E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë; Kryetarja Becaj takon ambasadorin e OSBE-së, Bosch



Kryetarja e Gjykatës së Lartë, znj. Shpresa Becaj, priti dje në një takim kortezie ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, z. Robert Bosch. Gjatë takimit të tyre është diskutuar dhe është vënë në plan të parë rëndësia që ka gjyqësori, si një institucion i pavarur në një shtet demokratik dhe me aspirata të larta për integrim. Gjatë këtij takimi, ambasadori Bosch shoqërohej nga drejtuesi i zyrës juridike në zyrën e OSBE-së në Tiranë, Frank Dalton, i cili është një nga monitoruesit më të rregullt të sistemit gjyqësor në vendin tonë. Z. Bosch, pasi e uroi znj. Becaj për detyrën e re në krye të Gjykatës së Lartë, konfirmoi gatishmërinë e OSBE-së për të vazhduar marrëdhëniet e bashkëpunimit me institucionin e gjykatës që ajo drejton edhe në të ardhmen. Kryetarja e Gjykatës së Lartë, pasi e falënderoi për vizitën, i shprehu në emër të trupës gjyqësore të gjykatës që drejton konsideratat dhe vlerësimin për misionin e OSBE-së në Shqipëri. Sipas zyrës së shtypit pranë Gjykatës së Lartë, znj. Becaj vlerësoi rolin e kësaj organizate të fuqishme në nxitjen e demokratizimit, përkrahjen për zbatimin e ligjeve dhe të të drejtave të njeriut, si dhe ndihmën për përafrimin e tyre me standardet e Bashkimit Evropian. Gjatë bisedës, znj. Becaj theksoi se pavarësia dhe funksionimi i mirë i sistemit gjyqësor është i rëndësishëm për funksionimin e një shteti demokratik. Në fjalën e tij, ambasadori i OSBE-së, z. Robert Bosch, rikonfirmoi edhe njëherë ndihmën e OSBE-së për shtetin ligjor, duke vënë në pah se departamenti i shtetit ligjor pranë OSBE-se do të asistojë reformën në drejtësi për një sistem ligjor efektiv dhe transparent. OSBE është një nga misionet më të rëndësishme, e cila me misionin e saj në Shqipëri ka qenë gjithmonë pranë gjyqësorit me ndihmën dhe vlerësimet e saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›