Motoja e ditës: largime, preferenca, emërime

Skuadrat e tjera të Superligës kanë jo pak zhvillime në këto ditë merkatoje dimërore.
VLLAZNIA- Gjirokastriti Arlind Nora është një nga futbolistët e parë që pritet të largohet nga Vllaznia. Sulmuesi nuk ka bindur dhe ka gjetur pak hapësirë në formacionin e Mirel Josës. E ardhmja e tij do të vendoset pas bisedimeve me presidentin kuqeblu, Valter Fushaj. Vllaznia i ka bërë ofertë Oriand Abzaj, i cilikërkohet edhe nga Flamurtari. Trajneri Josa pohoi se skuadra e tij ka nevojë për 2-3 përforcime, duke parë dhe faktin se Gilman Lika apo dhe Xhavair Sukaj mund të largohen jashtë Shqipërisë. Ndër emrat e përfolur për të ardhur te Vllaznia janë Skerdi Bejzade dhe Klevis Dalipi, por i preferuar në Shkodër është edhe kosovari i Elbasanit, Ilir Nallbani.
FLAMURTARI- Vlonjatët kanë zgjedhur Lecen në Itali për përgatitjen dimërore. Ditën e enjtë skuadra e Flamurtarit do të niset për në drejtim të Italisë, ku do të zhvillojnë edhe tri ndeshje miqësore me Galipolin, Brindizin dhe Ostunin, ku luan edhe një vlonjat 18-vjecar, Alfredo Kreshpa. Me grupin janë bashkuar edhe braziliani Flavio Zhunior si dhe kroati Robert Alvez. Sot pritet edhe shqiptaro-kroati Anton Deda i menaxhuar nga Adrian Aliaj.
SKËNDERBEU- Skuadra korcare ka gjetur trajnerin e saj të ri pas largimit të katër të parëve Konomi, Sejdini, Rapo dhe Velo. Teodor Vaso është emri i ri. Marius Ngjela,golashënuesi më i mirë i ekipit do të largohet drejt Besëlidhjes. Ngjela është në konflikt me klubin që nuk i ka paguar dy këste të kontratës dhe kërkon ndihmën e FSHF-së për të siguruar kalimin te Besëlidhja.
KASTRIOTI- Ende asnjë emër konkret për merkaton e Kastriotit, që grumbulloi 20 pikë në pjesën e parë të sezonit. Gjithsesi, sipas ish-trajnerit Ramazan Ndreu, aktualisht sekretar i klubit, priten 3-4 përforcime. Nga skuadra e Vasil Bicit janë larguar Bokootola, Binogol, Sulejmani e Koci.