Trafiku i organeve, Prokuroria e Romës hetime edhe në Shqipëri
Prokuroria e Romës po heton për trafikun e të miturve nga Shqipëria në Itali për transplantin e paligjshëm të organeve. Raportin për trafikun e qenieve njerëzore gjatë vitit të shkuar e ka hartuar Censis (Qendra e Studimeve Sociale). “Në vendin tonë, vitet e fundit kanë nisur hetime të magjistraturës për rastet e trafikut të të miturve, lidhur me trafikun ilegal të organeve”, - shkruhet në raportin e Censis, i publikuar dje në faqen online L'UNIONE SARDA.it. Një nga rastet më tipike është hapja e hetimeve nga doktor Adelchi d'Ippolito, i Prokurorisë së Romës, i cili po heton në Shqipëri për një trafik të mundshëm të minoreneve, që dyshohet se janë transferuar në Greqi dhe Itali për t’u shfrytëzuar për transplant të organeve. Trafiku duket se e implikon Italinë jo vetëm si vend tranzit, por edhe si destinacion final ku realizohen transplantet. Hetimet janë në një fazë të rëndësishme. Sipas të njëjtit raport theksohet se ka prova të transplanteve të qytetarëve italianë në vendet donatore. Në pjesën më të madhe të rasteve, kanë udhëtuar deri në Indi për transplantin, që deri në vitin 1994 në këtë vend shitja e organeve ka qenë legale. Alarmin për trafik organesh të të miturve në Itali e ka dhënë edhe ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, gjatë punimeve të asamblesë së përvitshme të UNICEF-it, të mbajtur në Romë. Ai ka deklaruar se shumë prej fëmijëve që mbërrijnë ilegalisht rezultojnë të zhdukur, duke lënë dyshime të forta për trafik të mundshëm organesh. Sipas ministrit, janë zbuluar edhe prova të trafikimit të organeve të fëmijëve emigrantë. “Një nga mënyrat më efikase që do të përdorim për të ndalur këtë fenomen është aktualizimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare të quajtur Prum, që do të mundësojë që edhe Italia të disponojë të dhënat e ADN-së dhe do të ketë lidhje dhe me vende të tjera europiane”, - ka thënë ministri.
31 Janar 2009