E Diel, 1 Nëntor 2026

Muça: Kontributi, “çelsi” i kontratave

13/04/2005  Tani kur duhen edhe 10 javë nga mbyllja e sezonit 2004-2005, disa nga drejtuesit e lartë bardheblu kanë hapur diskutimet, në lidhje me kontratat e ardhshme të lojtarëve të Tiranës. Një ndër ta është edhe sekretari i përgjithshëm i klubit Tirana, Shkëlqim Muça. Të gjithë janë të një mendimi. Nuk përjashtojnë idenë për largime të mundshme në fund të këtij sezoni, pikërisht pas 30 majit, kur dhe skadojnë kontratat aktuale. Sipas tyre, në nënshkrimin e kontratave do të ketë një peshë kryesore, kontributi që këta lojtarë kanë dhënë për skuadrën në këtë sezon. Gjithsesi, një gjë e tillë duket si një presion ndaj futbollistëve që të japin maksimumin në këto javë të mbetura, të cilat e shikojnë Tiranën, të impenjuar në dy kampe, Kampionat dhe Kupë. “Tirana është pretendentja kryesore për titullin kampion të Shqipërisë, por për ta siguruar këtë titull do të duhet akoma dhe shumë punë - është shprehur Muça. – Ndërkohë, që nuk kemi ndërmend të nënvlerësojmë as Kupën e Shqipërisë, pasi shpresojmë në një mbyllje ideale të sezonit”. Më pas shefi i klubit kryeqytetas ka folur edhe për kontratat. “Të gjitha kontratat skadojnë më 30 maj dhe asnjë nuk e ka vendin të sigurt - tha Muça. – Para nënshkrimit të kontratës me secilin futbollist, më parë do të shikojmë kontributin e tij për skuadrën, në këtë sezon. Firma do të vijë më pas”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›