E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shfaqet vajza e paligjshme e Princit Alberto

20/04/2005  Furtunë në principatën e vogël të Monakos. Vetëm pak ditë pas varrimit të princit Ranieri, skandali pushton principatën dhe ajo çka e bën edhe më dramatike gjendjen është “lufta” që ka nisur midis Albertos, Stefanisë dhe Karolinës, për fronin. Në këtë situatë shfaqet vajza e fshehtë e princit Alberto. Ajo quhet Jazmin Grace Grimaldi, 13 vjeçe, dhe është fruti i një marrëdhënie të princit me një kameriere kaliforniane. Por mbi të gjitha, ajo mund të trashëgojë edhe fronin...

Ajo që ka bërë publike hetimet dhe detajet e skandalit, duke hapur një kapitull të ri në Principatën e Monakos, që tashmë po drejtohet nga princi Alberto, ishte gazeta britanike e skandaleve “Mail On Sunday”. Gjithçka nis në fillim të vitit 1991, kur Tamara Rotolo, një kameriere e “Deserts Springs”, në Kaliforni, e martuar me një snod të quajtur David Schumacher, vendosi të kalonte pushimet së bashku me një shoqen e saj në ‘atdheun’ e jahteve, Montekarlo. Një turne tenisi do t’i ndryshonte jetën përfundimisht. Princi Alberto e dalloi mes publikut dhe dërgoi një nga bashkëpunëtorët e tij për ta ftuar në një festë. Kështu lindi edhe marrëdhënia e tyre, siç shkruan tabloidi britanik bazuar në rrëfimin e një miku të ngushtë të Rotolos, Bruce McCormack. "Albertos i pëlqente shumë Tamara. Ata qëndronin bashkë gjatë gjithë ditës, për dy javë rresht. Kur pushimeve të Tamarës po i vinte fundi, ai i kërkoi të qëndrontë edhe më gjatë”. Ajo i tha se “i duhej të kthehej në punë. Ky ishte momenti i së vërtetës. Ëndrra kishte përfunduar”, rrëfen Bruce. Por, gjithsesi Alberto i mbajti lidhjet me gruan, kur ajo i tregoi se kishte mbetur shtatzënë. Fillimisht, ai u tregua i gatshëm për ta ndihmuar. Por, kur marrëdhënia e tyre u zbulua nga Ranieri, gjithçka ndryshoi rrjedhë. Princi Ranieri e detyroi Alberton të ndërpriste marrëdhënien e tij me Rotolin. Në nëntor të vitit 1992, shtat muaj pas lindjes së Jazmin Grace, Tamara Rotolo nisi procesin e parë ligjor kundër princit për njohjen e vajzës, nismë që dështoi që në fillim të saj. Gjykata e Kalifornisë i kërkoi princit të Monakos, Albertos, të bënte analizat e ADN-së, kërkesë që u refuzua.

Ndërkohë që edhe bashkëshorti i saj pranoi që nuk ishte babai i vajzës. Ndërkohë, sipas McCormack, tani, pas vdekjes së Ranierit, gjërat mund të ndryshojnë. “Marrëdhëniet e princit me nënën e Jazmin gjithnjë kanë qenë të mira. Ai nuk e ka mohuar se është vajza e tij. Por ai i kishte pohuar Tamarës se sa të ishte gjallë babai i tij, nuk mund ta njihte publikisht vajzën”. Pas publikimit të skandalit, duket se situata kishte qenë shumë e pakëndshme për sovranin, që gjithë jetën e tij për djalin e tij të parë kishte ëndërruar një martesë dhe një trashëgimtar të ligjshëm. Skandali i fundit për Principatë e vogël, pas kronikave të trazuara lidhur me jetën sentimentale të Stefanisë dhe Karolinës, ishte një goditje për familjen mbretërore. Nëse vajza do të jetë me të vërtetë e Albertos, atëherë në të ardhmen ajo mund të marrë në dorë skeptrin e mbretërisë. Dhe kjo do të ishte një goditje shumë e madhe për Karolinën, që ëndërron të shoh në fron djalin e saj, Andrea.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›