E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Motra Tone" flijojnë pesë piktorë shqiptarë

19/03/2005  Pesë piktorët shqiptarë Idlir Koka, Genc Mulliqi, Arif Lushi, Suela Muça dhe Mikael Drita, janë fituesit të selektuar nga ekspozita “Të shohësh dhe të të shohin”, të cilët për herë të parë punët e tyre dalin në ankand; 70% e shumës do të shkojë për qëllimin e hapjes së ekspozitës-restuarimin e veprës “Motra Tone” të Kol Idromenos, e cila pritet të udhëtojë drejt Francës; Anëtarja e bordit të Galerisë, profesorja e artit Ashley Olters, tregon thyerjen e kësaj “ndroje” nga artistët e rinj shqiptarë

Krah Galasë mondane që u organizua mbrëmë në Pallatin e Brigadave, atmosferës iu shtua një vepër bamirësie. Dje në Galerinë Kombëtare të Arteve është mbyllur ekspozita “Të shohësh dhe të të shohin”, ku u përzgjodhën pesë piktorë, të cilët për herë të parë dolën në ankand. Jo mirëfilli ankand profesional, pa këtë pretendim, juria e ngritur me të huaj, profesorë arti nga Gjermania dhe Amerika, vendosi që 70% e parave të fituara nga shitja e tablove të shkojnë për restaurimin e veprës shqiptare “Motra Tone”. Dhe vetëm 25% do të shkojnë për artistët e veprave.

Ajo që kanë vënë re profesorët e artit, ka qenë mungesa e komunikimit të artistëve me komunitetin, mosnjohja prej tyre. Ankandi, jo vetëm një përfitim i dyanshëm, por si eksperiencë e parë në vendin tonë, duket se ka hequr më tepër ndrojen nga të rinjtë për t’u njohur në kushte konkurrence, tregu të mirëfilltë.

Ashley Olters, historiania e artit dhe një nga anëtaret e bordit të GKA-së, e cila vjen nga eksperiencat e muzeumeve në SHBA dhe Kanada, u jep një konsulencë miqësore artistëve shqiptarë, se duhet të bashkëpunojnë më shumë në komunitet për t’u ndjerë më të fuqishëm me artin e tyre. Njëkohësisht me misionin e kësaj ekspozite arrihet për herë të parë sensibilizimi për të shpëtuar një vepër nga thesari i traditës së pikturës shqiptare nga rrënimi.

Olters tregon për “Metropol” kalimin e kësaj ideje në realitet dhe rrugën nëpër të cilën mund të shkojë dhe arti shqiptar, ai pamor, drejt sistemit të ankandit.

Kur lindi ideja për këtë ekspozitë?

Kur vendosëm temën për organizimin e Galasë “Të shohësh dhe të të shohin”, atëherë mendova se ishte shumë mirë dhe për artistët që të organizonin këtë ekspozitë, ku të evidentoheshin vetëm pesë prej tyre si fitues, për t’u paraqitur në një ankand.

Me këtë propozim, çfarë evidentuat tek artistët, meqë ankandi është eksperienca e parë për to?

Ideja ime e parë ishte të shpallja në shtyp një koncept të kësaj ekspozite. Nuk kishte ndonjë kufi, pengesa për artistët, por ishin të gjithë të ftuar. Ajo që gjetëm tek artistët, të bënte vërtet përshtypje. Shumë prej tyre, për arsye të ndryshme, kishin ndrojtje për të marrë pjesë, pra, nuk ishin shumë të sigurtë. Është hera e parë që organizohet një ankand në Shqipëri dhe artistët nuk ishin të sigurtë për atë çfarë do të ndodhte, ndaj ishte dhe ajo ndrojtja. Pasi fola me artistët individualisht, ata u bindën për t’i sjellë punët e tyre për ekspozim. Në fillim nuk e kuptova se ishte shumë e nevojshme që të flitej individualisht me secilin prej tyre dhe të shpjegohej qëllimi i ekspozitës. Pra, ne vetëm i bëmë një thirrje, ku të gjithë artistët ishin të ftuar për të marrë pjesë pa asnjë arsye politike. Vetëm se qëllimi ishte të organizonim një aktivitet të mirë dhe më pas një juri cilësore ndërkombëtare do të zgjidhte pesë punimet më të mira për në ankand.

Ideja e ankandit për herë të parë bëhet realitet në Shqipëri, me artistë shqiptarë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Cilët ishin pretendentët për të blerë veprat, duke iu adaptuar një ankandi?

Desha të them se komuniteti i huaj e kupton se çfarë është një ankand dhe shpresoj shumë që, ndoshta, jo të gjitha, por një pjesë e madhe e këtyre punëve do të shiteshin. Ne kemi përzgjedhur vepra shumë të mira, cilësore, nga 26 autorë që morën pjesë. Mendoj se është një kualitet i lartë i përzgjedhur, me të cilat iu ofruam njerëzve një shans për të marrë vepra shumë cilësore. Nuk ishte kjo vetëm një rast për Galerinë për të përfituar, por dhe për të ndihmuar admiruesit e artit pamor në përzgjedhje.

Përmendët komunitetin e huaj që gjendet në Shqipëri si mundësi shumë e mirë për blerjen e veprave, por anashkaluat komunitetin shqiptar, besoni se dhe ata ishin blerës të mundshëm?

Sinqerisht mendoj që komuniteti shqiptar, sidomos i biznesmenëve, duhet ta mbështesë artin dhe shpresoj ndershmërisht që kjo do të ndodhë. Njerëzit që kanë para duhet t’i kuptojnë këto vepra arti dhe të fillojnë të ndërtojnë koleksione ashtu si në vendet e tjera.

Ky projekt mendohet të vazhdojë gjithmonë nën idenë e Galasë, a do të ketë mënyrë tjetër, qoftë dhe jashtë qëllimit që u nis në këtë ekspozitë?

Është shumë i rëndësishëm organizimi i këtyre ankandeve, sepse vendosen çmime të referencës tavan dhe dyshme për autorë të ndryshëm, merr formë, pra, institucionalizohet një vepër arti. Kjo do të thotë se për një punë nuk mund të bëhen disa pazare, ku një herë një vepër mund të shitet 100 dollarë dhe pastaj dhjetëfishohet. Kjo shërben shumë për të treguar profilin e standardeve, ashtu si në fushat e tjera të tregtisë.

A mund të keqkuptohet opinioni që vepra e shitur më shtrenjtë nga ankandi është më e mira, pasi këtu nuk ekziston kjo eksperiencë?

Janë disa çmime që quhen çmime fillestare, mbi të cilat fillon ankandi dhe nuk besoj se do të katërfishohen, këto mund të dyfishohen. Kjo është një logjikë që funksionon në ankand. Ndërsa çmimet e larta nuk tregojnë se ajo është puna më e mirë. Disa herë puna e artistit vlen më shumë se sa tregu, ajo që ofrohet për të blerë. Ka vepra, të cilat vlerësohen më pak se sa çmimi i saj i vërtetë. Në këtë rast ankandi ynë nuk mund të krahasohet me ankandet profesionale. Nuk mund të krahasohet me Sotheby’s dhe Christie, të cilët janë të mirëfilltë ankande arti. Kjo është më shumë si ndihmë, ka një funksion, një objektiv, i cili është restaurimi i veprave në mbështetje të Galerisë Kombëtare.

Meqë është eksperienca e parë dhe si opinion po merret shumë seriozisht, a e shikoni se ekziston terreni për një institucion ankandi këtu, a ka vlera të mjaftueshme duke u bazuar në këtë eksperiencë?

Mendoj se kjo mund të instalohet këtu, që mund të ketë një sistem apo shtëpi ankandi. Por nuk e parashikoj dot situatën e përshtatshme tani për tani. Besoj se pas pesë vitesh mund të krijohen kushte për këtë. Shpresoj shumë se ideja e ankandit në funksion të ndihmës është një mënyrë e mirë për të dy palët, pasi përfitojnë dhe për ata që japin dhe për ata që marrin para.

Pse zgjodhët këtë kontigjent artistësh, që ishin kryesisht të rinj?

Ekspozita në tërësi ishte një punë e mirë, po këtë mendim dhanë dhe kolegët e jurisë, profesorë të artit që erdhën nga Gjermania. Konkluzioni ishte i përbashkët, që artistët e përzgjedhur ishin më të mirët.

Ne dërguam reklamë nëpër gazeta, kemi bërë lajmërime në televizione. Nuk kemi bërë ndonjë përzgjedhje, por, ne pritëm ardhjen e artistëve pas ftesës së bërë, organizuam ekspozitën dhe mbi këtë bazë bëmë dhe punën seleksionuese deri tek fituesit. Pra, mosha e evidentuar tek fituesit u vu re që ishin kryesisht të rinj.

Cili ishte konkluzioni juaj në fund të kësaj ekspozite, si një konsulencë miqësore për artistët?

Nëse artistët nuk do të jenë të bashkuar, nuk do të punojnë dhe shfaqin së bashku, nuk kanë shans për të ecur përpara.

Autorët dhe vlerësimi për veprat Genc Mulliqi - Skulptura prej qeramike “Koka e kaltër”, punim me realizëm; shquhet për kombinimin e elementëve të ngjyrës, dialogun e tyre me kulturën tradicionale Mikael Drita - Tablotë “Lumina” dhe “Refleksion në pishinë”. Njëra është punë abstrakte, ku gjenden subjekte dhe secili mund të shohë gjëra të ndryshme Suela Muça - “Lagështi”, portrete nudo-vlerësimi: art me tendenca bashkëkohore, i veçantë, dallohet për seriozitetin krijues Arif Lushi - “Drita”, abstraksion-vlerësimi: paraqitja interesante e atmosferës, mjedisit ku jeton; bota shqiptare në një aplikim të veçantë Idlir Koka - “Pa titull”, u zgjodh për abstraksionizmin, pa forma të përcaktuara, vlerësimi: punë me politesë dhe cilësi të mirë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›