetari i Komitetit të Pronave, Sokrat Sinaj, ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me kreun e prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Pavle Vacek. Palët kanë theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, si dhe të zbatimit të së drejtës kushtetuese mbi pronën. Sipas marrëveshjes, ekspertët e OSBE-së do të ndihmojnë komitetin e pronave në trajnimin e komisionerëve, që do të jenë dhe hallka më e rëndësishme në zbatimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Në trajnim do të përfshihet mënyra e studimit të kërkesave të ish-pronarëve si dhe kriteret për kompensimin. Gjithashtu, një tjetër element i rëndësishëm në këtë projekt, do të jetë dhe përcaktimi i hartës së çmimeve. Në këtë rast, ekspertët e OSBE-së do të japin eksperiencën e tyre pranë komitetit të pronave. Në këtë projekt do të jenë të përfshirë dhe ekspertët e Bankës Botërore. Burimet kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e BB-së kanë qenë prezent në këtë nënshkrim të marrëveshjes. Nga ana tjetër është bërë e ditur se mes OSBE-së dhe Komitetit të Pronave do të ketë dhe një tjetër marrëveshje, për financimin e studimit të kategorive të tokave në Shqipëri.

Kompensimi

Sipas deklaratave të dhëna, procesi i kompensimit të tokave të zëna do të nisë pas katër muajsh. Gjatë kësaj kohe, ekspertët e komitetit të pronave do të studiojnë hartën e çmimeve. Pas përfundimit të studimit, komiteti i pronave do të zhvillojë një mbledhje me të 60 komisionerët në rrethe. Vetëm pas përfundimit të kësaj çështjeje do të nisë kompensimi i tokave të zëna. Deri në këtë afat, komisionet do të marrin vendime për kthimin e tokave që kanë mbetur ende të lira.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›