Studimi i Europolit, shqiptarët luajnë rol periferik në krimin e organizuar europian
Habjon Hasani
Tiranë - Një studim i agjencisë së zbatimit të ligjit të BE-së “Europol” ka nxjerrë të dhëna interesante lidhur me tiparet e kriminalitetit në vendet e Bashkimit Europian. Shqiptarët duket se kanë një rol periferik në “pjatën e miliardave” që qarkullon krimi i organizuar, ndërsa emigrantët tanë janë në vend të dytë përsa u takon krimeve më të lehta, siç janë vjedhjet, mashtrimet apo dhe vrasjet për motive të dobëta. Kampionët e të dhënave janë marrë në disa shtete, si Itali, Francë, Angli apo Belgjikë, ndërsa krahasimi i të dhënave në tërësi ka nxjerrë dhe rezultatet që i nevojiteshin Europolit. Statistikat më të zgjeruara i referohen kryesisht krimit që rëndom cilësohet si krimi “ordiner”, ku çuditërisht shqiptarët janë të dytët për nga numri i personave të implikuar, por jo për nga numri i krimeve të kryera. Gjithsesi, komuniteti më i përfshirë në BE për këto lloj krimesh është ai rumun, me 40. 7 për qind, i ndjekur nga shqiptarët me 33.3 për qind. Më tej vijnë marokenët me 10.5 për qind, të ndjekur nga kinezët me 4.4 për qind dhe tunizianët me 3.5 për qind, ndërsa komunitetet e tjera të emigrantëve duket se nuk i shqetësojnë shpesh forcat e sigurisë.
Siguria
Sipas studimit të Europolit, komunitetet e emigrantëve në Bashkimin Europian që prej katër vitesh kanë shënuar një rënie të dukshme të numrit të kriminalitetit. “Kryesisht ngelen aktivë eksponentë të grupeve dhe kontigjenteve që operojnë në shpërndarjen në terren të drogave dhe të shfrytëzimit të prostitucionit”, - shkruhet në raport. Në lidhje me trafikun e drogës në vendet e Bashkimit Europian, ky trafik i dedikohet më së shumti grupeve të mirëstrukturuara që kryesisht operojnë të organizuara në shtete si Turqia, Spanja, Italia dhe Holanda, ndërsa implikimi i kontigjenteve të emigrantëve në këto trafiqe është në nivele të ulëta. Ky raport i Europolit duket se hedh dritë mbi një të vërtetë realiste mbi rolin e komuniteteve të emigrantëve në botën e krimit, ndërsa për vite me radhë shumë raporte kanë pretenduar në mënyrë spektakolare dhe krejt të pabesueshme se shqiptarët ishin baronët e krimit të organizuar. Madje, ky pretendim është bërë dhe për vende si Italia, e cila është e mirënjohur për kontrollin absolut që mafia vendase luan në këto lloj trafiqesh.
Abuzimi
Në shumë raste, roli i eksponentëve të krimit shqiptar është fryrë aq shumë, saqë raporte zyrtare të institucioneve të specializuara kanë paraqitur shpesh herë shifra të pabesueshme. I tillë ka qenë raporti plot jehonë në vitin 2006 i Ministrisë së Brendshme Italiane që u jepte shqiptarëve një rol të dorës së parë në të gjitha llojet e trafiqeve. “Me kontrollin e trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore, por edhe me vjedhje me dhunë, janë grupet shqiptare që kanë fituar kryesimin e kriminalitetit të huaj në Itali. Por gjithmonë e më aktivë e prezentë po bëhen klanet kineze në shfrytëzimin e bashkëkombëseve në punën e zezë, në mbikëqyrjen e lojërave të fatit, të gjobave, të shpërndarjes së drogës dhe në grabitje; nigerianët dhe kolumbianët ende me drogën dhe shfrytëzimin e prostitutave. Disa grupe kanë bashkuar strukturat në modelin mafioz, tepër aktiv, në kontrollin e rrugës europiane dhe të tregut italian të trafikut të drogës e të qenieve njerëzore. Të tjerë janë më aktivë dhe të implikuar në shpërndarjen e drogës dhe krime të tjera. Karakteristikë e përbashkët është: të pahezituar në përdorimin e dhunës. Shqiptarët kanë krijuar lidhje strategjike me grupe mafioze ndërkombëtare, qofshin këto italianë, turq, kolumbianë, rusë dhe kinezë. Pjesa më e madhe e parave të pista vijnë dhe pastrohen në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e ndërtimit”, - shkruhej në këtë raport të Ministrisë së Brendshme italiane i cili, edhe pse zyrtar, nuk ofronte të dhëna konkrete që mund të bazonin këto pretendime mbi rolin e kriminalitetit shqiptar në Itali dhe më gjerë.
31 Janar 2009