Moti i keq shkakton probleme në Qarkun e Dibrës
Ndonëse pak ditë na ndajnë nga ardhja e pranverës, stina e dimrit nuk "dëshiron" ta lëshojë lehtë vendin. Mbrëmjen e së hënës, rajoni i Dibrës në verilindje të vendit u përfshi nga moti me reshje të dendura shiu dhe dëbore në lartësinë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, duke shkaktuar mjaft probleme për banorët. Jo vetëm komunat dhe fshatrat malorë, por edhe qyteti minator i Bulqizës është gdhirë dje i zbardhur nga dëbora. Moti me reshje është shoqëruar edhe me erë të fortë, e cila ka shkaktuar probleme në furnizimin e popullatës me energji elektrike. Kështu mësohet se të paktën 20 fshatra në komunat Fushë-Bulqizë, Zerqan dhe Ostren, në rrethin e Bulqizës, kanë mbetur pa energji, për shkak të defekteve në linjat e transmetimit. Ndërkohë në komuna si Lura, Kalaja e Dodës, Xibër etj., trashësia e dëborës ka shkuar në mbi 20 centimetra, duke krijuar kështu probleme me rezervat ushqimore për bagëtitë, të cilat janë drejt shterimit të tyre. Ndërsa akset rrugore që lidhin qendrat e këtyre komunave, me atë të rretheve përkatëse, në mesditën e djeshme janë bërë të kalueshme për automjetet, sipas informacioneve nga Ndërmarrja e Rrugëve Rurale Dibër. Por ka fshatra të thellë malorë mbi 1400 metra mbi nivelin e detit, si Radomira në Malin e Korabit, Plepe, Oreshnjë, Tërnovë, Smollik, Xibër, Murrize, Macukull etj., ku trashësia e dëborës, së bashku me atë ekzistuesen, ka shkuar në mbi 50 centimetra dhe komunikimi me rrugën automobilistike me qendrat e komunave është i pamundur. Banorë të këtyre fshatrave thonë se nisur nga eksperienca e tyre ndër vite, nuk janë kapur në befasi nga dimri që po lëmë pas, por e kanë ndjerë pak ndihmën e shtetit për përballimin e situatave të vështira. Ndërkohë që reshjet e bollshme të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë rritur ndjeshëm prurjet e ujit në Drinin e Zi, që është furnizuesi kryesor me ujë për hidrocentralet e mëdhenj. Por shirat kanë shkaktuar edhe dëme siç ka ndodhur në fshatin Gjoricë të rrethit Bulqizë, ku janë përmbytur disa hektarë tokë dhe katër shtëpi banimi.