E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mubarak: Duan të më vrasin

Ish presidenti i sëmurë i Egjiptit Hosni Mubarak, që po vuan dënimin me burg të përjetshëm në një burg Kairo, tha se autoritetet "duan ta vrasin" në burg, ka përcjellë për AFP-në deklaratën e tij avokati Farid al-Deeb.

"Ata duan të më vrasin. Më ruaj mua, zoti Farid, ma gjej një zgjidhje," ka cituar Mubarakun, avokati i tij Farid al-Deeb.

Më herët u raportua se gjendja shëndetësore e Mubarakut është përkeqësuar shumë. 84-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm në 2 qershor për rolin e luajtur në vrasjen e 860 protestuesve gjatë muajit të trazirave që sollën fundin e regjimit të tij 32-vjeçar në shkurt 2011, vuan nga probleme të frymëmarrjes dhe presionit të gjakut.

Megjithatë, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme përcaktoi se ai nuk është në koma.

Familjarët e Mubarak kanë bërë thirrje të vazhdueshme përballë kësaj situate që të rikthehet në një spital ushtarak, ku ka marrë një trajtim më të specializuar përpara se të dërgohej në një burg të sigurisë së lartë.

Sipas burimeve të pakonfirmuara, Mubarak është duke vuajtur edhe nga disa probleme psikologjike.

Zyrtarë të burgut të Torës, duke folur me kushtin e anonimitetit, thanë se Mubarak është duke luftuar për jetën e tij, ndërsa në dy raste i ka pushuar zemra dhe është rikthyer në jetë falë goditjeve elektrike.

Megjithatë, ata nuk konfirmuan nëse 84-vjeçari kishte pësuar apo jo një infarkt.

Më parë, agjencia "Reuters" konfirmoi se Mubarak i ishte dhënë frymëmarrje artificiale pesë herë brenda një dite të vetme, gjatë javës së shkuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›