E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet ku vepron BERZH-i, ngadalësim të ekonomisë në 2009-ën



BERZH-i tha se rritja ekonomike në rajonin ku ajo vepron pritet të ngadalësohet dukshëm në vitin 2009 si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë botërore dhe e turbulencave në tregjet financiare si dhe nxiti vendet ku investon që t’i japin prioritet të lartë stabilitetit të sistemit te tyre bankar. Raporti i Tranzicionit 2008 i BERZH-it, i cili gjurmon performancën ekonomike dhe progresin e reformave në vendet ku vepron BERZH-i, parashikoi se rritja e përgjithshme ekonomike do të ulet në 6.3 për qind në vitin 2008 nga 7.5 për qind në vitin 2007 dhe do të bjerë nën 2 për qind në vitin 2009. Erik Berglof, drejtor i Zyrës Ekonomike të BERZH-it, u shpreh se mosndërprerja e rritjes ekonomike në rajon gjatë fazave të para të krizës botërore ishte një tregues për arritjet e dukshme të reformave. Por tani, rajoni, i përballur me një atmosferë ndërkombëtare shumë pak dashamirëse, me largimin e kapitalit nga tregjet në zhvillim, mungesë oreksi për rrezik si dhe me recesion në ekonomitë kryesore të OECD-së (Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik), do të provojë qëndrueshmërinë e vendeve në tranzicion. Z. Berglof shtoi se ngadalësimi i shpejtë do të zbusë kërcënimin e inflacionit, ndërsa stabiliteti i sistemit bankar do të kthehet në prioritetin kryesor për qeveritë e të gjithë rajonit. “Masat për stabilitet duhet të koordinohen me vendet e tjera – si në Evropën perëndimore, ashtu edhe në vendet e tjera në tranzicion – duke marrë parasysh pronësitë e ndërlidhura në sistemin financiar të rajonit”, - tha ai. Rritja në Shqipëri pritet të arrijë 6.1 për qind në vitin 2008 nga 6 për qind në vitin 2007. Ndërsa në vitin 2009, rritja pritet të arrijë në 4 për qind. Ivo German, Principal Economist i BERZH-it për Shqipërinë u shpreh: “Shqipëria po vazhdon të ketë një progres të mirë në disa fusha, por nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe rritjen e cilësisë së infrastrukturës për të ruajtur në të ardhmen rritjen mbresëlënëse ekonomike të viteve të fundit. Raporti i Tranzicionit thotë se ekziston një rrezik që rritja ekonomike në rajon në vitin e ardhshëm të jetë edhe më e ulët, nëse financimet e jashtme zvogëlohen papritur. “Disa vende në veçanti vazhdojnë të kenë llogari korente me deficite të mëdha të kombinuara me borxhe të larta në monedhë të huaj dhe për këtë arsye janë të prirura të vuajnë nga ulje më të forta të prodhimit të brendshëm nëse hyrjet e kapitalit zvogëlohen shpejt”. Në një kapitull të veçantë mbi ndikimin e krizës globale të kredive në rajon, raporti thotë se përkeqësimi në të gjithë mjedisin financiar mund të rezultojë tani në një kontraktim të zgjatur dhe të rëndësishme në sektorin e kredive. “Nëse ndodh kështu, pa dyshim që pasojat e mbi rritjen e përgjithshme të ekonomive ne rajonin e tranzicionit do të jenë të rënda”, - parashikon raporti. Megjithatë, raporti thekson se gjithashtu ka faktorë të ndryshëm që mund ta ndihmojnë rajonin për të parandaluar këtë skenar pesimist ose të paktën ta ndihmojnë atë që të përballojë efektet e krizës. Raporti thotë se nivelet e borxhit të qeverive të rajonit kanë rënë vazhdimisht që në vitin 2000, duke i dhënë më shumë fleksibilitet politikave qeveritare nëse do të nevojiten më shumë ndërhyrje nga qeveritë. Kushtet e biznesit në përgjithësi janë përmirësuar në vitet e fundit dhe tregjet e punës kanë qenë relativisht fleksibël, gjë që do krijonte kushtet për një rimëkëmbje të shpejtë dhe rikthimit të rritjes ekonomike. Gjithashtu, raporti vë re një progres të vazhdueshëm gjatë vitit të shkuar në reformat e tregut, veçanërisht në Evropën Juglindore, në disa vende të Komonuellthit të Shteteve të Pavarura si dhe në Mongoli.

Disa nga shtetet më pak të reformuara si Bjellorusia dhe Turkmenistani kanë ndërmarrë hapa pozitivë për hapjen e tregjeve dhe zvogëlimin e rolit të shtetit, ndërsa reformat kanë qenë veçanërisht të rëndësishme në shtetet kandidate të BE-së dhe në ato që janë kandidate të mundshme në Ballkanin Perëndimor. Në sajë të lidhjes së fortë ndërmjet reformave dhe rritjes ekonomike, këto vende luftojnë për stabilitetin në rajon për luhatje afatshkurtra dhe perspektiva afatgjata të rritjes ekonomike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›