E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon edhe gjashtë muaj afat për hetimin e Fazlliçit



Tiranë - Pesë letërporositë që prokuroria ka dërguar në Qipro, Bosnjë, Zvicër, Londër dhe në Zagreb, kanë bërë që prokurorët të kërkojnë edhe më shumë kohë për mbylljen e hetimeve mbi biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Ky i fundit pritet të vijë në fillim të muajit shkurt për të dhënë shpjegimet e tij para prokurorëve, ndërsa nga ana e saj prokuroria ka administruar dhe të dhënat për firmën “Slovenia Petrol” me seli në Tiranë, ku Fazlliç rezultoi aksionar. Kjo ishte një firmë për të cilën prokuroria nuk kishte dijeni deri pak kohë më parë. Gjithsesi, Fazlliç do të hetohet kryesisht për evazionin fiskal dhe për mundësinë e implikimit të tij në tenderat me prokurim të drejtpërdrejtë të energjisë elektrike. Vetëm dy javë më parë, prokurorët e dosjes “Fazlliç” dërguan letërporosinë në Zagreb të Kroacisë, ku është regjistruar firma “Rudnap Energija d.o.o”, e cila është evidentuar në media si një kompani e krijuar nga firma qipriote “Altaria Research Limited”. Kjo e fundit ishte në epiqendër të skandalit dhe hetimeve për transaksionin e dyshimtë prej 1 milion e 700 mijë eurove që dyshohet se është kryer si një operacion i pastrimit të parave. Prokurorët kanë parashtruar në letërporosi sigurimin e të gjitha të dhënave të firmës. Prokuroria e Tiranës ka tërhequr pak ditë më parë të gjithë dokumentacionin që kjo firmë ka depozituar pranë Korporatës Elektroenergjetike, ku vetëm për vitin 2007 ka fituar 34 milionë euro tendera importimi energjie nga prokurimet e KESH-it. Gazeta “Albania” botoi ekskluzivisht lidhjen që firma qipriote “Altaria Research Limites” ka me degën e “Rudnap”-it në Zagreb. Firma qipriote “Altaria Research Limited” i bleu në Tiranë Damir Fazlliçit firmën “Croun Acquisitions”. Ky operacion i blerjes së firmës rezultoi i paligjshëm, ndërsa porsa Prokuroria nisi procedimin penal, Fazlliçi deklaroi se ia kishte shitur vetes. Pra dhe firma “Altaria Research Limited” ishte në pronësi të tij, sipas vetë Fazlliçit. Por sikurse tregon shpallja publike e Agjencisë së Regjistrimit të Kompanive rezulton se firma qipriote ka themeluar në Zagreb degën e “Rudnap Energija d.o.o”. Pikërisht kjo nyje e zbuluar nga “Albania” është bërë pjesë e hetimeve të Prokurorisë. Bosi i firmës serbe “Rudnap”, Vojin Lazareviç, në një nga intervistat e rralla të tij televizive është shprehur pa komplekse për lidhjet e tij me biznesmenë të inkriminuar të kohës së Millosheviçit. Madje, ai ka pohuar lidhjet me një nga biznesmenët më famëkëqinj, si Zhelko Raznatoviç, Arkani. “E pranoj që kam pasur biznese me të. Por nuk është se kam pasur ndonjë miqësi apo shoqëri me zotin Raznatoviç. Kemi qenë të zënë në bizneset tona dhe kemi pasur disa ortakëri. Vetëm kaq”, - është shprehur Lazareviç.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›