E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho dhuron Topin e Artë për bamirësi

Nga Express më 20 shtator 2011 në ora 21:36

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho ka dhënë si donacion çmimin e trajnerit më të mirë të vitit nga FIFA, në një ankand bamirësie në përkujtim të mësuesit të tij, Bobby Robson.

Ish-selektori i Anglisë dhe trajneri i Barcelonës, Robson vdiq nga kanceri në mushkëri dy vjet më parë në moshën 76 vjeç. Ai ishte më meritori që i ndihmoi Mourinhos në depërtimin e tij si trajner i futbollit.

“Mbarë familja është e mahnitur nga dhurata bujare e zotërisë Mourinho”, tha i biri i Robsonit, Mark. “Ne jemi të lumtur dhe i falënderohemi atij”, shtoi ai. Shuma nga shitja e çmimit të trajnerit më të mirë të vitit nga FIFA që Mourinho e fitoi më 2010 pas suksesit të tij me Interin do të shkojë në Fondacionin Sir Bobby Robson.

“Babai im do të ishte krenar nga mënyra se si klube dhe trajnerë të ndryshëm të futbollit rreth botës janë bashkuar duke kontribuar me çmime të mëdha”, theksoi Mark Robson. Mourinho depërtoi si trajner pasi ishte angazhuar si përkthyes i Robsonit në Sporting Lisbon më 1992.

Robson e mori Mourinhon me vete, kur ai u emërua trajner i Portos dhe dyshja punoi së bashku edhe në Barcelonë, gjatë sezonit 1996-97. Mourinho bëri emër në Porto, ku fitoi Ligën e Kampionëve më 2004, para kalimit në Chelsea, ku rrëmbeu dy tituj në Premierligë. Ai mori drejtimin e Real Madridit më 2010.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›