Torresi po përmirësohet

Fernando Torres dyfishoi kuotën e golave të tij për Chelsean në Old Trafford, të dielën, por sulmuesi nuk do të fshihet nga një tjetër që i mbeti pa e shënuar. Ai dështim i tij vazhdon të dominojë në komentet pas humbjes 3-1 nga Manchester Unitedi, ku shumëkush kishte bërë shaka me dështimin e tij, të pabesueshëm për një sulmues të kalibrit të tij.
Por, në klubin e Chelseas nuk ka asgjë tjetër përveç përkrahje për Torresin dhe insistim që përforcimi më i shtrenjtë në histori të Premierligës të mos vlerësohet për dështimin e tij të shënojë në portën e zbraztë pas kalimit të portierit David de Gea në minutën e 83-të të ndeshjes. “Vazhdoj të them të njëjtën gjë, mund të vërej se ai (Torres) është duke u përmirësuar gjithnjë”, tha portieri i Chelseas, Petr Cech.
“Në Stoke ai zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer. Ai nuk shënoi por ishte i pafat. Kundër Bayer Leverkusenit ai nuk shënoi por krijoi të dy golat. Në United ai krijoi një rast të mirë për Ramiresin. Më pas shënoi një gol dhe i krijoi vetes një tjetër rast.
Nuk e di çka ndodhi por ai nuk e konkretizoi atë. Por, krijoi shumë dhe lëvizja e tij ishte e mirë. Mund ta shihni”, shtoi reprezentuesi çek. Paraqitja e Torresit në Old Trafford ishte vërtet inkurajuese, 27-vjeçari tregoi fuqinë e tij, mprehtësinë dhe depërtime të shpejta që i kanë munguar pas transferimit nga Liverpool për 50 milionë funte gjatë afatit kalimtar të janarit.
Goli i tij në minutën e 46-të ishte ekzekutuar në perfeksion, ku spanjolli dërgoi topin mbi De Gean nga një kënd jo i lehtë, pasi më parë kishte lexuar për mrekulli topin e dhënë nga Nicolas Anelka. Por, është dështimi në portë të zbraztë që i mbetet në kokë, Torres dështoi të konkretizojë një tjetër rast nga pozita ballore, para huqjes së madhe.
Statistikat, Torres dhe sulmuesit rivalë
Në krahasim me gjashtë sulmuesit kryesorë të skuadrave rivale të Premierligës, (Robin van Persie, Luis Suarez, Wayne Rooney, Sergio Aguero, Edin Dzeko dhe Emmanuel Adebayor), Torres ka dhënë më së paku goditje drejt portës këtë sezon (katër), ka përqindjen më të vogël të saktësisë (40 për qind), ka bërë më së paku pasime vendimtare (tri) dhe ka përqindjen më të dobët të kompletimit të pasimit të tretë (67 për qind). Por, Cech nuk brengoset për bashkëlojtarin e tij. “Nuk brengosem aspak. Ai do të shënojë gola. Ajo që të gjithë duhen të kujtojnë është sa mirë luajti për gjithë ndeshjen dhe për golin e bukur që shënoi”, theksoi Cech.