E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në vend të një polemike

27/04/2005  Dr.Islami me kohë ka rrëzuar propagandën serbe për shqiptarët e Kosovës

Ditëve të fundit në mediat shqiptare ka reaguar edhe akademik Hivzi Islami, njëri ndër demografët më të shquar shqiptarë, lidhur me një libër të Qosjes plagjiaturë, që e paska botuar “Toena”. Padashur të vihemi në krah, shfrytëzojmë rastin që të themi se akademik Hivzi Islami, me kohë, e ndër të tjera edhe në librin që e kemi në dorë “Rrjedha demografike shqiptare”, botuar në vitin 1994, si do të shihet këtu, me argumente ka hedhur poshtë propagandën serbe për gjoja “shqiptarët e ardhur në Kosovë nga Veriu i Shqipërisë”!

Për këtë propagandë janë zhvilluar shumë e shumë polemika. Në këtë libër, akademik Islami ka shkruar: Tashmë më tepër se një shekull historiografia dhe qarqet politike serbe nuk pushojnë të manipulojnë me të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët, veçanërisht për pasqyrën etnike të Kosovës dhe për drejtimet dhe vëllimin e migrimeve të popullsisë. Teza kryesore e institucioneve shkencore dhe politike serbe, që po përsëritet aq shumë edhe tash, mund të përmblidhet në faktin se, sllavët e jugut prej ardhjes në Ballkan dhe serbët prej formimit si popull, kanë dominuar në këto hapësira! Ndërkaq, shqiptarët në Ballkanin Qendror, ku shtrihet Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare, sipas kësaj teze, kanë ardhur në fund të shek.17 dhe gjatë tërë shek.18, madje si “kolonizatorë”! Këto teza janë plotësisht pa mbështetje shkencore dhe tendencioze.

Ballkani Qendror gjatë tërë historisë ishte territor dinamik demogjeografik dhe gjeopolitik, me konflikte të shpeshta të brendshme, me dominime të interesave të huaja dhe me lëvizje migruese të popullsisë. Mirëpo, popullsia shqiptare me gjithë reduktimet hapësinore, si pasojë e politikave ekspansioniste të perandorive dhe pushtuesve të ndryshëm, do të qëndrojë pandërprerë në territoret etnike-gjeografike të paraardhësve të tyre, ilirëve. Për këtë dëshmojnë regjistrimet kadastrale osmane të kohës, raportet e misionarëve e udhëpërshkruesve të ndryshëm, pjesëmarrja masive e shqiptarëve në luftërat e ndryshme para shekujve XVII dhe XVIII, duke përfshirë edhe Luftën e Kosovës më 1389.

Shqipëria veriore dhe Sanxhaku i Prizrenit

Ardhja kinse masive e shqiptarëve këta 2-3 shekujt e fundit në Kosovë, kur ajo na qenka “shndërruar” në një vakuum demografik me “ikjen” e serbëve në drejtim të Veriut, nuk qëndron për shumë arsye. Një imigrim i tillë nuk ka qenë i mundshëm as për arsye thjesht demografike, ngase, siç dëshmojnë regjistrimet kadastrale turke (defterët), qysh në shek.XV dhe XVI Shqipëria Veriore kishte vetëm rreth 2.000 shtëpi, ndërsa Sanxhaku i Prizrenit dhe i Dukagjinit, së bashku kishin rreth 20.000 shtëpi.

Manipulimet rreth përbërjes etnike të Kosovës për shekullin XX, edhe më me këmbëngulësi do të vazhdojnë nga partitë fashizoide dhe qarqet qeveritare serbe, edhe tash... Mirëpo, në bazë të të dhënave të statistikave të të gjitha pushteteve, del se gjatë tërë shek.XX në Kosovë dominonin shqiptarët. Sipas statistikave turke të viteve 1908-1909, Kosova kishte 506.862 banorë. Prej tyre, në kazatë e atëhershme, që shtriheshin në hapësirën e sotme të Kosovës, numri i shqiptarëve ishte 413.970, që përbënte 81.6% në numrin e gjithëmbarshëm të popullsisë. Ndërsa në të gjitha trojet shqiptare, të cilat më vonë do të hynin, pa vullnetin e tyre, në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene (Jugosllavia e vitit 1918) numri i shqiptarëve sipas kësaj statistike ishte 777.152. Statistika e bërë nga autoritetet ushtarake të Austrisë në kohën e pushtimit (1916), shënon numër më të vogël absolut të popullsisë së përgjithshme të Kosovës dhe të shqiptarëve, që mund të jetë për shkak të dobësive në përfshirje dhe për arsye të shpërnguljeve pas vitit 1912 dhe viktimave nga okupimi serb dhe Luftërat Ballkanike. Por përqindja e shqiptarëve del përafërsisht e njëjtë me atë të statistikës turke. Sipas kësaj statistike austriake, në Kosovë jetonin 460.607 banorë, ndërsa prej tyre shqiptarë ishin 359.458 ose 78.2% të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës.

Sipas regjistrimit të vitit 1921, në bazë të gjuhës amtare shqipe (arnautski, siç e quanin serbët shqipen), nga 436.929 banorë sa u evidentuan në Kosovë, 280.440 ose 64.1% ishin shqiptarë. Në tërë territorin e ish-Jugosllavisë së atëhershme, sipas gjuhës amtare, u regjistruan gjithsej 441.740 shqiptarë. Sipas përkatësisë fetare në Kosovë, 73% i përkisnin fesë islame, 26% fesë ortodokse dhe më pak se 2% fesë katolike. Ndërkaq, sipas regjistrimit të vitit 1931, në Kosovë u shënuan gjithsej 552.064 banorë, kurse prej tyre, sipas gjuhës amtare, u evidentuan 347.213 shqiptarë ose 62.8% nga numri i përgjithshëm i popullsisë. Në tërë Jugosllavinë e atëhershme, numri i shqiptarëve, sipas gjuhës amtare ishte 517.470. Se është fjala për nënvlerësimin e numrit të shqiptarëve tregojnë edhe vlerësimet e dijetarëve shqiptarë të asaj kohe. J.Milaj (1944) numrin e shqiptarëve në Jugosllavinë e viteve ‘30-të e vlerëson midis 700.000 dhe 900.000 veta, F.S.Noli (1930) në rreth 1 milion, ndërsa famullitarët shqiptarë, si misionarë të Kongregacionit të Shenjtë “Propaganda Fide”, Dom Bisaku, Dom Kurti dhe Dom Gashi (1930) e vlerësojnë midis 800.000 dhe 1 milion shqiptarë. Për vlerësimin e ulët të bazës demografike të shqiptarëve për gjysmën e parë të këtij shekulli, dëshmojnë edhe rezultatet e regjistrimit të vitit 1948, kur, përkundër shpërnguljeve masive në Turqi dhe Shqipëri, midis dy luftërave dhe pasojave të drejtpërdrejta (viktimat) dhe të tërthorta (shtyrja e martesave) të Luftës II Botërore, sipas Kombësisë në Kosovë u evidentuan 498.242 shqiptarë (68,5%), ndërsa në tërë ish-Jugosllavinë 750.431 shqiptarë, ka shkruar akademiku Islami. Sipas statistikave zyrtare serbo-jugosllave, regjistrimeve të popullsisë, megjithë manipulimet dhe spekulimet deri në vitin 1971, numri absolut dhe relativ i shqiptarëve në Kosovë, kryesisht në sajë të shtimit natyror, vazhdimisht është rritur.

Pas vitit 1981, pas demonstratave masive të shqiptarëve për barazi dhe pavarësi, nga qarqet reaksionare serbe dhe instancat politike serbo-jugosllave, doli teza tjetër edhe më absurde, që u përsërit edhe në mitingjet populliste dhe shoviniste serbe, se një numër i madh i shqiptarëve, 300.000 deri 400.000, kanë ardhur nga Shqipëria në Kosovë pas vitit 1941 dhe gjoja në sajë të këtij imigrimi shqiptarët paskan krijuar epërsi në strukturën etnike të Kosovës. Faktet flasin krejtësisht ndryshe: sipas regjistrimit të vitit 1981, nga bota e jashtme në Kosovë kishin ardhur 3.331 persona. Prej tyre nga Shqipëria kishin ardhur 1.543 veta, prej të cilëve në Kosovë (1986), sipas raporteve të policisë, jetonin gjithsej 704 veta. Prandaj, teza për numrin masiv të imigrantëve nga Shqipëria ishte në të vërtetë pjesë e një strategjie hegjemoniste serbe për spastrimin etnik të Kosovës, dëbimin jo vetëm të 300.000–400.000 shqiptarëve, por edhe të pasardhësve të tyre, e kjo praktikisht do të thotë të të gjithë shqiptarëve të Kosovës, si pati tentuar pushteti serb ta dëbojë popullsinë shqiptare gjatë viteve ‘98, ‘99. Ishte kjo një ëndërr e kahmotshme e të gjitha regjimeve serbe. Insistimi kaq i madh i qarqeve politike e shkencore serbe në tezat e përmendura, përkatësisht në “argumentin demografik”, kishte për qëllim që shqiptarët t’i paraqesë si “kolonizatorë” dhe “ndjekës” të serbëve dhe se vetëm serbët na e paskan “të drejtën historike” e në mbështetje të saj edhe “të drejtën aktuale” për të jetuar dhe qeverisur në Kosovë, kurse shqiptarët, si “të ardhur”, na qenkan të privuar nga këto të drejta historike dhe aktuale. Meqenëse janë të tillë shqiptarët, sipas qarqeve ekstreme dhe fashizoide serbe, siç janë p.sh., partitë politike të V.Sheshelit, të R.Arkanit, të M.Joviqit, të M.Paroshkit etj., shqiptarët, si “shtetas të huaj”, duhet të dëbohen nga Kosova me mjete dhe metoda gjenocidiale, ka shkruar atëherë dr.Islami.

Edhe sot manipulohet me numrin e shqiptarëve në Kosovë

Po ashtu, të themi haptazi se edhe sot ka manipulime me numrin e shqiptarëve të Kosovës. Të plotësojmë dr.Islamin, se ashtu si kemi reaguar disa herë në gazetën tonë, me një regjistrim fiktiv të popullsisë pas lufte, KFOR-i dhe UNHCR kanë dalë me shifra, sikur në Kosovën e gushtit të vitit 1999 banonin 1.3 milionë banorë, pastaj doli Enti i statistikave të Kosovës para një kohe, e tha sikur në Kosovë jetojnë më pak se dy milionë banorë, etj. Por dr.Islami ka mendim tjetër, se në Kosovë ka mbi dy milionë banorë, apo afër 2.5 milionë. Ja, edhe përbërja etnike e Kosovës atëherë, sipas dr.Islamit.

Shqiptarët në Kosovë, sipas tij, përbënin rreth 90% të popullsisë së gjithmbarshme; numri absolut i tyre atëherë ishte mëse 1.900.000. Shqiptarët shtriheshin dhe dominonin në të gjitha komunat e Kosovës. Nuk e popullonin vetëm territorin e komunës së Leposaviqit (me përjashtim të tri fshatrave, të cilat tërësisht banoheshin nga shqiptarët) dhe Kolashinin e Vjetër (pjesa perëndimore e komunës së Mitrovicës ose komuna më e re e Zubin Potokut), pastaj Gorën, pjesën më të madhe të Siriniqit dhe disa fshatra të komunës së Gjilanit, Dardanës, Lypjanit, Prishtinës dhe të Vitisë. Zona etnikisht të pastra shqiptare atëherë ishin pjesa qendrore e Kosovës, përkatësisht Drenica, Caraleva, pjesa dërrmuese e Rrafshit të Dukagjinit, siç janë trevat etnografike Rugova, Reka e Keqe, Dushkaja, Hasi, Podrima, Opoja, pastaj Shala e Bajgorës, Llapi, Gallapi, territoret e gjera të Anamoravës, Gryka e Kaçanikut, pjesët e Karadakut që shtrihen në Kosovë etj.

Shqiptarët atëherë kanë pasur nivel më të lartë të ruralizimit dhe më të ulët të urbanizimit. Në vitin 1961, p.sh., rreth 17% dhe më 1981 rreth 29% të tyre jetonin në qytete dhe kryesisht në periferi të tyre, nëpër shtëpi private, shpeshherë pa kushte të volitshme të jetës urbane, ka shkruar Islami për gjendjen demografike të Kosovës gjatë sundimit të Serbisë.

Serbët në Kosovë jetonin atëherë kryesisht në enklava. Si zona më të mëdha që i popullonin dallohej komuna e Leposaviqit, Kolashini i Vjetër (komuna e Zubin Potokut) dhe Zhupa e Siriniqit. Në enklava të vogla, në fshatra apo në pjesë të tyre, serbët i gjenim në pjesën e rrafshët dhe pjellore të rajonit të Kosovës, në rripin industrial-xehtar Mitrovicë-Prishtinë dhe në disa mjedise të tjera ekonomikisht më të zhvilluara dhe më të urbanizuara. Dr.Islami, atëherë ka shënuar se serbët dhe malazezët ishin të privilegjuar nga pushteti i Milosheviçit. Ai ka thënë se në qytetin e Prishtinës, p.sh., atëherë nga fondi i përgjithshëm i banesave shoqërore 38%, u përkisnin serbëve (ndaj 16% në popullsi), 11% malazezëve (ndaj 4% në popullsi) dhe pjesa tjetër, më tepër “jugosllavëve”.

Kosova sot ka afro 2.5 milionë banorë

Atëherë në Kosovë në numër të konsiderueshëm kanë jetuar edhe myslimanët. Numri i tyre në Kosovë ishte rreth 50.000 vetë. Rreth gjysma e tyre jetonin në komunën e Dragashit, përkatësisht në rajonin e Gorës, të cilët veten e quajnë goranë, por edhe popujt e tjerë ata i njohin me këtë emër. Pastaj shtriheshin në disa fshatra të komunës së Pejës, të Istogut, të Prizrenit (rajoni i Sredskës) dhe në qytete e seli komunale, por në numër të vogël. Para shpërthimit të luftës në B e H, ka shkruar Islami në këtë libër, sikurse edhe nga territoret e tjera të ish-Jugosllavisë, ashtu edhe nga Kosova, mjaft boshnjakë emigruan në B e H, madje, kryesisht në Sarajevë. Në fillim të viteve të ’70, një numër i konsiderueshëm i tyre kishte ardhur në Kosovë nga rajoni i Sanxhakut dhe nga disa vende të tjera të Malit të Zi. Meqenëse numri i turqve në Kosovë është shumë i vogël, nën 10.000 veta, shtrirja hapësinore e tyre ishte në atë kohë tepër e ngushtë. Më tepër jetonin në qytete, çfarë janë Prizreni, Prishtina, Mitrovica dhe Gjilani. Janë vetëm dy fshatra në Kosovë, që mbahen si turke, ku përqindja e turqve në numrin e përgjithshëm të popullsisë është dominante. Këto janë Mamusha në komunën e Prizrenit dhe Dobërçani në komunën e Gjilanit. Sipas regjistrimit të vitit 1961, rreth 40% të turqve të Kosovës i hasim jashtë qyteteve, në fshatra. Në fshatra ishin deklaruar si turq kryesisht shqiptarët, edhe pse nuk dinin as të flisnin turqisht. Këtë e bënin vetëm për t’u shpërngulur më lehtë në Turqi, sepse vetëm si turq mund të emigronin në këtë vend aziatik. Romët përpara kishin shtrirje më të gjerë në territorin e Kosovës. Jetonin edhe në fshatra, ku dominonte popullsia shqiptare. Në vitin 1971, p.sh., romët jetonin në rreth 90 vendbanime, madje më tepër në territoret e komunës së Prishtinës, të Lipjanit, të Kamenicës, të Gjilanit, të Ferizajt, të Istogut, të Pejës etj. Sot numri i tyre është zvogëluar mjaft në fshatra dhe kanë mbetur të koncentruar në qytete e qendra komunale dhe rreth tyre. Numri i përgjithshëm i romëve në Kosovën e asaj kohe, pra nga mesi i viteve ’90, shkruan Islami, ishte rreth 45.000 veta.

Pas lufte, kjo gjendje demografike e Kosovës sigurisht që ka ndryshuar dukshëm. Por, në esencë edhe numri i shqiptarëve që është manipuluar kështu nga propaganda serbe, është shtuar dukshëm. Madje, demografët tanë eminencë llogarisin se i ka afër 2.5 milionë banorë, shumica dërrmuese e të cilëve janë shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›