E Diel, 1 Nëntor 2026

Palestina dhe Izraeli pranë armëpushimit të terrorit në Gaza



Blerina Olldashi
Izraeli dhe Palestina po shqyrtojnë mundësinë e pranimit të planit të paqes së hartuar nga Franca dhe Egjipti dhe ndërprerjen e luftimeve të përgjakshme në Rripin e Gazës. Qeveria izraelite përgënjeshtroi deklaratat e presidentit francez Nikolas Sarkozi, sipas të cilit u ra dakord për armëpushim në Gaza. “E vlerësojmë qëndrimin e Egjiptit dhe do të studiojmë propozimin e tij”, - deklaroi ministri i Jashtëm izraelit, Shimon Perez, duke iu referuar ofertës së presidentit Mubarak për arritjen e një armëpushimi në Gaza. “Kemi një ide të përgjithshme, por duhet të shohim detajet, pasi prej tyre varet reagimi ynë. Gjërat që mbeten në letër nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar situatën”, - deklaroi ai. Sipas tij, Izraeli nuk ka ambicie për territore, por kërkon vetëm t’i japë fund situatës aktuale dhe terrorit. Sipas shtetit hebre, bisedimet mbi propozimin në fjalë janë ende në zhvillim e sipër. Edhe lëvizja islamike e Hamasit bëri të ditur, përmes një zëdhënësi, se plani, i cili po studiohet, “është ende në diskutim”. Lajmi për miratimin e planit u njoftua nga pallati “Elize” në Paris, zyra e të cilit deklaroi se “presidenti Sarkozi është shumë i kënaqur me miratimin e planit nga dy palët e përfshira në konflikt”. Propozimi i Francës dhe Egjiptit për armëpushimin në Gaza u prit mirë nga Shtetet e Bashkuara dhe presidenti i autoritetit palestinez, Mahmud Abas.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, tha në Këshillin e Sigurimit se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë armëpushim të qëndrueshëm dhe nuk do të pranojnë riarmatosjen e Hamasit. “Armëpushimi, i cili kthen në gjendjen e mëparshme, është i papranueshëm. Na duhet një armëpushim i qëndrueshëm, që do të sillte siguri të vërtetë”,- tha Rajs. Izraeli ka vendosur të pezullojë çdo ditë nga tri orë sulmet në Gaza, për të lejuar popullatën civile të furnizohet me ushqime dhe karburant. Kryqi i Kuq bëri të ditur se ka krizë humanitare në Gaza për shkak të mungesës së ushqimeve, karburanteve dhe barnave. Vendimi hyri në fuqi dje në orën një dhe u zbatua ashtu siç ishte parashikuar dhe nga Izraeli, ai përshkruhet si një korridor humanitar, i cili do të mundësojë që furnizimet të mbërrijnë në Gazë.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›