E Hënë, 2 Nëntor 2026

Varka e poezisë shqiptare mbi Venecia

20/04/2005  “Aleph”

Në auditorin Santa Margherita-Venecia, djemtë e revistës “Alpeh” do të mbajnë konferencën mbi poezinë e re shqiptare

Kur mundi është më i madh se “shpërfillja” për revistën letrare “Aleph”, kjo do të thotë ekzistencë, mbikohë rebelizimi për principe idesh. Edhe pse ka muaj që ajo është privuar nga dalja në treg, institucioni letrar është konsoliduar mbi këtë logo. Për këtë arsye, kryeredaktori i saj Gentian Çoçoli, nën testin e klubit “Aleph” do të jetë më 27 prill në Venecia, të ftuar për të mbajtur një konferencë mbi poezinë e re shqiptare. Në auditorin Santa Margherita-Venecia, tubimi letrar i mbajtur nga djemtë e “Aleph”, nuk ka të bëjë vetëm me literaturën vizuale të fjalimeve mbi krijimtarinë më të re shqiptare. Por mbi eksperiencën e ngritur në një mendium letrar, siç është revista, principet piketakohen me kulturën evropiane.

Diversiteti i ideve ka gjeneruar si shkak për të mbjellë klimë avangardiste në letërsi dhe art, gati si një përmbysje e egër pas post-komunizmit. Por “Aleph”-it i ka interesuar dhe përmbysja e gardheve të kokës, sërish nën principet e ndryshimit të klimës për një mentalitet shumë të hapur me kulturën evropiane dhe atë botërore.

Kjo ishte një arsye pse Susan Sontag, dy herë që erdhi në Tiranë, u befasua në djemtë e “Aleph”, se si në një vend kaq të vogël publikohet një revistë tipike evropiane. Edhe shkrimtari Ismail Kadare i përkëdhel po aq natyrshëm djemtë e “Aleph”, duke çmuar qysh në krye talentin e tyre në të shkruar e përkthyer, duke iu afruar gjithnjë e më shumë kulturës evropiane. Për kokën e tyre të krisur, Kadareja e shikon revistën “Aleph” si suksesin më të madh të kulturës shqiptare në post-komunizëm.

Por të gjitha këto vlerësime, idealizmi i djemve të “Aleph” duket sikur e ka prerë këtu vrullin, pasi i është dashur të përballojnë nënçmimin e dukshëm të Ministrisë së Kulturës për të financuar qoftë dhe një numër nga kjo revistë.

Në gjithë këto vite, revista ia ka dalë të mbijetojë falë ndihmës së rëndësishme si; Fondacioni Soros, Këshilli Britanik, Kultur-kontakt, Instituti Italian i Kulturës, Pro Helvetia, ambasada austriake, polake, franceze, hungareze, etj.

E krijuar qysh më ’96-ën, botuar deri më sot 15 numra, “Aleph” ka pasur protagonistë një grup shkrimtarësh të rinj, kritikë, përkthyes dhe artistë të artit viziv.

Ka publikuar pjesë të përzgjedhura nga poezi, takime, intervista, foto artistike nga rreth 200 shkrimtarë, marrë nga dhjetë gjuhë të ndryshme për romancierë, poetë, kritikë, piktorë dhe fotografë, duke përfshirë kultura nga Amerika e Perëndimi, Lindja, Ballkani etj., natyrisht dhe autorë shqiptarë.

Aktualisht, revista “Aleph” ka prezantuar letërsinë e re shqiptare si dhe letërsinë nga Kosova. Rreth 100 shkrimtarë, kritikë e artistë shqiptarë, kanë dhënë kontributin e tyre në këtë revistë, të cilët kanë përfaqësuar një lëvizje të rëndësishme në kulturën shqiptare.

Ismail Kadare

“’Aleph’ është plot befasi nëpër libraritë e Tiranës. Është shumë e rëndësishme të shikohen këta djem për nga talenti me të cilën shkruajnë, përkthejnë e publikojnë, duke u afruar gjithnjë e më shumë nga kultura evropiane... Pa dyshim, revista ‘Aleph’ është suksesi më i madh i kulturës shqiptare në post-komunizëm”

Susan Sontag

“Është një surprizë e bukur të gjesh në Shqipëri, në një vend kaq të vogël, një revistë tipike evropiane”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›