E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mosmirënjohje dhe tradhëti

27/04/2005  Berluskonizmi dhe pakënaqësitë e tij. Çfarë po ndodh në Itali

Berluskoni e konsideroi edhe si mosmirënjohje, edhe si tradhëti këtë manovër. Në vitin 1993, Kristian Demokratët ishin një parti e rrënuar dhe pa të ata as nuk do të ishin rikthyer në pushtet, as nuk do të kishin marrë një mandat. Fillimisht, deklarimi i tij bankar i kish sjellë ngushëllim: “Unë jam një njeri që ka një pasuri prej 120 miliardë. Çfarë kërkojnë ata?”

Sondazhet tregojnë se Kryeministri i Italisë dhe koalicioni i tij mund të jenë 20 përqind në disavantazh të armikut të tij të përjetshëm, Romano Prodi, nëse Italia do të votonte sot. Xhuliano Ferrara, mentori i Berluskonit shkruante në gazetën e tij të përditshme, Il Foglio: “Nuk e di si do të përfundojë. Gjithë sa di unë është se ky është fundi”.

DER SPIEGEL

Qeveria e 59 e Italisë, që nga Lufta II Botërore u rrëzua javën e kaluar, kur Kryeministri, Silvio Berluskoni dorëzoi dorëheqjen e tij. Ai është rikthyer tashmë, duke krijuar një qeveri të re, por shumë e shohin si shkëlqimhumbur, një politikan që ka humbur kontaktet.

E gjithë bota po priste për tym të bardhë, por nga qeveria italiane doli vetëm ajër i nxehtë. Pas një jave politikëbërje në prapaskenë, nuk do të ketë zgjedhje në Itali, nuk do të ketë një kryetar të ri qeverie dhe ndryshimet në politikë do të jenë të vogla. Megjithatë, ajo që doli nga e gjithë kjo, është se Italia do të ketë qeveri të re.

Të mërkurën e kaluar, Kryeministri italian, Silvio Berluskoni ofroi dorëheqjen. Natyrisht, ai u kthye dy ditë më pas, pasi Presidenti Carlos Azeglio Ciampi i kërkoi të formojë kabinetin e ri. Tani, sapo është krijuar qeveria e gjashtëdhjetë e pasluftës në Romë.

E gjithë “gurguleja” e ditëve të fundit u krijua për një riorganizim të thjeshtë të personelit dhe dyshimeve, nëse kabineti i tij është i qëndrueshëm për një periudhë afatgjatë. Romano Prodi, ish-presidenti i Komisionit Europian dhe kreu i opozitës, tashmë ka deklaruar: “Qeveria e re mund të bjerë deri në tetor”.

Javën e kaluar, koalicioni pesëanëtarësh i Berluskonit, Shtëpia e Lirive u nda po aq sa edhe vendi, që ajo përfaqëson: Veriu kundër Jugut, federalistët kundër centralistëve, dhe ekonomistët liberalë kundër kundërshtarëve të ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi.

Unioni i kristiandemokratëve i Marko Folinit dhe Aleanca Kombëtare e ministrit të Jashtëm, Xhanfranko Fini e kishin bërë ndërkohë gati rebelimin e tyre. Ata kërkuan më shumë mbështetje për familjet, klasat e mesme dhe të varfërit e jugut të vendit, ku jetojnë shumë prej anëtarëve të tyre. Aksi verior i lombardianëve, Berluskoni dhe partneri i tij, Umberto Bosi–u ankuan ata, është duke e ngordhur urie financiarisht jugun.

Vetëm Lega Nord e Bosit u rendit në krah të Kryeministrit dhe kjo sepse Berluskoni vazhdon të mbështesë planet për reforma kushtetuese shumë kontradiktore të cilat, mes të tjerave, mund të rrisin fuqinë e rajoneve.

Në një manovër të atypëratyshme, Folini tërhoqi katër nga ministrat e tij nga qeveria, dhjetë ditë më parë. Në zgjedhjet rajonale në 3 Prill dhe 4 Prill, partia e tij kish dalë sërish shumë mirë, veçanërisht ndryshe nga Forza Italia e Berluskonit, e cila fitoi vetëm dy nga 13 rajone që ishin në diskutim. Më pas, Folini kërkoi ose politika të reja nga ana e Berluskonit, ose zgjedhje të reja.

Berluskoni e konsideroi edhe si mosmirënjohje, edhe si tradhëti këtë manovër. Në vitin 1993, Kristiandemokratët ishin një parti e rrënuar, dhe pa të ata as nuk do të ishin rikthyer në pushtet, as nuk do të kishin marrë një mandat. Fillimisht, deklarimi i tij bankar i kish sjellë ngushëllim: “Unë jam një njeri që ka një pasuri prej 120 miliardë. Çfarë kërkojnë ata?” Berluskoni e ka përbuzur gjithmonë përdorimin e taktikave në Palazzo Montecitorio, godinën e Parlamentit. Në mendjen e Berluskonit, demokracia ka të bëjë vetëm me udhëheqës të fuqishëm, sondazhe, dhurata dhe fushata në TV.

Humbja e shkëlqimit

Tani, me një thesar të boshatisur dhe me mrekullitë ekonomike, që po vonojnë të vijnë, shkëlqimi i Berluskonit është zbehur disi. Dhe kjo është arsyeja përse miliarderi nuk ishte në gjendje të ndryshonte pikëpamjet e kundërshtarit të tij në kohë, dhe t’i kishte kthyer pas, siç ka bërë në të kaluarën. Ai ndryshoi mendje në momentin e fundit dhe me një xhest të madh, “pas një nate të pagjumë”, ai i dorëzoi dorëheqjen Presidentit Ciampi, të mërkurën e kaluar. “Në të mirë të vendit”, pretendoi ai, i sigurtë se do t’i kërkohej që të ndërtonte një qeveri të re.

Ishte fundi i koalicionit të tij. Megjithatë, me 1409 ditë prapa krahëve, Berluskonit i njihet merita se ka udhëhequr qeverinë më jetëgjatë të Italisë, në historinë e pasluftës. E fundit qeveri që kishte rrojtur kaq shumë kishte qenë ajo e Benito Musolinit, kryeministrit fashist që udhëhoqi Italinë në epokën e Luftës së Dytë Botërore.

Berluskoni do të ketë ende shumë mundësi për të provuar talentin e tij si një politikëbërës, deri kur të vijnë zgjedhjet kombëtare, vitin e ardhshëm. Megjithatë, buxheti i tij nuk le shumë vend për programe shpenzimesh, që do të mund të ndihmonin në rritjen e shanseve të tij në vitin zgjedhor. Ndonëse ministri i Financave, Domenico Siniscalco mund të llogarisë një defiçit buxhetor prej 3 përqind të GDP, Italia mbetet ende e kërcënuar nga masat e BE, për defiçitin e saj buxhetor. Arsyeja? Statisticienët në Bruksel nuk i pranojnë numrat romakë. Nuk është e sigurtë as që shkurtimi progresiv i taksës mbi fitimin nga Berluskoni të mund të zbatohet (më e madhja ka një vlerë 12 miliardë euro, ose afro 16 miliardë dollarë).

Paraqitja e dobët e Forza Italia në zgjedhjet rajonale e ka lënë Berluskonin, që në vendin e tij njihet si “Kavalieri”, si një Kalorës pa kalë. Për herë të parë që nga koha kur marshoi në drejtim të politikës, aftësitë udhëheqëse të Berluskonit po vihen në dyshim në mënyrë publike. Sondazhet tregojnë se Kryeministri i Italisë dhe koalicioni i tij mund të jenë 20 përqind në disavantazh të armikut të tij të përjetshëm, Romano Prodi, nëse Italia do të votonte sot. Xhuliano Ferrara, mentori i Berluskonit shkruante në gazetën e tij të përditshme, Il Foglio: “Nuk e di si do të përfundojë. Gjithë sa di unë është se ky është fundi”.

Berluskoni kishte dikur një vizion, për ta bërë Forza Italian një magnet të votuesve konservatorë, të pasur, duke e bërë atë pasardhësen tipike të Demokracisë Kristiane të dikurshme. Megjithatë, projekti deri tani ka dështuar. Qendra e djathtë është më larg se kurrë një kompromisi. E vetmja trashëgimi javën e kaluar ishte një balet partizan në një skenë politike të mbërthyer nga kriza.

Tym i bardhë? Vështirë. Eshtë më shumë: habemus problemam.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›