E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq Ministri i Shendetesise flet per sherbimin shendetesor

“Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në, jemi në sinkron me masat e kërkuara prej saj, kemi marrë masat e nevojshme në terren”. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili gjatë një konference për shtyp. Në këtë dalje publike, i shoqëruar dhe nga Kreu i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj, ministri Vasili evidentoi faktin se  ka një evoluim pozitiv të situatës. Sipas tij, po punohet në kushtet e një sakrifice të lartë. “Situata ka përmirësime, vetëm mbrëmë kemi asistuar një fëmijë në gjendje të rëndë, infermierët 6 orë në borë për ta shpëtuar. Po punohet në kushtet e një sakrifice të lartë”,  u shpreh ministri Vasili. Gjithashtu, ai falënderoi edhe përfaqësuesit e Korpusit të Paqes, të cilët janë solidarizuar dhe kanë dhënë ndihmën e tyre për situatën. “Mirënjohje Korpusit të Paqes për ndihmën, kanë dhënë solidaritet për të gjitha zonat e prekura”, deklaroi Vasili. Masat e ndërmarra prej Ministrisë së Shëndetësisë janë në sinkron me masat që këshillon Organizata Botërore e Shëndetësisë.Po kështu Ministri i Shëndetësisë bëri me dije faktin se “do të fillojnë edhe operacionet nga ajri, pasi në mëngjes nuk ka qenë i mundur. Njëkohësisht do vazhdojë edhe shpërndarja e paketave me barna, kompanitë farmaceutike kanë treguar solidaritet me situatën”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›