E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prirje dhe dukuri triviale në letërsinë tonë të re

27/04/2005  Përpara do pak kohësh në një shkrim tonin, botuar në dy gazeta, respektivisht, në Metropol (nëntor 2004) dhe në Fjala, (janar 2005) me titull; “Krimkultura ase shteti dhe botuesi që vrasin autorin”, patëm cekë disa dukuri të râ që po formësohen gjithnjë e më tepër, - kryesisht në lidhje me mardhëniet autor - botues, në letërsinë tonë si proces. Që atëherë, po bëhen të paktën nja pesë muaj, por mardhëniet e cilësuara, mbeten po ato. Shteti vazhdon të neglizhojë me kohën, me krijuesit dhe me vlerat, duke e parë kulturën në përgjithësi, ndërsa letërsinë në veçanti, përmes prizmit safi politik. E dimë, kjo s’është hera e parë e s’jemi as ne të parët që e themi, por që heshtja të mos na vuvosë përsëgjalli, detyrohemi t’u kthehemi e rikthehemi prapë e prapë këtyre çështjeve, të cilat përbëjnë një dukuri specifike për letërsinë tonë të këtyre viteve.

Kanë kaluar pothuajse pesëmbëdhjetë vjet ç’prej se cenzura zyrtare iu hoq kësaj letërsie. Gjatë këtyre vjetëve kanë ndodhur ndryshime të mëdha në sferat e shoqërisë e të artit, megjithatë, edhe shëmtimi vende - vende, nëpër lamiet e kësaj panorame, është i madh. Njëra nga pamjet tepër të shëmtuara, (e kritikuar herë pas here nga këndvështrime të caktuara), është masiviteti si qëllim në vetvete. Njerëz që shkruajn gjithandej, njerëz që botojnë gjithandej, shtypshkronja plot e përplot, libra nga më të çuditshmit; - këngë partizane, vargje veteranësh të thurura për vetveten e për miqtë e idealeve, ditirambe ish brigadieresh frutikulture thurur për patlixhanët e kastravecat, poema traktoristësh, të cilëve “damari” poetik na u erdhi pasi i rrumbullakosën fiks të gjashtëdhjetë e pesat; mandej romane e tregime të freskëta taze që t’i servirin turlilloj autorësh “të rinj”, gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë vjeçar, të cilët dikur s’i botonte as gazeta e përmuajshme lokale, ndonëse qanin me lot e qirreshin në kupë të qiellit kundër armikut të klasës; estetë e etnologë që s’përtojnë të ta paraqesin në njëmijë e pesëqind ekzemplarë libër me nga dyqind e kusur faqe, historikun e një fshati, ta zëmë vetë Firifistunit, - or lum miku, - ku shpallin botërisht se atij s’i gjendet shoku në botë; mihës arkivash, dyshues emblemash e deri tek të vetëquajturit Bonapartë të krahinës, - pamje kjo që të zë sytë, zhurmë kjo që të trullos e të bën të ndjesh ndot nga vetvetja, kur mendon se dikush, pa e vrarë mendjen, teksa ti kalon rrugës për në bibliotekë, mund t’i pëshpërisë shokut përbri se je edhe ti pjesë e këtij pizeveng ahengu, ku ka më shumë shkrues sesa lexues, ku bjerret çdo ditë vlera e fjalës, ku shëmtia të shfaqet me tërë forcën e lulnajës së saj të ushqyer nga ky kum.

Nga t’ia mbash? Si të shpëtosh? Si ta edukosh këtë turmë lara - lara, e cila me vizgëllima e piskama gjelash katundi mëton se bën artin modern? Ndërkohë që gjithë kësaj biçim estetike me të cilën mballosin veprën e tyre artistike i vjen një erë e mendermethanshme me ta plasë rrashtën e kresë. Si t’ia bësh të mos e dëgjosh panegjirizmin e tyre të neveritshëm? Ku të fshihesh? Nga t’ia mbash? Tërë kjo turmë, sa primitive aq dhe parazitare, prej njerëzish të vetëquajtur shkrimtarë, poetë, artistë, duke gjykuar mbi karakteristikat e estetikes letrare që shpërfaq, mund të cilësohet fare mirë si një socreal i vonë, i panevojshëm pothuaj po aq sa ç’qe dhe i pari. Ka të paktën pesëmbëdhjetë vjet që autorët baballarë të realsocit shqiptar kanë reshtur së respektuari (të paktën formalisht) atë estetikën e tyre karakteristike të idealeve, të zhurmave të luftës dhe pamposhtshmërisë së nënës Parti, etj., ndërkohë që gjatë kësaj kohe, kur në mënyrë të fshehtë këtyre taravelave u fryjnë elementë sporadikë dhe degëzime institucionesh kulturore të financuara nga shteti, duke filluar që nga MKRS - ja, LSHA qendrore dhe ato fantazmat e saj karnavaleske nëpër rrethe, në çdo cep të Shqipërisë, shumica e qendrave kulturore të bashkive, gazeta mistrece dhe grupime mercenarësh besnikë të idealit, - “kush s’është me ne, garant është armiku ynë”, - duket se po kultivohet një nostalgji dhe respekt ndaj traditës estetiko-letrare realsociste, duke krijuar një klimë të favorshme për gjithë këtë buisje dhe harlisje pseudoartistike, ku mungon tëharrja, ku çështja më e rëndësishmja është të themi diçka, më pak e rëndësishme çfarë do të themi dhe fare pak ose aspak e rëndësishme është mënyra sesi do ta themi. Pra, shkurt, lexuesit po i imponohet përmes politikash te mbrapshta dhe të mirëllogaritura kulturore, t’i kthejë sytë përsëri mbrapa tek romanet me ara, kanale, fabrika, këshilltarë e komisarë shtabesh, duke ia vënë vizën autorit bashkëkohor, i cili me ç’duket, s’përbën asnjë interes me ato që shkruan. Opinioni i përgjithshëm i lexuesit shqiptar sot është se akoma s’kanë dalë shkrimtarë të vlerë si ata që bënë epokën e realsocit. Lexuesit që i ndjek me vëmendje zhvillimet letrare (ndoshta gabohem, por unë llogaris pak veta në këtë kategori), është e tepërt t’i themi se krijues me vlera dhe me talent trevat shqiptare sot kanë jo pak, por ajo që duhet theksuar dhe nënvizuar është fakti se mungojnë politikat kulturore për afirmimin e zërit të tyre në shoqëri.

Të quash dikë “shkrimtar” ase “poet”, sot është gjëja më e rëndomtë. Ndërsa për vete, të vesh vetëm deri tek librashitësi e t’i prezantohesh si i tillë, fillimisht të skuqet fytyra, pastaj të merret goja, duke menduar reagimin ironik të atij tjetrit, i cili ndonëse për vete rron gjithnjë midis librave, e lexon a s’e lexon një libër në vit. Injoranca, provincialiteti i ideve, anakronia, varfëria gjuhësore e skajshme, nervozizmi apo panegjirizmi estetiko-letrar, shpërfaqin me koketëri fizionominë solide të një letërsie triviale, e cila më së forti i ngjan një invazioni tumoral, krijuar enkas për t’i disekuilibruar mardhëniet normale të komponentëve autor, vepër, lexues, (a + v + l), deri në likujdimin total të tyre, si proçes i komunikimit letrar.

Siç shihet nga fluksi i paparë i botimeve, pak kush prej kësaj aradhe të kuturushme mund ta kuptojë se vetë - “gjuha është Delf” (Novalis), - përndryshe s’kanë si të shpjegohen vigmat e tyre histerike, e klithmat mediatiko - mejhançe, se duhet të respektohet pikë’e’presje gjuha zyrtare e shtetit komunist, e cila si çdo institucion i asokohshëm mban sot e sa t’jetë jeta, vulën e vet të nomenklaturës.

Nga kjo specie e çuditshme që ta heq çdo dëshirë për librin dhe për gjuhën e letërsisë artistike, e cila për të nënkupton fjalë për fjalë sall gjuhën zyrtare, - idiotësisht dhe paradoksalisht ende vazhdon të shihet me mëdyshje vlera e veprës së Fishtës, sipas llojit të vet klasik, apo e Camajt, sipas llojit të vet modern, sall ngase gjuha e ambël gege këtyre kreatyrave nuk u tingëllon shqip; shkurt vepra e tyre pretendohet se përbën vështirësi leximi në aspektin e kodifikimit gjuhësor; - shyqyr, thuaj, që jetojmë në kohë pluralizmi dhe s’mund ta shqiptojnë më se ata që i shkruan ishin antishqiptarë, siç e kanë thënë deri dje, dhe se njikto vepra duhet të hidhen përgjithmonë në koshin e plehërave të historisë.

Përveç këtyre, vazhdojnë të kritikohen dhe të vihen në diskutime dashakeqe format moderne të procedimit estetik të veprës letrare, gjykuar nga skrivania e kritikut të realsocit, i cili thyerjen e normave standarte dhe mosrespektimin e skemës së tipit romanor “Këneta” (F. Gjata), e gjykon gjithë hezitim, duke i hedhur konsideratat përmes ca gicilimeve prej akrepi, si tek shkrimi me titull, “Simbolizmi dhe raporti i tij me realen”, i botuar në gazetën Drita, me 19 dhjetor 2004, nga një lexues i romanit “Dueli” të A. Tufës, i cili ngulmon se romanit i mungon argumenti artistik (!), (a thua mos duhet të merret ky arsyetim si mungese e boshtit ideologjik?), ndërkohë që s’i bie fare ndër mend këtij kritiku se për një letërsi moderne, parësore është paraqitja artistike e një realiteti a një ideje përmes konvencionesh ambige, dhe jo argumentimi i saj, gjë që i përket fushës së gjykimit të vetë produktit artistik. Nejse, me këtë çështje them se mund të merremi edhe më vonë, kur të ndalemi më gjatë e më ngeshëm, mbasi vetë natyra e këtij shkrimi s’na lejon për më tepër, ngase më shumë sesa analitike dhe kritike është evokuese dhe sinkretike, kështuqë gjykoj që këtu të përqendrohemi më tepër tek laryshia e panoramës kulturore masiviste, sesa tek veçanësia e ndonjë elementi në vetvete, gjë që lypset të trajtohet hollë e hollë në shkrime të posaçme, prej atyre që “ia kanë ngenë” dhe zanatin.

Me interes them se do të ishte ta dinim si procedohet sot për ta çuar nga autori gjer tek lexuesi gjithë këtë amalgamë formash të râ, të këtij socreali të vonë. Me thënë të drejtën, pa ekzagjerime e tepri, lexuesin më rigoroz dhe më pasionant këto vepra artistike kanë sall vetë autorin e tyre. Mandej, këta libra narcizësh shkepulë, me mënyra nga më të ndryshmet dhe nga më të paparashikuarat nga një mendje normale (e një njeriu që e gëzon pak krenari), i imponohen lexuesit, - kryesisht, me drejtim nga lart - poshtë, përmes shoqatash, organizatash apo institucionesh ku autori ka miqtë e tij të afereve dhe dallavereve, ase gëzon vetë një post me rëndësi në administratën civile.

Pra, mbas vetë autorëve të tyre narcizë, lexuesit e këtyre botimeve me tirazhe të lakmueshme, ase më sak, blerësit e tyre, (sepse që dhe këto palavira - dështake që në fjalinë e parë - lexohen, për këtë kam dyshime të forta), janë vartësit e tyre dhe vartësit e vartësve të tyre, e kështu me radhë, vazhdon qarkullimi mizor i krijimtarisë, duke filluar që nga shkalla më e lartë hierarkike, - autorë-kuadro në ministri, - e duke përfunduar tek ai nxënësi i shkollës fillore në majë të Vermoshit. Ky, në fakt, mendoj se është realiteti kulturor më i ri, por dhe më banali, prandaj kemi një arsye të dytë këtu që gjithë këtë letërsi masive ta etiketojmë si një realsocizëm të vonshëm, trivial, i cili kërkon me të gjitha forcat e me të gjitha mënyrat të invadojë në çdo qelizë të kulturës shqiptare, duke përcjellë mesazhe obskurantiste, anakronike, antiestetike, shpesh’herë të neveritshme. (Me gjithë injorancën e tyre donkishoteske, fatkeqësisht këto vepra s’të bëjnë të paktën as të vësh buzën në gaz). Bashkëkohës të këtyre, shkrimtarë dhe poetë me një zë modest ase me vlera padiskutueshmërisht të larta, mezi botojnë librat e tyre përmes peripecishë financiare dhe me tirazh të vogël, - jo më tepër se dyqind kopje. Po t’i kërkosh librat e tyre në ndonjë bibliotekë, lodhesh kot, - s’i gjen në asnjë bibliotekë qyteti të Shqipërisë, përveçëse në BKT, kurse libra ministrash a zv/ministrash, me përmbajtje patetiko-artistiko-etnologjike, zënë vend nëpër rafte bibliotekash e librarishë, gjithandej.

Sipas të gjitha gjasave, në realitetin shqiptar mjafton të kesh para ase një post zyrtar prej nga mund ta komandosh “lexuesin” dhe - prite, - mbëhesh shkrimtar a poet, kur të duash, pavarësisht nëse ke punuar për tridhjetë vjet me radhë, ta zëmë, agronom ase normist i NB - së, dhe libri i fundit që ke lexuar është ai me titull (përafërsisht si ky); “Qysh e theri ballisti pulën”.

Fundja mirë e kanë këta autorë, - ç’rëndësi ka të lexosh, kur shtypshkronja njëlloj i nxjerr në dritë, si paçavuret e tyre, si kryeveprat e artit!!! Më e rëndësishmja është se edhe ata kanë të thonë diçka përmes atyre faqeve të bardha (që për arsye klasifikimi po i quajmë të zeza), në mënyrë që t’ua mbushin mendjen edhe të tjerëve se ata kanë lexuar dikur, se e njohin alfabetin (u lumtë për besë, ë!), dhe se ai post që ua kanë besuar, u vete për shtat, dmth., meritohet plotësisht prej sish, i mbrojtur kështu jo vetëm me miq, por dhe me begraundin e tyre të dukshëm intelektual. Këtu them se është vendi të diagnostikojmë një fenomen tjetër kulturor shqiptar, i cili, për nevoja kryesisht të karakerit jetik, ka sjellë në sfondin e shoqërisë bashkëkohore shqiptare “njeriun pluridimensional”, (Mark Marku / Fjala, 21 korrik 2002), - dmth., njeriun që mëton të jetë i kudogjendur dhe që pretendon se di t’i bëjë të gjitha, por që tashmë them se ka ardhur koha dhe momenti bash ta quajmë pa mëdyshje si njeriun pa personalitet intelektual.

Së fundi them se duhet të kuptohet një gjë prej gjithë kësaj sëre të llomtë letraro-masive, se letërsia e vërtetë s’bëhet me fushata , siç pandehin ata. Letërsia i kërkon haraçe jetës, ajo është një pohim i pandërprerë dhe në rritje i unit, që domethënë se, o je shkrimtar në jetë të jetëve, o nuk je kurrë. (Francisko Umbral / Por kohën askush nuk e ndal / Albania, 13 shkurt 2005, fq. 15). Përveç kësaj, gjykoj se letërsia meriton të shihet më me respekt nga palët (shtet - botues - krijues - lexues), dhe sidomos theksoj se ka ardhur koha që ajo të trajtohet pak më me qytetari e drejtësi në mënyrë që t’i rikthehet dinjiteti që e gëzon në çdo vend të urbanizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›