E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat - nga e drejtë kushtetuese, në një tjetër rindëshkim

Një mishmash i kolokrepsur keqemosmëkeq ka mbërthyer shoqërinë lidhur me pronat e trashëguara. Një kasaphanë e pandreqshme po kryhet sidomos mbi pronën shtetërore dhe atë publike, le më me atë private. Një pronar, një ish-pronar, një trashëgimtar sot do të përballet me një stërmundim të pamat për të provuar e legjitimuar pronën, për të bërë legalizimin, për të rimarrë tokat, për të rikthyer ndërtesat e shtetëzuara, për kompensimin a për hipotekimin e tyre, pas zbulimit nëpër arkiva e kadastra të dokumenteve…Më pas nis maratona e gjyqeve, të cilët do të vendosin herë me drejtësi, por më së shumti me të padrejtë nëpërmjet falsifikimeve, sherreve, trafikllikut të pushteteve, hileve, mashtrimeve, ryshfeteve, grindjeve e keqkuptimeve se kush do të përfitojë nesër mes palëve, mes familjarëve, mes shtetit dhe qytetarit, mes pronës publike dhe asaj private, mes pronës shtetërore dhe përfitimit vetjak…Kjo rrokopujë e pashembullt me pronat që ka nisur fill pas përmbysjes së diktaturës nuk paska të sosur, përkundrazi, mosmarrëveshjet dhe ngatërresat po thellohen e gjindja po komplikohet e po konfliktohet për ditë e më tepër pas asaj që quhet “mbivendosje e pronës”, pra, për një pronë lihen, shpiken apo lindin qëllimisht (natyrisht jo vetëm në një rast) të paktën dy pronarë- herë ai që quhet pronar i ligjshëm (ose sipas ligjit 9235 të vitit 2004, ose sipas ligjit të abroguar të vitit 1993 për kthimin e kompensimin e ish-pronarëve) e herë ai që e ka pasur në përdorim (sipas ligjit 7501 të vitit 1991); por, më së shumti do të përfitojë ai/ata që e kanë marrë të falsifikuar; dhe, si përfundim, të gjithë këta do të jenë nesër të destinuar të kacafyten e të përleshen mes vedi si ujqër…Kjo është skema, kjo është vorbulla së cilës askurrkush nuk i shmanget dot! Fakti që në 19 vjet janë ndërruar 19 ministra Drejtësie, pra mesatarisht një në vit, por ca më dendur janë bërë heqjet edhe në kreun e Agjencisë të Kthimit të Pronave; si edhe fakti që gjyqtarët e prokurorët zënë vendet e para të korruptimit, janë prova mjerane dështimi jo vetëm për “reformën” e premtuar, por edhe raportin e tyre të vështirë me ligjin…

Kësisoj, tash u bë e zakontë që një pronë e dyshimtë e përvetësuar me dallavere të jetë shitur disa herë, duke kaluar nga dora në dorë, aq sa ka humbur e nuk mund të gjendet më pronari i ligjshëm dhe i vërtetë…Edhe sikur me vendim gjykate të provosh se filan pronë e tjetërsuar është e jotja, do të jetë e vështirë ta kthesh “në identitet”, pasi pronari më i fundit, ai ilegjitim, njëlloj si kriminelët, me siguri do të ketë ikur “në drejtim të paditur”! Në drejtim të paditur, ashtu si për mbikalimin e ‘Zogut të Zi’. Edhe ajo që po ndodh këto ditë mes qeverisë qendrore dhe Bashkisë së Tiranës lidhur me një shesh në epiqendër të Tiranës është pamja më e shëmtuar e kësaj palavije shtetërore, ku faji përsëri ka për të ikur në drejtim të paditur, një lloj si për ‘Zogun e Zi’…! Në atë shesh të përbaltur është kolokrepsur qëllimisht dhe djallëzisht prona shtetërore me atë private, prona e një komuniteti fetar me atë bashkiake, kthimi i pronës me gjoja kompensimin e nesërm, shitja e dyshimtë te disa duar me larjen e parave të pista, lejet e ndërtimit me anulimin e tyre për interesa klienteliste, ankandi me dëmshpërblimin për ish-pronarët, plani francez me ngritjen e një lulishteje publike etj, etj…

Me të njëjtën metodë të “lëmshit” të pazgjidhshëm prej incestit të politikës me biznesin e jashtëligjshëm u veprua edhe me tokat në bregdet, ku u kërleshën jo vetëm pronarët e ligjshëm me të paligjshëm, por edhe Banka Botërore…Për të mos përmendur Kakomenë, Jalën, Orikumin, Gjirin e Lalësit, pronat e sindikatave, ish-shtëpitë e kulturës, ish-muzetë, ish-vatrat e kulturës, ish-bibliotekat, ish-kombinatet, ish-uzinat e fabrikat, ish-kënetat, ish-fermat, ish-pyjet, ish-Kinostudion, ish-Pallatin e Kulturës, ish-repartet ushtarake, madje edhe ish-lumenjtë e burimet pasi edhe ato janë privatizuar, d.m.th, shfytyruar, etj, etj…Por më në fund haka ka për të përfunduar te më të fortët, te më të pushtetshmit, te më të babëziturit! Ky është rregulli i ngjizur herë me ligje të iniciuara nga monopolet e ndërtimit, herë me “vendime kolektive” të qeverisë që quhen VKM, e herë me komandimin kryeministror të KRTSH-së, vendime që, si është thënë, nesër për to askush nuk do të ndëshkohet e nuk do të japë llogari për faktin e thjeshtë se këto VKM-ra na qenkan “vendime kolektive”…Ky është “lëmshi” i pazgjidhshëm i pronave.

Në këtë klimë shpërdorimesh, fijet e pronave janë përkequr e nakatosur deri aty sa një banor ka guxuar t’i heqë ujin e pijshëm gjithë katundit, sepse e quan edhe burimin pronë private! Një tjetër nuk të lë të hysh në shtëpi, pasi edhe rrugicën e quan të vetën…Të tjerë bllokojnë herë pas here rrugët nacionale sepse edhe rrëpirat i quajnë pronë private…Nuk ka gjykatë në botë, as ajo e Strasburgut dhe as ajo e Hagës, që do të mund të zgjidhë këtë mishmash interesash që ngatërrohen edhe me lloj-lloj VëKëMërash e KëRëTëSHërash, natyrisht përveç zgjidhjes që do të japë absurditeti, arbitrariteti, forca, dhuna, dhe më pas përfitimi i dikujt që ka pushtet dhe para në kurriz të dikujt tjetër pa pushtet dhe pa para… Gjithsesi dëmi do të bjerë në kurriz të interesit publik, që tashmë ka mbetur më keq edhe se ata të sëmurët mendorë që i pamë të lidhur me zinxhirë…

***

Moszgjidhja me drejtësi e ndarjes dhe e shpërndarjes së pasurisë kombëtare dhe e pronës e ka lënë litarin e të vdekurit jashtë varrit të paqes sociale për një kohë të pakufizuar! Prandaj krimi, tensionet, sherret dhe konfliktet e pashuara sociale po mbajnë kaq gjatë nën thundrën e tranzicionit shoqërinë dhe qytetarin bashkë me institucionet e pushtetet e pavarura, si p.sh, Drejtësia apo edhe Media…Sepse pabarazia e qytetarëve para ligjit dhe para së drejtës tani ka marrë përmasa të frikshme jo vetëm morale, po edhe materiale, pronësore! Partitë në vend që të ndikojnë për të shuar këtë zjarr përvëlonjës dhe helmonjës, hedhin më shumë benzinë…Janë tallur sa nuk kanë të ngopur me ish-pronarët dhe me ish-të përndjekurit të gjithë ata që kanë qenë në pushtet, të majtë e të djathtë, aq sa tani, pas 20 vjet stërmundimesh e dallaveresh, këta po dalin jo vetëm me gisht në gojë, po edhe fizikisht jashtë loje...Për këtë shkak pabarazia e qytetarëve para pronës dhe pasurisë kombëtare është thelluar në përmasa të thikta, të paimagjinueshme. Shumica e biznesmenëve të fuqishëm sot nuk vjen nga ata që janë quajtur “klasë e përmbysur”, d.m.th, nga ish-pronarët, por nga ish-badigardët e politikanëve…Për këtë arsye borgjezia e re, e lindur dhe e fuqizuar në pluralizëm nuk ka dhe nuk mund të ketë interesa kombëtare, po vetëm interesa të përfitimit vetjak, të shpejtë e të siguruar nëpërmjet informalitetit dhe flirteve me ata që janë në pushtet, d.m.th, me politikën. Për këtë arsye po bëhet batërdia mbi pronat shtetërore dhe ato publike! Ja përse nëpër ish-sheshet sportive po ngrihen pallate, ish- malet po transformohen në çimento, kurse pyjet e parqet nacionale janë bërë dru për zjarr, për qereste e për qymyr, si p.sh, së fundi, edhe mrekullia shekullore e Lurës!...

Kështu pra, ai që deri dje ishte këmbëzbathur e nevojtar për bukën e gojës, sot mund të blejë skuadrën e futbollit të Bolonjës, madje të tentojë të blejë edhe Milanin e Berluskonit, natyrisht jo falë trashëgimisë së pronave, as djersës, as ndonjë shpikjeje gjeniale, po nëpërmjet “shitblerjes” së pasurisë kombëtare nëpërmjet trafiqeve të influencës; nj’ashtu si edhe ndonjë analist bën gam-gam jo nga bindja, as nga misioni, po nga përfitimi i mundshëm i ndonjë prone, trualli, a pasurie; nj’ashtu si edhe ndonjë historian apo akademik i emëruar mund të pranojë të shkruajë atë tekst historie të turpshëm e faqezi të shkollës së mesme, apo atë enciklopedi të ndyrë të tipit maqedon, natyrisht falë ca përfitimeve materiale të pamerituara…Të gjithë këta janë të të njëjtit sojesorrollop: pronarë titujsh, postesh, pronash e pasurish të pamerituara…A nuk bënë të njëjtën gjë edhe “specialistët” ushtarakë dhe diplomatikë që negociuan me palën greke për kufirin tonë detar? A nuk u shpërblyen disa syresh me poste e me grada? Shembuj të tillë gjen jo vetëm në Tiranë, po në çdo katund kur ai që deri dje nuk kishte as brekë në b…, as prona të trashëguara, as arsim dhe as kulturë të mjaftueshme, sot udhëton me benz luksoz, kurse ca e ca edhe me çarter e me jahte private, si shejkë të karfosur të Ballkanit…Ndarja pa kriter, pa ligj dhe pa asnjë të drejtë e pronës dhe e pasurisë kombëtare e ka shfytyruar e përkequr moralin dhe dinjitetin njerëzor për shkak të pabarazisë dhe të garës së pandershme për të zaptuar sa më shumë pasuri e prona nëpërmjet klientelizmit, nepotizmit apo militantizmit…Nesër do të jetë vonë!Të gjithë këta dinsëzë e kanë kuptuar se ata që nuk vjedhin dot sot kur deti i përvetësim-privatizimeve është bërë kos, nesër do të mbeten hyzmeqarë denbabden! Ku gjendet p.sh, ish-kreu i sindikatave në vitet ‘90 (as emrin nuk ia kujtoj dot!), i cili pasi shiti pronat e sindikatave iku dhe u zhduk pa nam e pa nishan?

Për të shkuar më përtej asaj që duket nëpër gazeta dhe ekrane, edhe pas diskutimeve që po bëhen këto ditë lidhur me lirinë e Fjalës, në të vërtetë fshihen interesat e ca pronarëve të mediave e të biznesit të ndërtimit kundër ca të tjerëve; janë vënë pra ca prona e ca sheshe ndërtimi kundër njëra-tjetrës. D.m.th, fjala nuk është për Fjalën, por për ca prona të dhëna, të premtuara, të pamerituara, të lakmuara, ende të pahipotekuara, apo edhe të mohuara…Andaj asesi ky debat, i shoqëruar qoftë edhe me rrahje të shëmtuar e publike të ndonjë gazetari investigativ, nuk është në interes të publikut për të mësuar të vërtetën, por të disa pronarëve që duan të ligjërojnë pronat e tyre të zhvatura nga pronat shtetërore, publike apo edhe private, nëpërmjet mekanizmave shtetërorë, pse jo edhe mediatikë...Allishverishi me pronat mban erë një orë larg; kam përshtypjen se tashmë opinioni ynë publik është pjekur aq sa të nuhasë me intuitë këtë maskarallëk të veshur e të maskuar me slogane gjasme “demokratike” nga krerët e sotëm të politikës, të cilët edhe vetë janë bërë pronarë shumë më të fuqishëm se Vërlacët apo Vrionët e dikurshëm!...
Besoj se lipset të kuptohet e të bëhet e qartë se vetëm kur në Shqipëri të mos ketë mbetur asgjë pa u privatizuar, pa u zhvatur, kur asnjë pëllëmbë tokë të mos ketë mbetur pa u marrë nga pronarët e ligjshëm e sidomos nga ata të paligjshëm, atëherë do të mbijë në këtë vend paqja sociale; kurse demokracia, bashkë me shtetin e së drejtës, do të fillojnë të funksionojnë normalisht. Është e vërtetë se hë për hë ndarja e pronës me drejtësi vërtet ka qenë mjaft e vështirë, por jo e pamundur. Në shumë vende të Lindjes ndarja e pronës ka rrjedhur si një proces ligjor, i qetë e normal. Detyra e një shteti nuk është të bëhet palë në ndarjen e pronës shtetërore, apo private, por të jetë arbitër i paanshëm dhe i drejtë, si dhe një gardian i palëkundur i pronës publike…Por tek ne kjo rrëmujë e ky lesharap ogurzi u ka leverdisur qeverive, të majta e të djathta, pa dallim, pasi cilindo model të kishin pas aplikuar ata gjatë këtyre 20 vjetëve, ndarja dhe rikthimi i pronave te pronarët e ligjshëm me siguri do të ishte pas bërë më me drejtësi dhe më me paqe sociale…Haka, si thonë tironsit, do të kishte pas shkuar normalisht te i zoti, qoftë edhe me kompensim kur e lyp interesi publik, sepse, si kam lexuar diku, në Shqipëri deri në 1945-ën pronë private ka pas qenë shumë më pak se 10% e territorit…D.m.th, nuk ka pas qenë aq e vështirë rikthimi i pronës, as mbrojtja e pronave publike, aq më tepër që dokumentet e kadastrat e kohës së Zogut nuk i dogji dhe nuk i zhduku as diktatura, edhe pse kreu një shtetëzim total…

Por tashmë është më se e qartë se vetëm në këtë mjegull e në këtë rrokopujë totale dhe gjithëpërfshirëse, pushtetarët tanë makutër mund të bëjnë kërdinë me pronat e të tjerëve dhe sidomos me pronat shtetërore e ato publike. Kjo katrahurë mbarëkombëtare fatkeqësisht tashmë nuk lyp shumë prova dhe argumente për t’u provuar e dëshmuar. Mesa duket ilaçi i vetëm deri tani ka mbetur ryshfeti, pra dhënia e një pjese të pronës një pushtetari të lartë që të mund të marrësh diçka prej pronës së trashëguar, ose…ose vetëgjyqësia… Rruga e drejtë është në mos e pamundur, tepër e vështirë!
***
Pas përballjes dhe ngatërresës tejet të vështirë për të zgjidhur për së mbari ndarjen e pronave, tani edhe ligjet, pra edhe organet e Drejtësisë bashkë me organet e kthimit të pronave e të legalizimeve janë të ndërtuara në atë mënyrë që ta bëjnë lëmshin sa më të ngatërruar, duke mbetur të prirura (në mos edhe të detyruara) të vendosin më së shumti me padrejtësi dhe hile, me manipulim e falsifikim, me anësi e partishmëri, me farefisnëri dhe trafik influence, me ryshfet dhe allishverish…; andaj sot për sot zor të dalin të fituar pronarët e ligjshëm në ndeshjen tejet të vështirë dhe konfliktuale mes shtetit dhe qytetarit, mes qytetarit dhe organeve të Drejtësisë, mes interesit vetjak dhe atij publik, mes të fortëve dhe të pambrojturve…Andaj sot nuk ka ditë e natë të mos ketë kronika të zeza me vrasje e rrahje e plagosje për shkak të pronësisë së trashëguar jo vetëm mes fqinjëve, po edhe mes prindërve dhe fëmijëve, mes vëllezërve e motrave, mes kushërinjve e krushqve…Para ca ditësh u gjend një 70-vjeçar i masakruar për shkak të “pronës”…Një vëlla vret vëllanë në mënyrë barbare po për shkak të pronës…; tani këto lajme ogurzeza janë bërë më se të zakonta…Është shumë e vështirë të gjesh sot një familje të madhe e një farefis që të ketë ruajtur të paprekur dashurinë e respektin pas rindarjes së pronës. Tashmë sherri për pronat ka kapërcyer gardhin familjar e ka hyrë edhe mes pushtetit qendror dhe atij lokal, mes Bashkive të mëdha e komunave, mes qeverisë dhe organeve, mes partive në pozitë dhe atyre në opozitë, mes organeve që japin leje ndërtimi dhe trafikantëve, madje, së fundi edhe mes shteteve, për shkak të ripërcaktimit të kufijve…

Sado absurde të duket, por si qytetar ndihem më se i qetë që nuk kam asnjë mundësi për trashëgim prone, nga asnjë krah. Ky “status” më ka përjashtuar nga mundësia për sherre të ndërsjella, për gjyqe dhe për ngatërresa të pashmangshme në fis e në shoqëri…Habitërisht pa prona sot ndjehem më i lirë, në vend që të ishte e kundërta, pasi në sistemin demokratik prona t’i shton dhe t’i siguron liritë. Sepse lufta për të përfituar atë që nuk të takon sot për sot është një betejë për jetë a vdekje, një luftë sa “e shenjtë”, aq edhe e ndyrë për arsye se, pas kësaj lufte, pas aftësisë ose paaftësisë, pas makutërisë për të rrëmbyer prona, ose do të mbetesh me gisht në gojë, ose do të gdhihesh miliarder, ose do të kesh frikë të dalësh në rrugë i pambrojtur nga rojet private…Pra, për shkak të pronës dhe pasurisë së pamerituar, nesër mund të gdhihesh i cenuar moralisht, i hasmosur, i tjetërsuar, i konfliktuar, i vetmuar, i përbuzur, pse jo edhe i rrezikuar fizikisht, derisa verdiktin përfundimtar në këtë vend, sidomos për çështjen e pronave, në vend të ligjit vazhdon ta japë vetëgjyqësia!...Por nuk duhet harruar as opinioni publik i cili, edhe kur nuk flet, edhe kur hesht, edhe kur bën sikur nuk shikon e nuk kupton, kurrë nuk të harron!....
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›