Kuti dhe ujë
Edmond Arizaj Ujërat do të tërhiqen.Natyra do të qetësohet sërish. Banorët, të lodhur, të rraskapitur, të zhbërë nga pasuria e tyre do ta rimarrin veten. Shkodranët, lezhjanët dhe shqiptarët do të rinisin të marrin frymë më lirisht. Ushtria do të marrë bekimet ...policia urimet dhe mjekët përgëzimet, të harruara deri tani. Edhe qeverisë, gjithë kabinetit, të inatosur, apo të lumturuar me të, I duhet dhënë haku në momentin e qetësisë, për atë çka po bëjnë sot. Një falënderim i veçantë duhet regjistruar për gjithë ata që ndihmuan me aq sa mundën në ditën e fatkeqësisë. Gjithsesi në apel të fundit mungojnë disa. Krerët e opozitës, dashnorët e protestës së kutive. Me një larje duarsh për solidarizimin dhe dy numra llogarie, u kërkua balancimi i aq ditëve çakallizëm e hienizëm mbi katastrofën. Teksa gjithë vendi mbante frymën nga kjo gjëmë e paparë, zotërinjtë e nxinin situatën më shumë se retë, lëshonin mallkime e akuza më shumë se qielli shi e borë, shpërthenin në ah-e dhe uh-e më shumë se portat e hapura të hidrocentraleve. E, ende kur përmbytja bën punën e saj, ende kur natyra nuk i ka mbaruar vrullet qiellore, ende kur banorët jetojnë në kodra e pyje, zotërinjtë nxitojnë të taksin "kurbanët". Asnjë pikë shiu nuk i ka lagur, asnjë cifël balte nuk i ka spërkatur lustrafinat e tyre, asnjë vrushkull ere nuk u ka fërshëllyer në vesh, asnjë dallgë uji nuk u është përplasur te makina, por megjithatë kjo nuk i turpëron. Nuk ua thotë goja një falënderim për ata qindra ushtarë, policë, e mjekë, bij nënash e baballarësh, që po luftojnë prej ditësh me natyrën për të lehtësuar sa më shumë dëmet. Por vazhdojnë me "hallin" e protestave, kur do jenë, si do jenë, pse e shtymë. Nuk durojnë të mbarojë situata emergjente, por nxitojnë të fajësojnë, nxitojnë të anatemojnë, nxitojnë të përfitojnë kapital politik. Me çfarë statusi? çfarë po bëjnë, çfarë bënë këta zotërinj për të ndihmuar në këtë situatë? Mos vallë në apokalipsin ujor kërkuan mbledhjen urgjente jashtë radhe të Kuvendit? Në çfarë situate tjetër i duhen vendit në mos sot? Ku i shërbejnë më mirë qytetarëve, atyre që i kanë zgjedhur dhe atyre të tjerëve, në foltoret e konferencave, apo në sallën e ligjeve? Kur më shumë se sot, ata duhet të jenë në krah të qeverisë e të specialistëve, pa ndikuar aspak në acarimin e mëtejshëm të situatës, qoftë edhe me kërkesë përgjegjësish? A do të kenë ata nesër moralin të kërkojnë llogari? Ndihma për situatën ishte shtyrja e protestës?! Nga do ta kërkojnë llogarinë? Nga podiumi i mitingut të radhës, apo nga Komisioni Hetimor parlamentar? Në këtë katastrofë e në postkatastrofë, qoftë edhe për të nxjerrë përgjegjës nëse ka, të parët duhet të jenë specialistët, politika duhet të dëgjojë. Sa specialistë nxorën mbi tavolinë zotërinjtë me planet e gatshme që parashikonin derdhjen e qiellit? Kur nuk bën asgjë, as punën tënde, në gjendjen më të rëndë natyrore që ka parë ndonjëherë vendi, më mirë hesht. Të paktën kjo do të ishte puna më e mirë. Vendit nuk i është dashur kurrë më shumë se sot, qetësimi dhe bashkëpunimi. Sot, ndryshe nga "atëherë" është koha t'i rrihen shpatullat Kryeministrit në shenjën e solidaritetit. Lejojini deputetët tuaj të bëjnë punën e tyre, aty ku e kanë vendin, për të mos u sjellë në ditën e qametit si qytetarë të pafuqishëm. Lejojini deputetët të propozojnë, të jenë pjesëtarë të grupeve të punës. Lejojini të kenë sadopak vlerë në ditën kur duhen më shumë. Situata nuk qetësohet me mbylljen e portave. Janë mijëra banorë që kërkojnë strehë, kërkojnë ushqim, kërkojnë mjekim. Janë mijëra hektarë tokë që duhen rikthyer në gjendjen e mëparshme. Janë qindra shtëpi që duhen rregulluar. Janë dhjetëra kilometra rrugë që duhen zhbllokuar. çdo familje e prekur është një katastrofë më vete. Shteti është në këmbë, qytetarët janë zgjuar, mijërat e njerëzve të 20 nëntorit janë solidarizuar. Po ju zotërinj ku jeni? "Ku ishe zotrote bej efendi, kur unë luftoja për Shqipëri"? Nëse do të vijoni të fërkoni duart poshtë tavolinës, ky varg do të mjaftojë për t'u kthyer përgjigje kur ju të cijasni për përgjegjësit. Jeni sa gishtat e dorës, por dëmi që po shkaktoni mund të barabitet me të tre hidrocentralet bashkë. Dilni nga kutitë zotërinj, mos hyni në ujë, por të paktën vozitni mbi të.