E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motori i ujit aksidenton rëndë pushuesin kosovar

17/07/2009  Mungojnë masat për ruajtjen e turistëve

Mungesa e vëmendjes së drejtuesit të një motoskafi ka sjellë dhe aksidentimin e parë të rëndë të pushuesve në det. Ka përfunduar në gjendje kritike për jetën në spitalin e Durrësit shtetasi shqiptar nga Kosova, Sabit Kuci. Dje rreth orës 10 ai së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes ka shkuar në det për t’u larë, por është aksidentuar teksa notonte. Një mjet me motor i ka kaluar fare pranë madje edhe e ka ndëshkuar pushuesin kosovar, britmat e të cilit janë dëgjuar nga pushues të tjerë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe mësohet se 38-vjeçari Kuçi është dëmtuar rëndë në kokë pasi motori i ujit i ka kaluar me trup. Në çastet e aksidentit tek sektori “Hekurudha” pranë vendit të quajtur pista “Breshka” kanë qenë edhe shumë plazhistë të tjerë kryesisht kosovarë, të cilët kanë parë ngjarjen. Ndërsa ngjarjen ia kanë dëshmuar policisë. Ndonëse personi që drejtonte motorin ka parë dhe dëgjuar edhe britmat e të aksidentuarit si dhe thirrjet e panikut të pushuesve të tjerë nuk ka ndaluar. Ai është larguar në drejtim të ujërave për në Kalatën Lindore të portit për të humbur gjurmë. Kuçi në çastet e përplasjes nga motori i ujit ka qenë jo shumë thellë. Sipas dëshmitarëve që ishin duke notuar me të, Kuçi mund të prekte ende me këmbë fundin e detit. Në Plazhin e Durrësit që nis tek Ura e Dajlanit e përfundon në Spille nuk ka asnjë patrullim nga forcat e policisë për të realizuar operacione shpëtimi në raste të tilla apo edhe për të parandaluar aksidentet që vinë nga motorët e ujit. Bashkia e Durrësit pati thënë se ka ngritur 5 kulla vrojtimi nga Kalata Lindore deri tek Shkëmbi i Kavajës me ekipe emergjence, por deri tani asnjë prej këtyre kullave nuk është ngritur. Pushuesit vit pas viti në plazhin e Durrësit janë dëshmitarë të guidave që bëjnë në det persona të ndryshëm të hipur në motor dhe që futen mes përmes pushuesve pa u ndier të trazuar. Edhe ato patrulla policie që përshkojnë bregdetin e Plazhit për të mbajtur qetësinë e rendin deri tani nuk kanë reaguar fare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›