E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”; Drejt përfundimit hetimi, së shpejti dosja në gjykatë



Hetimi për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë është drejt fundit. Burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës pohojnë faktin dhe shtojnë se komunikimi i akuzës për një pjesë të madhe ushtarakësh e civilësh të rangjeve të larta dhe të ulëta në Ministrinë e Mbrojtjes kanë qenë ndër procedurat e fundit për të përmbyllur hetimin 1-vjeçar. Tashmë numri i personave, të cilëve u është komunikuar akuza, ka shkuar në 27, ndërkohë që priten të tjera komunikime akuzash deri në dorëzim të dosjes në Gjykatën e Lartë, e cila do jetë kompetente për gjykimin e saj. Referuar të njëjtave burime zyrtare në Prokurorinë e Përgjithshme, pritet që dosja të mbyllet brenda këtij muaji ose në ditët e para të muajit mars, por e sigurt është që përfundimi i hetimeve dhe dorëzimi i dosjes do të bëhet para 1-vjetorit të tragjedisë së rëndë në Gërdec. Përveç tre të pandehurve në qelitë e burgut, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli, të akuzuar për “vrasje masive”, të pandehurit e tjerë janë në gjendje të lirë dhe bëhet fjalë për një ish-ministër, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, si dhe zëvendësi i tij; ish-drejtuesi i Komandës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, si dhe mjaft drejtues të lartë civilë në administratën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në atë të pjesës ushtarake.

Aktiviteti

Familjarët e të miturve në burgun 313, inspektim ambienteve

Drejtoria e Paraburgimit 313 ka zhvilluar dje një aktivitet në ambientet e seksionit të të miturve, duke u dhënë mundësinë familjarëve të fëmijëve nën hetim të inspektojnë këto ambiente. Sipas burimeve zyrtare, familjarët u futën në këto ambiente ku rrinë dhe argëtohen brenda kushteve të një burgu, fëmijët e tyre, nën hetim për vepra të ndryshme penale. Ata vizituan bibliotekën, ambientet ku mësohet kompjuteri, si dhe fushat e sportit ku ata kalojnë një pjesë të ditës. Më tej, familjarët vizituan edhe dhomat e fëmijëve, kushtet higjienike dhe hapësirat që duhet të ketë një i dënuar. Ata patën mundësi gjithashtu të dëgjojnë një program të shkurtër të përgatitur për kënaqësinë e të afërmve të tyre të pranishëm. Sipas burimeve zyrtare nga ky paraburgim, ishte menduar një aktivitet edhe më i madh me këtë rast, por përkeqësimi i motit e kushtëzoi si aktivitet brenda ambienteve të seksionit të të miturve. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se shumë shpejt do të organizojnë një tjetër aktivitet, por kësaj radhe me gratë e paraburgimit 313 dhe ato të burgut 325.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›