Moti i keq, Evropa në kaos nga përmbytjet dhe stuhitë e borës
Moti i keq dhe i ftohti ka mbërthyer rëndë Evropën, duke bllokuar rrugët dhe aeroportet të premten, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe duke gëzuar fëmijët, të cilët për shkak të dëborës do të bëjnë më shumë pushime, pasi shkollat do të qëndrojnë të mbyllura. Temperaturat e ulëta, të cilat janë nxitur nga një sistem Arktik i motit do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Bosnja-Hercegovina u bëri thirrje të premten autoriteteve evropiane dhe organizatave humanitare për ndihmë, për të lehtësuar pasojat e rrënimit të madh, të shkaktuar nga përmbytjet dhe kushtet e motit të keq të paparë kohët e fundit, i cili goditi vendin këto ditë. Dhjetëra fshatra janë përmbytur në Bosnjën Veriore dhe Verilindore, ndërsa ekipet e shpëtimit arritën të bëjnë evakuimin e popullsisë, në mënyrë të sigurt nga zonat e goditura. Stuhi të rënda kanë penguar transportin detar në brigjet e Greqisë. Të gjitha anijet për në ishullin e Kretës janë anuluar. Ka përmbytje në qytete të ndryshme. Edhe Italia nuk ka mbetur pas. Shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje në Italinë qendrore dhe jugore, dhe autoritetet në Romë po mbajnë në vëzhgim rritjen e nivelit të lumit Tiber. Italia veriore është mbuluar nga dëbora, ndërsa Venecia përballet me fenomenin e “ujit të lartë”. Ndërsa Britania po përjeton të ftohtin më të madh të 3 dekadave të fundit, të regjistruar gjatë natës, me minus 22.3 gradë Celsius në fshatin skocez, Altnaharra. Në Londër, tema e motit ka dominuar diskutimet e kabinetit qeveritar. Autoritetet britanike kanë përdorur deri tani aq shumë rërë gërryese në rrugët e akullta, sa që të premten rezervat e saj ishin drejt fundit, duke lënë mijëra rrugë dytësore dhe trotuare të patrajtuara, duke i kthyer ato në çarçafë akulli të zi. Në Gjermani një pjesë e mirë e vendit është paralizuar nga dëbora dhe ka kaos në trafik. Parashikuesit e motit paralajmërojnë stuhi të forta në Gjermani dhe uljen e temperaturave deri në minus 20 gradë celsius. Në Francë, dëbora ka mbuluar vendin nga Normandia në Marsejë në brigjet mesdhetare, me të paktën 30cm trashësi në pjesën jugore të vendit. Zyrtarët e lartë francezë i kanë këshilluar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos lëvizin me makinat e tyre, pasi mund të bllokohen. Stuhitë e dëborës kanë shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike në mijëra shtëpi. Dhjetëra fluturime janë ndërprerë nga Aeroporti i Marsejës. Edhe në Spanjë, pjesa më e madhe e vendit është zbardhur nga dëbora. Në rajonin e Katalonjës, me qendër në Barcelonë, dëbora bëri që të pezullohej mësimi në 72 shkolla që pas pushimeve të Krishtlindjes, duke siguruar kështu ditë të tjera pushim për 16,000 fëmijë. Ndërsa në pjesën veriore të Spanjës parashikohet që të ketë më shumë reshje dëbore, jugu i vendit po pëson përmbytje të rënda. Në Suedi, temperaturat kanë rënë në -38.7 gradë celcius, duke kërcënuar edhe furnizimin me energji elektrike të vendit. Dëbora e madhe në Republikën çeke e ka detyruar këtë vend të mbyllë dy pika të rëndësishme të kalimit të kamionëve, një me Gjermaninë dhe një me Sllovakinë. Ndërkohë Polonia është drejt përfundimit të rezervave të kripës së përdorur për rrugët. Zyrtarët e Aeroportit “Getuik” thanë se gjatë ditëve të fundit janë hequr nga pista rreth 18,000 tonë dëborë.Qindra viktima nga i ftohti në Evropë Përmbytjet dhe dëbora kanë shkaktuar edhe qindra viktima në disa vende të Evropës. Ndër ta, 122 njerëz kanë humbur jetën në Poloni, 22 në Britani, nëntë të pastrehë në Gjermani, 22 janë vrarë nga orteku në Alpet zvicerane dhe dhjetëra të tjerë në vende të tjera evropiane. Shumica e viktimave ishin të pastrehë ose të moshuar që nuk i kanë rezistuar dot temperaturave të ulëta.