E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazhi i Gjeneralit, “detyrim paraqitjeje” në mungesë për Tunxh Vatnikajn



I akuzuar për implikim në tjetërsimin e 48 ha tokë në vendin e quajtur “Plazhi i Gjeneralit”, Tunxh Vatnikaj dje duhej të paraqitej në Gjykatën e Tiranës për t’iu vleftësuar masa e arrestit, caktuar në mungesë nga gjyqtari Altin Abdiu. Mirëpo, edhe vleftësimi i kësaj mase dhe kushtet e zbatimit të saj janë zhvilluar në mungesë të ish-kreut të AKKP-së, pasi edhe me marrjen e njoftimit për masën e arrestit, ai nuk ka preferuar të paraqitet në gjykatë, duke ia deleguar avokatit përfaqësimin dhe njohjen me caktimin e masës dhe akuzat ndaj tij. Seanca është zhvilluar paraditen e djeshme dhe të pranishëm në seancë kanë qenë gjyqtari, prokurori dhe avokati që përfaqësonte Vatnikajn, ndërkohë që përfundimin e seancës e priste në korridorin e gjykatës vëllai i ish-kreut të AKKP-së. Ish-kreu i AKKP-së akuzohet për kalimin me dokumente të falsifikuara të një prone tek të tjerë pronarë, jo te pronarët e ligjshëm. Bëhet fjalë për 48 ha tokë në Synej të Kavajës, i quajtur “Plazhi i Gjeneralit”. Ndonëse është përpjekur që fajtorë të bëjë vartësit e tij për kalimin e procedurës për miratim, kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë akuzuar ish-eprorin e tyre, madje duke e akuzuar atë edhe për nxitje të kalimit të kësaj procedure. Për këtë abuzim në tjetërsimin e pronës, ish-kreu i AKKP-së dhe 10 persona të tjerë do të përballen në Gjykatën e Tiranës për akuzat e ngritura. Ndërkohë që me masën “arrest shtëpie” janë duke u hetuar avokati dhe disa punonjës të AKKP-së dhe një ish-zyrtar i Hipotekës, të cilëve iu vlerësuan masat e arrestit disa ditë më parë. Prokuroria kishte disa muaj që kishte nisur hetimet në lidhje me këtë çështje, ku ka rezultuar se të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, duke përfituar një familje në mënyrë të paligjshme rreth 450 dynymë tokë në zonën e Komunës Synej dhe konkretisht te “Plazhi i Gjeneralit” dhe “Kalaja e Turrës”. Prokuroria mori nën hetim rreth 10 persona pas zbulimit të skandalit të “Plazhit të Gjeneralit”. Ish-kryetari i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, hetohet pasi ka firmosur dhe miratuar procedurën, ish-punonjësit e Agjencisë së Pronave të Tiranës hetohen për shkak se kanë pranuar dhe përpunuar aplikimin e falsifikuar, ndërsa tre topografë janë marrë në hetim, pasi kanë “mashtruar” me procedurat. Ata kanë hartuar planvendosjen dhe dokumente të tjera, që lidhen me sipërfaqen e tokës së abuzuar, zonat kufizuese, shtrirjen dhe madhësinë e saj, kur sipas hetimeve të prokurorisë, nuk kanë qenë fare në terren për të bërë verifikime, siç e kërkon procedura dhe ligji. Sipas hetimeve të kryera, janë sekuestruar dokumente që kanë të bëjnë me dosjen e aplikimit për kthimin e pronës. Tashmë, sipas burimeve nga akuza, hetuesit janë në përfundim të hetimeve dhe shumë shpejt dosja pritet të përfundojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Mësohet se vartësit e Vatnikajt kanë “fundosur” këtë të fundit me deklarimet e tyre, pasi ish-kreu i AKKP-së është mundur të fajësojë ata për miratimin e procedurës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›