Misioni i realizuar

Sulmuesi portugez realizoi golin e fitores për madrilenët e që lehtë mund të konsiderohet edhe vendimtar në garë për titull në La Liga pasi skuadra e tij tani ka shtatë pikë epërsi ndaj katalanëve, katër xhiro para fundit.
“Misioni i realizuar”, shkroi Ronaldo në Twitter, menjëherë pas ndeshjes. “Ishte një ndeshje e madhe. Përgëzoj të gjithë shokët e ekipit sepse ishin në formë dhe e merituan këtë sukses. Jemi shumë të kënaqur që fituam në Camp Nou dhe që thyem rekordin e golave të shënuar në një sezon”, deklaroi ai për mediet spanjolle.
“Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Bayernit”, shtoi Ronaldo, autor i 42 golave në këtë sezon në La Liga. Pikërisht në lidhje me ndeshjen e kthimit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, portugezi theksoi: “Bayern Munich është një skuadër e madhe, por luajmë në fushën tonë dhe shpresojmë në një rezultat të mirë. Shpresojmë të arrijmë finalen”.