E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti:Parku energjetik, prioritet i qeverisë

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi se ndërtimi i Parkut Energjetik në Porto Romano të Durrësit është një nga përparësitë e qeverisë, pavarësisht qëndrimit kundër që mbajti forca e tij politike gjatë fushatës së fundit elektorale, kur ishte në opozitë. "Nuk mund të ketë kthim mbrapa për investimet e miratuara dhe të ndërmarra në kuadrin e programit të kësaj qeverie", ka deklaruar Prifti. Ndërkaq, deputeti Osman Metalla ngriti nevojën për një rishikim të strategjisë kombëtare të zhvillimit portal, duke i lënë vend vëmendjes jo vetëm për portet komerciale, por edhe për ato turistike dhe të peshkimit. Në një nga inspektimet e para të tij në detyrën e ministrit, Dritan Prifti është ndalur në pontilin e karburanteve dhe gazit në veri të Durrësit, atje ku qeveria ka miratuar masterplanin e ndërtimit të një parku energjetik dhe industrial dhe ka hapur dritën jeshile për ndërtimin e TEC-it të parë me qymyrguri nga kompania italiane "Enel". Gjatë takimit në Porto Romano, Prifti siguroi drejtuesit e pontilit dhe koncensionarët se kanë mbështetjen e tij dhe të Kryeministrit Berisha për të çuar përpara këtë pontil dhe zhvillimin e krejt zonës që do të sjellë më shumë punësim dhe të ardhura. Mungesa e infrastrukturës rrugore, ujit dhe telefonisë fikse, ishin problemet e ngritura nga drejtori i pontilit, për të cilat ministri u shpreh i gatshëm për të ndërhyrë. Mbështetur në kundërshtimin e komunitetit për ngritjen e TEC-it me qymyrguri në këtë zonë, ministri dhe specialistët thanë se nga kompania italiane "Enel" do të kërkohet plotësimi i të gjitha standardeve bashkëkohore për të ulur në maksimum ndikimet e tij në mjedis. Ndërtimi i TEC-it gjen ndjeshmëri te komuniteti, pranoi ministri Prifti, prandaj duhet të shpjegohet në publik mbi investimin dhe shmangien e ndikimit të tij në mjedis. Në këtë pontil pritet të bëhet edhe përpunimi i anijeve me bitum, solar e mazut, pasi ndërtimi i depozitave është në proces. Kapacitetet e pontilit dhe marrëveshja e koncensionit nuk e lejon që kompania italiane të përpunojë lëndën e vet djegëse në të, prandaj është parashikuar që "Enel" të ngrejë një tjetër pontil për qëllimet e saj. Pontili i karburanteve pritet që të nisë nga puna me kapacitet të plotë në këtë fundviti, që do të shënojë dhe mbylljen përfundimtare të përpunimit të karburanteve nga Porti detar i Durrësit.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›