Stadiumi ende pa drita, Tirana-Dinamo luhet sot në drekë
TIRANE- Orari dhe dita e ndeshjes e derbit Tirana-Dinamo është kthyer në një telenovelë. Pas shtyrjes së parë nga e diela në të hënë për shkak të sfidës Inter-Milan, që nuk do të "lejonte" tifozët të shkonin në stadium, dje ka ardhur edhe spostimi tjetër. Federata Shqiptare e Futbollit, pas konsultimit edhe mes dy klubeve, ka vendosur që derbi të luhet të hënën në orën 14.00, pra jo në orën 18.00 siç ishte parashikuar. Shkak për këtë është bërë fakti se stadiumi kombëtar "Qemal Stafa" ende është pa energji elektrike. Kjo, pasi transformatori i djegur në mesin e ndeshjes mes Gramozit dhe Realit të Madridit, nuk është zëvendësuar ende me një të ri. Prokuroria ka sekuestruar nënstacionin që ndodhet në ambientet e stadiumit si edhe transformatorin e djegur, të cilat do t'u nënshtrohen ekspertizave të tjera për të zbuluar shkaqet e djegies së tyre gjatë ndeshjes së të mërkurës. Kabina e ku ndodhet transformatori vazhdon të jetë nën ruajtjen e forcave të policisë, që kanë rrethuar vendin me shirita, ndërkohë që ekspertët kanë kryer deri tani disa këqyrje të vendit të ngjarjes dhe kanë parë problemet e transformatorit. Një gjë e tillë ka bërë që drejtuesit e klubit Tirana dhe Dinamo, të mendojnë për më të keqen, pra që deri të hënën në mbrëmje, ndërrimi i transformatorit nuk do të bëhet. Me mirëkuptim mes tyre, dy klubet kanë rënë dakord që ndeshja të luhet të hënën në orën 14.00, për të shmangur nevojën e energjisë elektrike. Ecejaket e derbit Derbi mes Tiranës dhe Dinamos, që do të përcaktojë shumë gjëra përsa i përket titullit kampion në Shqipëri, ishte parashikuar që të luhej të dielën në orën 18.00. Por, vetëm pak ditë më parë, FSHF njoftoi se kjo ndeshje është shtyrë për 24 orë pas kërkesës së vetë klubeve. Shkak për këtë është shtyrje është bërë fakti se në orën 20.45 të së dielës në Itali do të luhet derbi i Madoninës mes Interit dhe Milanit. Duke parë se një pjesë e mirë e shqiptarëve bëjnë tifozllëk për këto dy skuadra, klubet dhe FSHF patën menduar se derbi Tirana-Dinamo nuk do të tërhiqte shumë tifozë. Kësisoj u gjet si zgjidhje dita e hënë në mbrëmje, por tashmë edhe ky orar është ndryshuar. Përfundimisht derbi do të luhet në hënën në orën 14.00, një orar që për hir të së vërtetës ia prish jo pak bukurinë kësaj ndeshjeje. Bëhet fjalë për një nga takimet më të rëndësishme të vitit, por ora 14.00 është një orar pune për të gjithë, kështu që numri i tifozëve në stadium do të jetë me siguri i limituar. "Jemi të detyruar, Prokuroria nuk lejon të kryhet asnjë veprim në kabinën e stadiumit për të ndërruar transformatorin, - tha shefi i Garave Ilir Shulku. - Për këtë arsye e kemi çuar derbin në orën 14.00", sqaron më tej ai. (s.g/BalkanWeb)