PS, Beqja: Qeveria po injoron deficitin tregtar
TIRANE- Partia Socialiste shpreh shqetësimin në lidhje me situatën e vështirë ekonomike të vendit, me rënien e eksporteve dhe të importeve si dhe me deficitin tregtar.
Duke iu referuar të dhënave të publikuara dje nga INSTAT vetëm gjatë muajit gusht 2009, eksportet e vendit tonë kanë rënë me 8% krahasuar me gushtin e vitit 2008. Muaji gusht ka shënuar një rënie akoma më të ndjeshme të eksporteve krahasuar me muajin korrik të po këtij viti, rënie e cila kap shifrën 26%.
Rënia e eksporteve janë dëshmi e situatës së vështirë ekonomike të vendit dhe e vuajnë më shumë sektori i tekstileve si dhe ai i mineraleve, tha sot në një prononcim për shtyp, deputeti socialist Ilir Beqja
“Në gusht të 2009, eksportet kanë mbuluar vetëm 21 % të importeve, duke shënuar mbulimin më të ulët në 8 muajt e parë të vitit. Në sektorin e ushqimeve, importet janë 10 herë më të larta se eksportet. Nëse do të vazhdohet me këtë ritëm deficiti tregtar do të jetë në nivelin më të ulët që prej vitit 2002.”- theksoi deputeti socialist. Beqja tha se situate ekonomike është më e vështirë se sa kishet paralajmëruar PS disa muaj më parë dhe “shumë larg rritjes ekonomike prej 5% që propagandon qeveria.”
Deputeti socialist fajësoi qeverinë Berisha për shpenzimet pa kriter gjatë fushatës elektorale si dhe injorimin e plotë nga qeveria e Sali Berishës dhe zëvendësit të tij Ilir Metës të kërkesave të fasonistëve dhe ndërtuesve.
“Këto vështirësi ekonomike, të paralajmëruara muaj më parë nga Partia Socialiste, janë thelluar edhe më tej si pasojë e shpenzimeve pa kriter të qeverisë Berisha gjatë fushatës elektorale, shpenzime të cilat zbrazën buxhetin e shtetit, me një qëllim të vetëm, atë elektoral. Në të njëjtën kohë, injorimi i plotë që qeveria e Sali Berishës dhe zëvendësit të tij Ilir Metës po i bëjnë kërkesave të përfaqësuesve të fasonistëve dhe ndërtuesve, të cilët sot përfaqësojnë sektorët më në krizë të ekonomisë shqiptare, është shenja më e qartë se kjo qeveri nuk ka as më të voglin interes për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare.”
(s.g/BalkanWeb)