E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Digat u certifikuan nga një kompani ndërkombëtare

 Redi GjuziDigat e kaskadës së Drinit janë certifikuar në janar të vitit 2009 nga një kompani e huaj. Nuk ka asnjë vend për panik. Në një intervistë të dhënë për gazetën, Ministri i Energjetikës, Prifti, tregon situatën në hidrocentrale, dhe i përgjigjet akuzave të opozitës. Sipas tij, komisioni për menaxhimin e kaskadës është ngritur që në 8 nëntor 2009. Që para festave të fundvitit, fjala katastrofë, është përmendur përditë e më shumë nga qeveria shqiptare. Realisht, sa katastrofike është situata? A është pjesë e katastrofës edhe çarja e digave?Unë nuk e përdor këtë fjalë, sepse nga natyra nuk i ekzagjeroj gjërat. Sigurisht që ka pasur një egërsim të natyrës me formën e daljes së detit drejt tokës, të shirave dhe borës së furishme, të cilat kanë sjellë përmbytje të rreth 10,000 ha toke dhe një pjesë të zonave të banuara. Për ata që po e heqin në kurriz të tyre këtë përmbytje është shumë e vështirë, sepse po vuajnë largime nga shtëpia, rreziqe të ndryshme, mungesa e privime fizike. Përveç pjesës së dëmtimeve dhe pasojave të përmbytjes, për mua, asgjë nuk është katastrofike.  Deri tani qeveria ka bërë maksimalen për të evituar humbje jetësh njerëzore. Menaxhimi i kaskadës së Drinit është bërë në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme nga specialistët tanë. Gjendja e digave tona është tepër e sigurt. Nuk ka asnjë element faktik, që të na çoje nëpër mendje një situatë katastrofe. Digat dhe hidrocentralet tona mirëmbahen në mënyre periodike. KESH ka paguar kompani dhe specialistë nga më të mirët në botë për të studiuar gjendjen e digave tona dhe studimet nxjerrin një gjendje të shëndoshë dhe të lartë sigurie për digat. Ne janar 2009 i është dorëzuar KESH dhe METE nga kompania prestigjioze POYRY ENERGY LTD një studim me shumë volume që tregon me detaje gjendjen e sigurisë së digave tona. Fatkeqësisht, një pjesë e mediave kanë përhapur panik në popullatë duke folur për katastrofë të pritshme. Kjo është e gabuar.  Unë garantoj çdo shqiptar se asnjë katastrofë nuk i vjen Shqipërisë nga hidrocentralet dhe digat tona. Të gjitha janë studiuar, të gjitha janë testuar dhe provuar. çdo gjë është e sigurt.Kush do jenë zonat më të prekura në rastin e një  katastrofe?Nuk do ketë asnjë katastrofë. Katastrofa nuk vjen nga niveli i Fierzës 292 apo dhe 296m. Ky nivel është normal ne disa muaj të vitit.  Ky nivel është përsëritur herë pas here në 7 vjet nga një analizë e 15 viteve të fundit.  KESH ka eksperiencë të plotë për ta menaxhuar këtë situatë pa asnjë rrezik. Sa për kuriozitet, po i them gjithë shqiptareve që diga e Fierzës kërkon nivel uji mbi 312 m që uji të dalë mbi digë dhe ta dëmtojë atë.  Ky nivel nuk vjen asnjëherë në 100,000 vjet. Paniku i përhapur është dashakeq, bëhet nga opozita e vjetër apo nga elementë destruktivë që kërkojnë shkatërrim dhe frikë. Qeveria është mobilizuar si kurrë ndonjëherë për të ndihmuar zonat e përmbytura dhe po i ndihmon në mënyrë shembullore. Ky është dëmi më i madh që ka ardhur nga reshjet, dhe asgjë tjetër më keq se kaq nuk mund të ndodhë.Pse nuk është menaxhuar gjatë muajve të mëparshëm situata në hidrocentralet e Drinit? Sa ka qenë niveli i tyre gjatë nëntorit dhe dhjetorit?Situata është menaxhuar shumë mirë në gjithë muajt e vitit.  E përsëris që akuzat janë thjesht politike, drejtuar kundër një qeverie që ka popullaritet dhe mbështetje të jashtëzakonshme në popull, dhe që punon me përkushtim të madh për të zhvilluar dhe integruar vendin.  Niveli i ujit në Fierzë ka arritur në 285m në 9 nëntor 2009. Rregullorja e vjetër (viti 1988) e shkarkimit të plotave të kaskades se Drinit thotë që në këtë nivel, ministri duhet të ngrejë një komision për të menaxhuar situatën. Unë për fat e kam ngritur këtë komision në datën 8 nëntor 2009, kur kuota ishte akoma 284.6 metra. Pastaj Rregullorja thotë që në kuotën e Fierzës relative 290m, komisioni mund të gjykojë të fillojë shkarkimet nga kaskada. Kjo kuotë erdhi në 27 Dhjetor 2009.  Unë përsëri një ditë më parë dola në konferencë shtypi dhe paralajmërova fillimin e shkarkimeve dhe mundësinë e përmbytjeve. Njoftova me shkrim kabinetin e Kryeministrit, Ministrin e Brendshëm, të Mbrojtjes, të Bujqësisë, të Punëve Publike.  Shkarkimet kanë filluar menjëherë në datë 27 Dhjetor 2009 nga Komani dhe Vau Dejës.  Në Fierzë filluam të shkarkojmë pak ditë me vonë, sepse shkarkimet në Fierzë bëhen duke liruar vend në liqenet e Komanit dhe Vaut të Dejës, që janë më poshtë rrjedhës së Drinit.  Mbasi qeveria, edhe me kërkesën time, shpalli Komitetin Ndërministror të përballimit të përmbytjeve në Shkodër, unë përsëri nxora urdhër të brendshëm për të zbatuar ligjin e emergjencave civile.  I dhashë këto informacione për t’i treguar atyre që duan dorëheqjen time, që jo vetëm në pune nuk më kapin dot gabim, sepse nuk gaboj, por edhe me shkresa nuk më kapin dot.  Po i kujtoj që kam mbaruar Universitetin më të mirë në botë, Universitetin e Harvardit në SHBA. Kam qenë dhe herë tjetër Ministër Energjetike dhe jam përballur me kontrolle, hetime dhe investigime më shumë se çdo politikan tjetër në vend.  Shpifja dhe balta e opozitës nuk më bëjnë asnjë përshtypje. Nga Ministria që drejtoj unë do ketë vetëm punë shembullore në zbatim të programit të qeverisë, përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e detyrave.  Unë nuk përkulem përpara vështirësive. Kam bindjen që me punë dhe me ndihmën e Zotit këto vështirësi do kalojnë shpejt për gjithë shqiptarët.A janë në funksionim të gjithë portat shkarkuese në Fierzë dhe Koman? Në rast se po, pse nuk hapen të gjitha?Të gjitha portat në Fierze, Koman apo Vau Dejës janë në gjendje pune. Për momentin nuk ka qenë akoma e nevojshme të hapen të gjitha, por unë e theksoj që të gjitha janë në gjendje pune dhe do të përdoren nëse do jetë e nevojshme.çfarë ndodh në rast se prurjet janë më të shumta se shkarkimet e ujit nga prodhimi dhe hapja e portave? A rrezikohet edhe shkatërrimi i hidrocentraleve?Prurjet kanë qenë më të mëdha se shkarkimet në mijëra raste në hidrocentralet tona. Rrezik është nëse prurjet janë më të mëdha se shkarkimet për shumë ditë me radhë. Kjo është llogaritur me kujdes nga projektuesit e nderuar të kaskadës së Drinit dhe janë të gjitha mundësitë që me shkarkime të programuara në nivele të caktuara kuotash ne mos të kemi asnjëherë asnjë rrezik për kalim prurjesh mbi digë. Llogaritë janë bërë me garanci për të përballuar plota maksimale që mund të vijnë një herë në 10,000 vjet.Ka një akuzë të përsëritur nga opozita, që tejmbushja e liqeneve është bërë në një kohë kur qeveria po importonte energji elektrike? A ka aktualisht kontrata importi qeveria apo KESH?Kjo akuzë është bërë bajate. Unë flas me përgjegjësi ligjore, politike dhe morale që KESH apo qeveria nuk importojnë energji elektrike që mbas privatizimit të OSSH-së në qershor 2009. Që atëherë importin e bën CEZ (OSSH private) me paratë e veta. Akuzat janë shpifje të pamoralshme.A i keni bërë ofertë OSSH-së që energjinë që importohet, ta zëvendësoni me energjinë që po prodhohet nga hidrocentralet?Po, i kemi kërkuar të ulë importin nga jashtë dhe të furnizohet nga KESH. OSSH ka ulur importin e saj rreth 30%, aq sa e lejojnë kontratat afatgjata që ka lidhur me kompanitë e huaja për import. Anulimi i kontratave ka penalitete për OSSH dhe ato nuk mund të pezullohen brenda ditës. Megjithatë ajo që ka rëndësi është që KESH prodhon me kapacitet të plotë dhe eksporton mbi 10 milion kv/orë në ditë. Pak rëndësi ka nëse energjinë e blen OSSH apo dikush tjetër. Rëndësi ka që prodhohet maksimalisht.çdo e keqe e ka një të mirë. Të paktën nga superprodhimi i energjisë, sa po fiton KESh dhe qeveria shqiptare? Cili është çmimi i shitjes?Nga informacionet që marr nga KESH del që energjia shitet me çmim “burse greke – 2.6%” nga jugu sepse kapacitetet e linjave janë tonat, kurse nga veriu “burse greke – 7.6%” sepse paguajmë linjat e të tjerëve. Nga 10 milion kv/orë në ditë merret teorikisht rreth 500,000 euro në ditë, por në fakt gjysma e kësaj energjie nuk shitet, por shkëmbehet me Kosovën. Kosova na e kthen në verë kur nuk kemi shumë ujë në hidrocentrale. Po të heqësh kostot, me një analizë të trashë fitohet mbase 50,000 deri 100,000 euro në ditë nga KESH. Një pjesë e madhe e këtyre të ardhurave, mbase të gjitha, do përdoren për të dëmshpërblyer njerëzit që janë përmbytur në Shkodër dhe rrethina.Dhe një pyetje të fundit. Keni qenë drejtori i KESH dhe Ministër Energjetike gjatë viteve 2000, kur Shqipëria kaloi një krizë energjetike nga thatësira. Në atë kohë, niveli i liqeneve në Fierzë arriti deri në 6 metra larg pikës së mbylljes. Sot jeni ministër në një situatë krejt të kundërt. Duket si shaka e fatit?Kur ishte thatësirë në 2001, Fatos Nano më akuzonte se bëja korrupsion në bashkëpunim me Zotin që s’më sillte reshje, që unë të bëja para me importin. Tani Edi Rama më akuzon se po bëj përsëri korrupsion në Zotin që më ka sjellë reshje me tepricë, dhe unë përsëri bëj import. Historia është sa tragjike dhe komike. Nëse do të zgjidhja mes situatës në 2001 dhe asaj tani në 2010, pa asnjë hezitim do zgjidhja 2001, sepse atëherë nuk kishte përmbytje. Kishte kufizime energjie deri 12 orë në ditë, por nuk kishte përmbytje. Vizita në zonat e përmbytura më dha shumë trishtim. Kurse kufizimet e planifikuara të energjisë elektrike Shqipëria i ka harruar prej mbi 2 vjetësh. Kemi bërë aq shumë hapa përpara me investimet në energjetikë, sa mu duk si përrallë kur shikoja në Shkodër shtëpitë të zhytura 2 metër në ujë dhe në dritare llamburiste drita elektrike. Rrjeti elektrik në Shkodër në 2001 ishte i tmerrshëm. Ne ndërtuam 2 nënstacione të reja, shtrim rrjet elektrik te ri dhe tani këto investime rezistojnë dhe kur janë mbuluar 2 metër me ujë.është folur me Maqedoninë që mos të hapen portat e Ohrit?Po unë kam i bërë letër zyrtare Ministrit të Energjetikes së Maqedonisë për të minimizuar shkarkimet nga liqeni i Ohrit, por edhe atje ka shume reshje, dhe ata kanë vështirësitë e tyre.  Kam komunikuar me Ministrin e Energjetikës së Malit të Zi për situatën tonë, me Kryetarin e Bashkisë së Ulqinit dhe pastaj me gjithë trupin diplomatik në vend. Kemi një rakordim shumë të mirë punësh me fqinjët dhe të huajt.Po këshilltari i Berluskonit për digat çfarë mendimi ka për situatën?Ai gjykon se situata është kritike, por jo dramatike. Situata kritike është për emergjencën civile të njerëzve dhe pronave të përmbytura, kurse situata e digave është e sigurt dhe prurjet të menaxhueshme. Ditën e hënë, për të kënaqur edhe skeptikët, vjen nga Italia një grup ekspertësh që do bashkëmenaxhojnë me KESH kaskadën e Drinit deri në përfundim të dimrit. Ekspertët italianë do kontrollojnë dhe certifikojnë çdo veprim të dispeçerave tanë. Ata do përdorin pajisje moderne, deri dhe imazhe satelitore për të parashikuar prirjet dhe manovruar prodhimin dhe shkarkimin e kaskadës. Ndihma e Italisë në këtë çast është e çmuar, dhe mirënjohja jonë është e madhe.OSSH: "Tenderi i importit, 10-ditëshin e ardhshëm"Kreu u OSSH, Josef Hejsek, deklaroi dje se në 10-ditëshin e ardhshëm do të zhvillohet një tender për blerjen e energjisë dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të ketë përparësi.  Sipas çekut të CEZ Group, importi më parë është bërë nga kompani të tjera, sepse çmimi që ofronte KESH ishte më i lartë, por këtë herë oferta do të merret parasysh. Përveç kësaj Hejsek foli edhe lidhur me situatën emergjente në vend. Ai tha se është stakuar energjia elektrike në dhjetëra stacione, të cilat janë të vendosur në zonën e përmbytur dhe ku prezenca e energjisë do të vinte në rrezik jetët e njerëzve që jetojnë aty. Si rezultat i kësaj, shumë familje kanë mbetur pa energji elektrike. OSSH ka dhënë gjithashtu detaje për rrezikun që i kanoset banorëve të Shkodrës, nëse niveli i ujit në nënstacionin e Dajçit rritet edhe me 5 centimetra. Kjo situatë, do të çonte në stakimin e këtij nënstacioni, çka do të çonte numrin e banorëve pa energji në disa mijë. Por drejtori i OSSH ka siguruar se janë ngritur grupe shërbimi 24 orë në drejtorinë e zonës, për të përballuar vështirësitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›