E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti, dëbora shtyn tri ndeshje

Shtyhen tri ndeshje të Kategorisë së Parë, të cilat ishin
parashikuar për t‘u luajtur sot, sipas programit të javës së 23-
të. Shkak për këtë është bërë pikërisht moti i keq që ka goditur
Shqipërinë në 48 orët e fundit. Dëbora e bardhë ka "pushtuar" jo
vetëm zonat verilindore, por edhe ato juglindore, madje çrregullime
të mëdha nga shirat e shumta kanë pësuar edhe qytetet e pjesës
qendrore të vendit tonë. Sidoqoftë, përmbytjet e rrugëve në qytetet
kryesore të vendit duket se nuk i kanë bërë të papërdorshme
stadiumet në to. Por më e rëndë paraqitet gjendja në aksin
Pogradec-Ersekë, ku dëbora ka zbardhur fushat e futbollit. Në
këtë pjesë të vendit ishte parashikuar që të luheshin tri ndeshje:
Pogradeci-Naftëtari, Skënderbeu-Besëlidhja dhe Gramozi-Ada, të
cilat me një vendim të FSHF-së janë shtyrë. Duke parë vështirësitë
e mëdha edhe në akset rrugore të qyteteve në fjalë, FSHF-ja ka
marrë vendimin për t‘i shtyrë këto ndeshje në një datë tjetër, që
do të vendoset në ditët në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›