E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosbindja civile, të hetojë prokuroria

Kërkesa e PD

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë që të veprojë në lidhje me deklaratat e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe socialistëve që thonë se do të kalohet nga protestat në mosbindje civile. Nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, deklaroi në një prononcim për “Shqip” se prokuroria duhet të ngrinte padi penale ndaj Edi Ramës apo kujtdo personi tjetër i cili në deklarata publike përdorte terma të tilla. “Prokuroria duhet të nisë hetimin në lidhje me deklaratat e bëra nga Edi Rama dhe sharlatanët që atij i vijnë vërdallë, të cilët në deklarata apo intervista televizive kanë përdorur terma si mosbindje civile, revoltë dhe madje revolucion”, deklaroi Paloka. Sipas tij, prokuroria duhet të nisë hetimet për këtë njeri të papërgjegjshëm, i cili është edhe kryetari i PS-së. Sipas tij, thirrjet për revolta dhe mosbindje civile prokuroria duhet t’i merrte në konsideratë edhe për faktin se ato vinin nga partia më e madhe e opozitës, PS-ja. Paloka theksoi se vetë PD nuk do të bënte padi për këto thirrje të Ramës, pasi kjo parti nuk e kishte marrë dhe as vazhdonte ta merrte seriozisht një njeri si kryetari aktual i PS-së. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria do t’i përgjigjet me forcën e ligjit të gjitha provokimeve apo veprimeve që kryetari i PS-së, Rama, mund të bënte në lidhje me cenimin e rendit dhe normalitetit të vendit. Po kështu, Kryeministri Berisha ka theksuar se për të nuk përbën asnjë problem, fakti që në datën 1 maj, PS do të protestojë në bulevardin qindor të kryeqytetit dhe nga ana tjetër mazhoranca do të festojë, duke organizuar një koncert festiv me rastin e Ditës së Punëtorëve. Sipas Berishës, Tirana ka sheshe dhe bulevarde për të gjithë dhe mbajtja e dy aktiviteteve të ndryshme në një ditë nuk përbën asnjë problem. Por nga ana tjetër, kreu i qeverisë i ka konsideruar si legjitime, protestat e opozitës dhe ka theksuar se mazhoranca do të sigurojë që këto protesta të kryen në përputhje me ligjet dhe rregullat e shtetit ligjor.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›