E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moska, akademikët mblidhen për Skënderbeun

20/04/2005  Me rastin e jubileut të 600-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ambasada e Republikës së Shqipërisë në Moskë organizoi në Institutin e Studimeve Sllave të Akademisë së Shkencave të Rusisë, "Tryezën e rrumbullakët" me pjesëmarrjen e punonjësve shkencorë të Institutit dhe të Universitetit Shtetëror të Moskës "Lomonosov". Në këtë tryezë merrnin pjesë anëtarë të shoqatës së miqësisë Rusi-Shqipëri, shqiptarë me banim në Moskë, punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë që mbulojnë Shqipërinë.

Veprimtaria për Skënderbeun u hap me prezantimin dhe diskutimin e portretit të Skënderbeut, të punuar posaçërisht për këtë jubile nga piktori rus Danill Dirov.

Punimet e "Tryezës së rrumbullakët" i hapi drejtori i Institutit, doktori i shkencave historike, Konstantin Nikiforov, i cili në mënyrë të përmbledhur bëri një vlerësim të veprës së Skënderbeut. Ndër të tjera, ai vuri në dukje rëndësinë e luftës antiosmane të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut, për çlirimin edhe të popujve të tjerë ballkanikë.

Pas ambasadorit Avni Xhelili, i cili mbajti referatin me temë: "Lufta çlirimtare e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe rëndësia historike e veprës së tij", u mbajtën edhe referate shkencore nga doktori i shkencave historike, Grigori Arsh ("Skënderbeu në dokumentet arkivore ruse"), doktorja e shkencave historike Julia Ivanova ("Identiteti lokal dhe etnik: shek.15, vështruar nga shek. 21"), nga doktori i shkencave historike Sergei Kuleshov, kryetar i shoqatës Rusi-Shqipëri ("Mbi veprën e Skënderbeut"), nga kandidati i shkencave historike Pjeter Iskanderov ("Lufta çlirimtare e popullit shqiptar në kontekstin ballkanik"), nga kandidati i shkencave historike Grigori Shkundin, pedagog i Universitetit "Lomonosov" ("Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe lëvizja kombëtare për çlirim e popullit shqiptar në shek.15").

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›