Nuk kemi kohë për të humbur!
Dena Grillo "U Donih Gjoni, biri hi Bdek Buzukut,tue u kujtuom shumë herë se gluha jonëh,nukë kish gjaa të endigluom ensëh shkruomit shenjtë, ensëh dashunit sëh botësë sanëh, desha me u fëdigunëh për saa mujtah meh ditunëh, meh zdritunë pak mendetë e atyneh qi t'eh endiglonjinëh…"Një mesazh i lashtë vjen për ne shqiptarët, nga njëri prej gjakut tonë, Gjon Buzukut, në dokumentin e hershëm të shkrimit shqip, Mesharit. Po e sjell në fillim të shkrimit për mesazhin më se aktual që përcjell për dije e kulturë. është një nevojë e përhershme dhe e domosdoshme për progres e qytetërim. është aktual për shkak të deformimeve që ka shfaqur procesi demokratik në Shqipëri, është i vlefshëm për zotërimin efektiv të demokracisë. Mesazhi i Buzukut është një thirrje për obligim qytetar, për qeverisësit e të qeverisurit në vendin tonë, është një thirrje që i drejtohet të gjitha forcave politike. Neglizhimi i kësaj nevoje e spontaniteti, në të shumtën e rasteve i ka hapur rrugë mediokritetit, sharlatanizmit, arrogancës, vulgaritetit e edukatës së ulët të komunikimit mes vetë politikanëve, marrëdhënieve me paragjykime e mosbesim mes tyre e të qeverisurve. Për të mos u zgjatur, ndihet një nevojë e mprehtë për kulturë demokratike, për të dyja palët. Ndihet nevojë për dije e shprehi demokratike, për ushtrim demokratik, për harmonizimin e tyre në veprimtarinë praktike.Cilësia e qeverisjes përcaktohet në një masë të konsiderueshme nga niveli i aftësimit kulturor të dy elementëve kryesorë të ushtrimit të demokracisë: të qeverisësve dhe të qeverisurve. Kjo e vërtetë i përket çdo forme e procesi demokratik, por merr një rëndësi të veçantë, përbën një problematikë specifike dhe kërkon përpjekje serioze për demokracitë e reja, që erdhën në jetë si pjesë e procesit të kalimit nga diktatura komuniste në demokracinë pluraliste. Rasti shqiptar është një objekt tepër interesant studimi, i cili shfaq veçori, dukuri e probleme që po e mbajnë për një kohë të gjatë të rrezikuar demokracinë shqiptare.Abraham Lincoln, Presidenti i shquar i SHBA, ka dhënë një përkufizim për qeverisjen e demokracisë liberale si "government of, by, and, for the people" (qeveri e popullit, për dhe me popullin). Ende sot ky përkufizim konsiderohet si më i ploti, në lidhje me çështjen e qeverisësve dhe të qeverisurve. Dhe, siç dihet, legjitimiteti i qeverisjes së demokracisë realizohet me pëlqimin e të qeverisurve. Elektorati masiv vendos se kush do të qeverisë dhe po ky elektorat gëzon të drejtën legjitime të kontrollojë e të vlerësojë përgjegjshmërinë e atyre që qeverisin, nëpërmjet zgjedhjeve të rregullta e periodike. Por në praktikë formohen marrëdhënie me ngarkesa të dukshme jo demokratike, të deformuara, edhe pse institucionet janë demokratike dhe legjislacioni është po ashtu demokratik. Në shfaqjen e këtij kompleksiteti elementësh jo demokratikë, ndikojnë shumë faktorë e interesa. Dihet që në politikë ka një etje për pushtet, e cila dëmton cilësinë e demokracisë. Kjo për faktin se te pushteti ekziston mundësia, që për interesa egoiste të nxitet një marrëdhënie konfliktuale, që mund të çojë në ndarjen e shoqërisë në zotërues e të zotëruar. Pra në një farë mënyre pranohet mundësia e ligjërimit të dhunës. Ka një dhunë që vjen nga pasionet, por edhe një dhunë që vjen nga arsyeja. Ngjarjet kanë treguar që në emër të arsyes revolucionare, në shoqëritë totalitariste u kryen krime të rënda e privime të skajshme të lirive e të drejtave të njeriut. Në emër të diktaturës së proletariatit justifikohej moralisht e juridikisht dhuna e ndjeshme në shoqëri. Kjo dhunë bëhet më e rrezikshme për demokracinë, kur shoqërohet me përhapje të gjerë të korrupsionit e kapje të shtetit nga krimi. Por, dhuna fiton terren edhe kur vërehet një tërheqje dore "kolektive" nga pjesëmarrja në politikë e në procesin demokratik. Kjo sjell një lloj robërie vullnetare apo një nënshtrim fatal ndaj dhunës. Politika dhe demokracia janë edhe pjesëmarrje, edhe çështje komunikimi. Anëtarët e shoqërisë nuk lejojnë as teknicienët e as burokracinë e korruptuar të drejtojnë politikën, duke shmangur të qeverisurit. Përmes pjesëmarrjes e komunikimit, përmes diskutimit e tërheqjes së mendimit të të qeverisurve, turma shndërrohet në publik.Që prej vitit 1871, vit në të cilin u përdor për herë të parë termi "opinion publik" nga Habermas, u arrit një shndërrim rrënjësor në komunikimin politik, ndërmjet organizmave qeverisëse dhe të të qeverisurve, duke përfshirë vlerësimin, komentin, kritikën, debatin dhe aksionin konkret si "pronë publike". Por për sa i përket opinionit publik në Shqipëri, konstatohet se nuk ekziston një sistem politik perfekt për të gjithë masën e gjerë. Sigurisht që parapëlqimet dhe bindjet do të jenë të ndryshme e të shumëllojshme. çështja është si bashkëpunojnë qeverisësit me të qeverisurit? Në realitetin shqiptar dukuria më e dallueshme është se nuk ka harmonizim të plotë demokratik në marrëdhëniet politikan - qytetar. Realiteti ynë dëshmon për marrëdhënie fragmentare mes politikanit e qytetarit. Në të vërtetë është një marrëdhënie më shumë nga lart poshtë, sesa dialog e bashkëpunim, ka pak ose aspak tërheqje mendimi në procesin e përgatitjes së ligjeve, ka më shumë premtime të fryra paraelektorale dhe pak llogaridhënie. Kjo ka dobësuar besimin e shoqërisë ndaj ligjvënësve e politikanëve. Kështu, edhe në sistemet demokratike ka të tilla dukuri, ku disa janë të etur për ndarje e grindje e që i bëjnë pritë progresit të shoqërisë, por ka dhe nga ata që dorëzohen e humbin shpresën e besimin për të ardhmen demokratike të vendit, të cilët i gjejmë në formën e pohimeve fatalistë "ky vend nuk bëhet", sepse "ne shqiptarët nuk qytetërohemi kurrë". Gjithashtu hasim edhe skeptikë kundrejt ndryshimit e progresit demokratik. Mes nesh ka interesa që na ndajnë, por ka dhe interesa që na bashkojnë. Të gjithë ne e ndajmë së bashku vendin tonë për një periudhë të caktuar të jetës, prandaj pjesëmarrja, dialogu e bashkëpunimi janë të domosdoshëm. Procesi demokratik nuk është një dukuri spontane, por një sistem i organizuar, i qëllimtë e mbi të gjitha i ndriçuar. Demokracia, ndër të tjera, është një sistem rregullash. është përgjegjësi e plotë e politikanëve të luajnë sipas rregullave të caktuar, në bazë të të cilëve ata të hartojnë edhe planet apo strategjitë afatgjata, për një politikë largpamëse e për një demokraci të konsoliduar, në shërbim të popullit dhe jo të interesave katërmurëshe partiake. Ndonëse ka përparuar ndjeshëm mënyra e të konceptuarit të shumë dukurive, fjalori politik sot lë për të dëshiruar. Janë të paktë modelet "demokratikë" që mund të gjejmë në miksazhin e politikanëve shqiptarë. Një nga problemet kryesore të kësaj dukurie është fakti se shumë politikanë nuk paraqiten në publik me mendimin e tyre të lirë dhe mund të pohojmë me bindje se mungon (ose ka frikë të shfaqet) modeli i të menduarit "ndryshe". Një pjesë e tyre nuk dinë, një pjesë tjetër nuk duan, dhe fatkeqësisht një pjesë tjetër as nuk dinë e as nuk duan. Qëndron jashtë çdo lloj paragjykimi pjesa e atyre që nuk dinë. Nga ana tjetër, politikanët e rinj po përpiqen të sjellin formate të reja e të integrojnë platforma të ndërtuara mirë. Edhe pse shumë prej tyre mbeten zëra në minorancë, mund të jenë premtues për të ardhmen. Shqetësuese është mungesa e standardeve të përzgjedhjes së politikanëve të rinj dhe negative është dukuria e përshtatjes së tyre me nivelin aktual të komunikimit politik dhe në veprimtaritë politike në tërësi. Pjesa e politikanëve që nuk duan është e dhimbshme, madje deri diku e rrezikshme. Këta politikanë kanë vendosur një sërë standardesh jetese dhe e kanë parë (e shohin) politikën si një parcelë përfitimesh e jo kontributesh. Një pjesë e konsiderueshme politikanësh janë ata që as nuk dinë e as nuk duan. Ata bëhen automatikisht pjesë e regresit dhe jo e progresit, duke qenë të bindur në protagonizmin e tyre të dijeve.Një tjetër problem madhor është mungesa e kohës që i atribuohet procesit të kalimit nga zgjedhja në zgjidhje. Ideve të mira nuk u jepet koha e duhur për realizim. Analiza që u bëhet problematikave të ndryshme dhe koha që u vendoset në dispozicion për zgjidhje është e pamjaftueshme, e si rrjedhojë, nuk kontribuon në standardizimin e jetës. Nga ana tjetër, për të realizuar idetë nevojiten mekanizmat. Nga momenti që këto mekanizma janë të deformuar, apo mungojnë tërësisht, nuk mund të flitet për realizime konkrete. Procesi i politikëbërjes demokratike ndërgjegjësohet kur ngrihen strukturat dhe mekanizmat e dijes, si dhe ato të aftësimit praktik demokratik. Demokracia është një ushtrim i mbështetur në dije. Cilësia e saj varet nga fakti se ç'peshë zë në këtë marrëdhënie dituria, dija demokratike, kultura demokratike. Kjo për faktin se nuk mjafton vendosja e institucioneve e mekanizmave të demokracisë, por rëndësi të veçantë ka fakti se si i njohin dhe i vlerësojnë ato qytetarët. Në Shqipëri ka një mangësi të kulturës politike të kultivuar dhe ky është fakt. Kjo është një e vërtetë fatkeqësisht për të dyja palët, por shqetësimi më i madh është se nuk ka shenja ndërgjegjësimi të mjaftueshëm për këtë mangësi nga politika në tërësi dhe nga shoqëria civile. Nuk kemi kohë për të humbur. Kërkohet reflektim sa më i shpejtë, përgjegjshmëri për korrigjim dhe moral. Politika e do moralin, por fatkeqësisht ajo shpesh trajtohet si një gozhdë për të varur xhaketën.