PS bën gati protestën e 30 prillit
Protesta e 30 prillit do të ndjekë skenarin e demonstrimit treditor të 20 nëntorit. Një sistem organizimi kapilar, që ndjek hierarkinë e strukturave të Partisë Socialiste, është vënë së fundmi në lëvizje me synim maksimalizimin e suksesit të protestës që konsiston në pjesëmarrjen sa më të madhe të njerëzve. Por në përputhje me nivelin e këtij aktiviteti, angazhimi i selisë rozë nuk ka kursyer asnjë hallkë, teksa edhe grupi parlamentar i saj është përfshirë si pjesë aktive në përgatitjen e tubimit që pritet të zgjasë më shumë se 24 orë. Në këtë mënyrë angazhimi i përfaqësuesve parlamentarë të opozitës në një lëvizje që e përforcon apelin politik nga rruga ka një karakter simbolik të fortë. 65 deputetë të Parlamentit shqiptar, që e shtrijnë aksionin e tyre politik jashtë institucionit dhe plotësojnë detyrimet që burojnë nga mandati i vet përmes protestës, minimalisht e afirmon seriozitetin e krizës politike aktuale. Por ky aspekt politik, që ruan vlerën e vet në mesazhet që përcjell për opinionin e gjerë, është kombinuar me elementin organizativ, i cili e sheh sot ekipin e deputetëve të PS-së të angazhuar maksimalisht në terren. Lidhur me këtë element, edhe mbledhja e djeshme e grupit parlamentar ka trajtuar problemin në fjalë, duke marrë vendim që puna organizative të intensifikohet sipas njësive të përfaqësimit. Punë e shtuar me bazën dhe kontakte thuajse të përditshme me elektoratin, organizim periodik i protestave me karakter social si formë e edukimit politik dhe rritjes së temperaturës politike, sigurimi i pranisë së përhershme në terren dhe një koordinim mes strukturave përbën kompleksin e veprimit të tanishëm të PS-së. Në këtë kuadër, tërësia e akteve të protestës të përcjella gjatë javëve të fundit, është një mënyrë për të informuar gjerësisht opinionin mbi praninë aktive të opozitës, duke rritur ndërkaq pritmëritë e finalizimit të aksionit në datën 30 prill. Teknikisht detyra e deputetëve në masivizimin e pjesëmarrjes konsiston në organizimin e njerëzve që do të duhet të jenë të pranishëm në kryeqytet. Krijimi i kushteve logjistike në këtë drejtim, si mjete të transportit, pajisje me parulla dhe motivimi janë pjesë e një pune të mirëfilltë politike, e cila mund të prodhojë sukses nëse prania e ekipit drejtues shtrihet deri në qelizën më të ulët të organizimit të partisë. Në këtë drejtim vendimet dhe direktivat e dhëna në grup përcaktohen deri diku edhe nga precedenti i suksesshëm i 20 nëntorit, teksa në tërësi ato janë pjesë e një plan-veprimi që përfshin në vetvete edhe angazhimin e njësive të pushtetit vendor që drejtohen nga PS-ja, si dhe degët e saj nëpër rrethe. Kështu, nëse mund t’u besohet informacioneve paraprake, por edhe përvojës së 20 nëntorit, është i pritshëm një kontribut i njësive vendore me persona që do të vijnë të organizuar me mjete transporti. Kësaj shifre i duhet shtuar edhe një pjesë shumë e madhe e protestuesve të kryeqytetit që pritet t’i japin tonin manifestimit të 30 prillit, ku PS-ja ka investuar shumë besim dhe energji. Sa i përket kësaj të fundit, edhe kreu i PS-së, Edi Rama, ka vijuar së fundmi me takime me përfaqësues të degëve ashtu sikurse sot do të jetë në kontakt me drejtues të strukturave të Tiranës. Ndërkohë, grupi ka vendosur të bojkotojë edhe seancën e sotme parlamentare në shenjë proteste për përjashtimin e deputetit Taulant Balla.
#