E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti mund të prodhojë demokraci!

HENRI ÇILI 

Institucioni i presidentit në demokraci ka një veçanti: Ai ka gjithmonë një mundësi tjetër. Ky është dhe rasti i presidentit Topi, kryetari i ri të shtetit, i cili në muajin e 10-të mandatit të tij kryen një akt veçanërisht për t’u përshëndetur: Dekreton 5 anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë, përtej origjinës partiake, por sidomos ...përtej origjinës nga shumica në pushtet, sikurse ishte e pritshme. Ky grup gjyqtarësh që presidenti dërgon për miratim në Kuvend, e ka shqetësuar jo më kot qeverinë “Berisha”, e cila priste ndoshta me të drejtën e saj që të vendoste nën kontroll edhe Gjykatën e Lartë. Me këtë rrotacion prej 5 anëtarësh dhe me zgjedhjen e kryetarit të ri në ditët në vijim, potencialisht mund të ishte institucioni i fundit që do të vihej në kontrollin e qeverisë, pa llogaritur shërbimin informativ, ku punët janë shumë të ngatërruara me aleatët perëndimorë të përtej Atlantikut. Dhe nuk ka asgjë anormale këtu, përtej vringëllimës së shpatave politike: qeveria është në të drejtën e saj të kërkojë më shumë pushtet, Presidenti i Republikës është në detyrën e tij për të kufizuar dëshirën e ekzekutivit për të vënë nën kontroll drejtësinë, është në ushtrim të detyrës së tij për ekuilibruar pushtetet, balancuar fuqitë dhe pushtetet në republikën tonë.

Presidenti Topi zhgënjeu për mirë kësaj radhe. Me strukturën e 5 propozimeve të tij ai zgjodhi jo vokacionin e partisë së tij, por zgjodhi vokacionin e drejtësisë dhe frymës së institucionit të tij. Pesë emrat janë një ansambël me gjyqtarë dhe konstitucionalistë prestigjiozë si prof. Kristaq Traja, i cili sapo përfundoi mandatin si anëtar i Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e deri tek një grup tjetër gjyqtarësh me profile të ndryshme, të cilët kanë të përbashkët vetëm një gjë: diversitetin e origjinave, profilet, historitë të ndryshme. Kjo përbën garancinë që ky fluks i ri gjyqtarësh në këtë gjykatë garanton pluralitetin e përbërjes dhe potencialisht dhe integritetin e trupit më të lartë të drejtësisë shqiptare. Pikërisht këtu vjen zhgënjimi i shumicës aktuale, i përfaqësuar trashë nga veprimet e tipit policesk të drejtueses së Kuvendit, zonjës Topalli. Kjo e fundit ka kërkuar andej-këndej informacione për këta anëtarë të emëruar, kur është Parlamenti si i tërë ai që shprehet me pranim apo refuzim të këtyre propozimeve. Shumica ndodhet në ngërç politik në përligjen publike për të kundërshtuar këto zgjedhje të presidentit. Mbi të njëjtat kritere, për të cilat shumica është ngritur kundër emërimeve të Topit, ajo më parë ka promovuar në gjykata të tjera, aq më tepër nëpër nivele politike nga më të lartat, persona me të njëjtin profil.

Është shumë e rëndësishme të alarmohet shpejt e shpejt opinioni publik, se sa pasojë negative do të kishte mbi pushtetin e drejtësisë në këtë vend vendosja nën kontrollin e qeverisë edhe të këtij institucioni, kur është e qartë sot që pjesa tjetër e sistemit, duke filluar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, janë tashmë dukshëm nën ndikimin e shumicës aktuale, falë raporteve të reja në pushtet që u krijuan në 2007 dhe mbarimit të mandateve për një pjesë të anëtarëve të mëparshëm.

Ndërgjegjja për një drejtësi të pavarur, por sidomos për një drejtësi që edhe nëse nuk është e pavarur plotësisht, të paktën të mos jetë një vertikale e shumicës në pushtet, është në të vërtetë e vetmja temë që ia vlen të debatohet sot. Jemi në kushtet kur në elementët e tjerë sistemi politik është në një lloj kontrolli të dyfishtë: edhe si pasojë e peshës dhe fuqisë së pushtetit të kryeministrit Berisha, edhe si pasojë e ndryshimeve të fundit kushtetuese të kryera nga Rama-Berisha, që të gjitha në funksion të një sistemi politik oligarkik, me interesa të qarta të korporatës politike kundrejt vlerave dhe parimeve të konstitucionalizmit dhe garantizmit të sistemit të lirive dhe të drejtave të një demokracie liberale. 

Presidenti Topi, nis dhe formëson me këtë akt presidencën Topi, e cila ka shumë sfida të tjera përpara. Ato me siguri janë shumë më të mëdha e më të rëndësishme se sa sfidat që ai ka humbur gjatë muajve të parë si president, në përpjekjet për t’u shkëputur nga gravitacioni dhe kompleksi i partisë që i mundësoi postin e presidentit. Çështja e referendumit për ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet e lira dhe të ndershme për 2009, apo garantimi i lirive kushtetuese të pronës, janë axhenda e mandatit të tij presidencial.

Duke mbështetur aksionin e prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, në hetimin e disa prej çështjeve delikate që lidhen me qeverinë, si dhe duke ushtruar vetë vullnetin e tij të lirë, jashtë gravitacionit të qeverisë, për emërimet në pozicionet më të larta të sistemit të drejtësisë, presidenti Topi krijon premisat të zgjedhë kontributin ndaj shtetit, ndaj drejtësisë në këtë vend, në vend të asaj që t’i futet një sistemi shkëmbimi favoresh me maxhorancën, për emërime apo favore politike të ndërsjella. Ato do ta diskreditonin fort një president, si Bamir Topi, që për më tepër ka ardhur në atë post me paragjykime. E kundërta, nëse ai zhgënjen për mirë edhe skeptikët e tij më të mëdhenj, do t’i jepte Bamir Topit shansin të hynte në radhën e presidentëve historikë, me kontribut në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe funksionalizimin e demokracisë sonë të brishtë. Për të gjitha këto presidenti është i vetmi që sot ka potencialin të prodhojë demokraci!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›