Përmbytjet, përtej politikës së ditës
Musa Ulqini Pamjet e këtyre ditëve nga zonat e përmbytura janë vërtet alarmuese. Pas shirave të shumtë dhe daljes së lumenjvenga shtrati, me mijëra hektarë tokë e shtëpi vazhdojnë të jenë të përmbytura. Për banorët, të cilët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre vitet e fundit në brigjet e Bunës, Drinit, Kirit, Gjadrit, Matit, përmbytjet e këtyre ditëve kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme. E njëjta histori pak a shumë përsëritet vitet e fundit në të gjitha zonat e banuara fushore, pranë lumenjve kryesorë të vendit. Pa dashur aspak të shmang përgjegjësitë e qeverive shqiptare, që në këto 20 vjet kanë bërë aq pak për të parandaluar përmbytje të tilla, përmes masave të gjithanshme që lidhen me hidrovoret, argjinaturat, thellimin e kanaleve kulluese, monitorimin më të mirë të ujëmbledhësve të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit etj, etj, një pyetje mbetet pa përgjigje: Si është e mundur që ndërtohet pikërisht aty ku nuk duhet ndërtuar, aty ku përmbytja është një rrezik i përhershëm?! Si është e mundur të ndërtohet aty ku të parët tanë nuk ndërtuan asnjëherë, edhe kur shteti ishte inekzistent?!II.Që nga viti 1991 në Shqipëri kanë ndodhur mbi 13,000 aksidente automobilistike, ku kanë humbur jetën rreth 6000 qytetarë, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur, shumë prej të cilëve me pasoja të rënda. Vetëm vitin që lamë pas humbën jetën në aksidente automobilistike më shumë se 360 qytetarë. Aksidentet në Shqipëri janë 3,5 herë më të larta se në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore. Nga të dhënat rezulton se aksidentet automobilistike janë sot një nga "vrasësit" kryesorë të shqiptarëve. Aksidentet janë të pranishme kudo, jo vetëm në rrugë jashtë standardeve, por edhe në autostrada, jo vetëm në periferi, por edhe në mes të Bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Emëruesi i përbashkët në njoftimet e policisë për ngjarje të tilla është moszbatimi i ligjit nga drejtuesit e automjeteve dhe pakujdesia e qytetarëve. III.Në një kronikë të transmetuar në mbrëmjen e 6 janarit në edicionet e lajmeve në një televizion kombëtar, një korrespondent nga Shkupi informonte si më poshtë vijon: "Më 1 janar hyri në fuqi ligji për ndalimin e duhanit në mjediset publike në Republikën e Maqedonisë. Deri në këto momente nuk është vërejtur as edhe një rast i shkeljes së këtij ligji në tërë territorin e Republikës. Inspektorati shtetëror i luftës kundër duhanit informon se për këtë arsye nuk është vënë as edhe një gjobë, si ndëshkim për shkeljen e ligjit".Kjo kronikë e shkurtër më solli në mendje faktin se i njëjti ligj ka hyrë në fuqi edhe në Republikën e Shqipërisë, që më 27 maj 2007. është padyshim ligji më i shpërfillur nga të gjithë, edhe pse duhani është sot "vrasësi" më i madh në Shqipëri. Të dhënat e publikuara nga OJF të ndryshme bëjnë me dije se qëkur ligji ka hyrë në fuqi, pirja e duhanit është rritur në masën 30 për qind në moshat e reja, kryesisht te femrat. Asnjë përparim nuk ka sjellë ky ligj në betejën me duhanin, edhe pse në Shqipëri ka një inspektorat shtetëror si garant i zbatimit të ligjit, edhe pse gjobat e vëna ndaj pronarëve janë të konsiderueshme. IV. Pa dyshim që në tre rastet mund të gjenden argumente të shumtë për të fajësuar qeveritë dhe politikën. Politikanët, qeveritë, shteti, kanë instrumente të shumtë me të cilat mund dhe duhet të ndikojnë më shumë, jo thjesht në forcimin e shtetit të së drejtës, por në mënyrë të veçantë në krijimin e një kulture të re qytetare. E megjithatë, përtej politizimit të përditshëm të gjithçkaje, duhet të shohim më me realizëm edhe përgjegjësinë individuale të secilit. çdo gjykim i njëanshëm, në raste të ngjashme me shembujt e mësipërm, nuk i kontribuon zgjidhjes së problemeve. Përgjegjësia e shtetit dhe përgjegjësia e qytetarit në një shoqëri demokratike janë komplementare. Forca e ligjit duhet të ushtrohet paralel me forcimin e vetëdijes qytetare për përgjegjësitë e çdo individi përballë familjes, komunitetit dhe shoqërisë. Atëherë duhani do të vrasë më pak, më pak qytetarë do të vdesin nga aksidentet automobilistike dhe pasojat e përmbytjeve nuk do të jenë kaq të rënda.