Momenti i Zonjave

Michelle Obama ka tre minuta kohë. Tre minuta, për të ngritur në këmbë 8 mijë njerëz, gjatë një tubimi zgjedhor në një sallë të basketbollit. Ajo flet për shkolla më të mira për fëmijët, për sigurimin shëndetësor për të gjithë. “Të duam”, klith dikush nga publiku. Në fund, njerëzit ngritën në këmbë dhe duartrokasin. Më pas, ajo në skenë fton presidentin e SHBA-së.
Zonja e Parë e SHBA-së tani synon të jetë e pranishëm në çdo tubim zgjedhor. Në veçanti atëherë, kur prania e saj është e rëndësishme. Në të vërtetë, prania e saj është gjithmonë e rëndësishme. Që moti Michelle Obama konsiderohet si e pashmangshme në përpjekjet e Obamës për t’u rizgjedhur president.
“Sa herë që ajo është e pranishme, kjo na ndihmon. Dëshirojmë që ajo të jetë e pranishme sa më shpesh”, kishte deklaruar para ca kohësh strategu kryesor i Obamës, David Axelrod.
Vetë Barack Obama thotë: “E urrej kur duhet të flas pas saj. Ajo është e jashtëzakonshme dhe duket bukur”. Në anën tjetër, të gjithë në Shtëpinë e Bardhë e kanë të qartë: Michelle adhurohet nga populli, më shumë se bashkëshorti i saj. Sipas një ankete të bërë nga CNN, 65 për qind të amerikanëve kanë një mendim pozitiv për Zonjën e Parë, ndërsa vetëm 56 për qind për presidentin. Michelle është shembull dhe ikonë dhe strategët e dinë se një femër e tillë mund të jetë një dhuratë e jashtëzakonshme gjatë fushatës zgjedhore.
Fat për taborin e Obamës: edhe konkurrenti nuk është aq i adhuruar. Vetëm 48 për qind e amerikanëve kanë një mendim pozitiv për rivalin e tij, Mitt Romney. Megjithatë, Romney arriti të ngushtojë epërsinë gjatë javëve të kaluara, falë mbështetjes që gëzon në mesin e femrave. Dhe Romney me gjasë e di se kujt duhet t’i falënderohet për këtë: bashkëshortes së tij, Ann.
Lufta e ashpër mes kandidatëve republikanë për president kishte frikësuar shumë femra. Dhe ky ishte momenti kur Ann vendosi të ndërhyjë. “Kam këtu një mashkull, i cili mund të kryej punët”, thotë ajo duke ju referuar bashkëshortit të saj. Përderisa Romney shpesh gjatë paraqitjeve të tij duket shumë i ftohtë, Ann i jep ngrohtësi fushatës së tij dhe konsiderohet si stabilizuese e Mittit.
Michelle Obama dhe Ann Romney-befas bashkëshortet po luajnë një rol vendimtar në fushatë. Porosia e tyre: bashkëshorti im, president, njeri si ti dhe unë.
Kush do t’ia arrijë në fund të ofrojë një pamje më pozitive të bashkëshortit? “Njerëzit gjithmonë dëshirojnë të dinë anën personale të një presidenti, dëshirojnë të vendosin një lidhje”, thotë Anita McBride, ish-shefe e shtabit të ish-Zonjës së parë, Laura Bush.
Është kjo një luftë mes dy karaktereve të ndryshme. Në njerën anë femra e fuqishme, Michelle, në anën tjetër amvisja Ann.
Familja Obama ka dy vajza, ndërsa familja Romney pesë djem dhe 18 nipa dhe mbesa. Ann Romney po tenton të mbledh pikë si nënë.
Në internet, ajo shkruan për jetën e saj, për luftën kundër kancerit të gjirit, të cilën e fitoi. Lufta për shëndetin e saj e ka bërë më njerëzore, e ka bërë një njeri, i cili kupton problemet e të tjerëve, thotë Ann.
“Ajo nuk ka punuar asnjë ditë në jetën e saj”, ka thënë lobistja e afërt me demokratët, Hillary Rosen. Ann Romney u përgjigj:”Vendosa të qëndroj në shtëpi dhe të rrisë pesë djem. Me besoni, ishte kjo një punë mjaft e vështirë”.
Dhe kjo përgjigje u mirëprit. “Ann Romney nuk kërkon falje për rolin e saj dhe nuk kërkon justifikime. Ajo e ndien vetën si amvise dhe nënë. Përfundimisht një epërsi e saj”, thotë McBride.
Por a ka ajo vërtetë ndjenja për problemet e njerëzve? Para pak kohësh, Romneyt i “rrëshqiti gjuha”, pasi deklaroi se bashkëshortja e tij ka disa vetura të shtrenjta dhe luksoze të parkuara para derës. Kjo deklaratë nuk u mirëprit.
Megjithatë, edhe Michelle Obama ka mangësitë e veta. Pas zgjedhjes së Barack Obamës për president, ajo pat deklaruar se “për herë të parë në jetën e saj është krenuar me SHBA-në”.
Por McBride thotë se Michelle po e luan mjaft mirë rolin e saj, se ka dëshmuar se është partnere e mirë e presidentit.
“Se në çfarë drite e shohin njerëzit presidentin e tyre, kjo ndërlidhet ngushtë me paraqitjet e Zonjës së Parë”, thotë historiania Catherine Allgor.
Michelle Obama dhe Ann Romney duket se e kanë kuptuar këtë.