E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skuadrat kryeqytetaset në ethe merkatoje

Kohë e ethshme merkatosh në Europë, por zyrtarisht ajo është hapur edhe në kampionatin shqiptar. Drejtuesit e klubeve i kanë verifikuar të metat pas 17 javëve të para të kampionatit dhe trajnerët pas përfundimit të festave kanë shprehur edhe dëshirat e tyre për lojtarët që besojnë se i plotësojnë boshllëqet e konstatuara për pjesën tjetër të sezonit. Largimet janë paralajmëruar me Nevil Dede nga Tirana në drejtim të Kinës së largët, por edhe me nënshkrimin e ish-sulmuesit të ri të Partizanit, Gerhard Progri me Besën e Bizhdilit, që në pesë ndeshjet e para të fazës së dytë ka humbur katër të tilla. Skuadrat kryeqytetase janë në fokusin tonë, jo vetëm se kryesojnë Kampionatin e 69-të Kombëtar të futbollit, por edhe se të tria së bashku kanë fituar 54 kampionate nga 68 të zhvilluara deri tani: Tirana (23), Dinamo (16) dhe Partizani (15).
DINAMO, vendi i parë me 37 pikë
Një ekip perfekt. Kryeson Kategorinë Superiore me 6 pikë më shumë se Partizanin i vendit të dytë dhe ka njëkohësisht sulmin më të mirë (30 gola të shënuar), mbrojtjen më të mirë (6 gola të pësuar), por dhe golashënuesin më të mirë të kampionatit (kroatin Pejic, me 13 gola). Me gjashtë të huaj cilësorë në skuadër (katër kroatë, një senegalez dhe një nigerian) dhe me një grup të mirë, Dinamo nuk mendon të hyjë në merkato. Gjithsesi, largimet do të ketë nga "blutë". I pari protestoi dhe u largua është Vangjel Mile. Sulmuesi i U-21-shit mbeti i pakënaqur si opsioni i pestë i trajnerit Agim Canaj, i cili ka në dispozicion lojtarë të tillë në vijën e parë si Pero Pejic (13 gola), Sabino Plaku (8) apo dhe Eleandro Pemën e Bekim Kulin dhe u zyrtarizua si blerja më e re e Teutës, ku drejton i ati i tij, Kristaq Mile. Gjithsesi, burimet nga klubi i presidentit Sulaj bëhet fjalë për një mbrojtës kamerunas dhe një mesfushor maqedonas.
PARTIZANI, vendi i dytë, me 31 pikë
Trajneri Hasan Lika e bëri publike dëshirën e tij, se synon të veshë me të kuqe sulmuesin e Tiranës, golashënuesin e dytë më të mirë të sezonit të kaluar, Daniel Xhafaj, i cili kërkohet edhe nga presidenti i Elbasanit, Arben Laze dhe pëlqehet nga trajneri i verdhebluve, Krenar Alimehmeti. Ish-sulmuesi i Teutës e Dinamos nuk i ka kënaqur donatorët e Tiranës, edhe pse klubi bardheblu investoi shuma të mëdha për të blerë kartonin e tij. Vetëm 3 gola me Tiranën, por tekniku i "demave", Lika, i njeh mirë aftësitë e sulmuesit që shënoi 20 gola sezonin e kaluar me Teutën dhe ka një eksperiencë me Nojshatëll Ksamaks në Zvicër. Nga Partizani është larguar Progri (pakënaqësi për mosaktivizim), por stafi i të kuqve ka bërë të ditur se i pëlqejnë talentet e Flamurtarit: portieri Mocka, mesfushori Zeqiri dhe sulmuesi Veliu. Te Partizani nga Vlora është vetëm sulmuesi kryesor i saj, Arbër Abilaliaj. Partizani nisi të hënën edhe stërvitjen e plotë, teksa është parashikuar që faza përgatitore të kryhet në Malin e Zi, ku edhe vitin e kaluar zhvilloi fazën përgatitore dimërore.
TIRANA, vendi i pestë me 28 pikë
Kampionia në fuqi, Tirana, humbi (zyrtarisht) mbrojtësin me përvojë Nevil Dede (i menaxhuar nga Florian Riza), duke nisur tratativat në Kinën e largët, ku mbrojtësi i Kombëtares do të bëhet futbollisti i parë që do të luajë në vendin ku trajneri legjendar Loro Borici kaloi një pjesë të jetës së tij duke u dhënë leksione klubeve kineze. Madje edhe trajneri aktual i Shqipërisë, Ari Han, ka drejtuar Kombëtaren e Kinës dhe, me sa duket, do ta presë mirë lëvizjen e tij. Zëvendësuesi i Dedes është gjetur: shqiptaro-maqedonasi Ardian Cuculi (luan me Shkëndinë e Tetovës), i cili pritet të mbërrijë në mesjavë në kryeqytet. Futbollisti 20-vjecar është kontingjent i përfaqësueses U-21 të Maqedonisë. Në fokusin e Tiranës janë edhe 34-vjecari Artim Shaqiri si dhe Nderim Nexhipi, po nga kampionati maqedonas, dy lojtarë me eksperiencë të madhe ndërkombëtare. Shaqiri ka luajtur në Angli, Gjermani, Turqi e Bullgari, ndërsa Nexhipi me Hertën e Berlinit në Gjermani. Pasi të testohen tre lojtarët do të jetë trajneri Astrit Hafizi ai që do të vendosë për të ardhmen e tyre me 23 herë kampionët. Skuadra e Tiranës ka zyrtarizuar deri tani vetëm një blerje të re, atë të mesfushorit kosovar Berat Hyseni, i cili do të zëvendësojë në mesfushë të dëmtuarin Jetmir Sefa. Tirana vuan shumë, sidomos në repartin e sulmit, ku kanë ngelur vetëm Indrit Fortuzi (4 gola) dhe Daniel Xhafaj (3), pas pezullimit të Eldorado Merkocit dhe Orian Abazajt. Tirana synon të përforcohet edhe me shkodranin Gilman Lika, si dhe me mbrojtësin e Besës, Andi Lila. Përpara se të niset për të kryer fazën përgatitore në Antalia të Turqisë, Tirana do të zhvillojë edhe dy ndeshje me karakter testues, të parën me të rinjtë e ekipit dhe të dytën me Olimpikun që militon në kategorinë e dytë shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›