E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në qoftë se e abortoj fëmijën, nuk do të dëshiroja të jetoja”

13/04/2005  Vdes në muajin e tretë të shtatzënisë, vajza 22-vjeçare

DURRËS - Dëshira për të lindur fëmijë ka qenë fatale për jetën

e një 22-vjeçareje, nga qyteti i Durrësit, e cila ishte e gatshme për t’u sakrifikuar në rast të një abordi. Megjithë dëshirën e saj dhe këshillat e herëpashershme të mjekëve nuk kanë mundur të bindin Kozeta Kuqin, vajzën durrsake, të heqë dorë nga këmbëngulja e saj për të lindur fëmijë. Ndërsa vajza e re me karakterë të fortë ka mundur të bindë burrin se shtatzënia do të përballohej prej saj dhe se ata do të kishin fëmijën e tyre, në muajin e tretë të saj, nuk ka mundur ta përballojë atë. Problemet shëndetësore që ajo kishte shfaqur që në moshë të vogël dhe që i vuajti edhe në shtatë muaj martesë, me një djalë po nga qyteti i Durrësit, i kanë shkaktuar vdekjen. Mjekët e spitalit e kanë pasur të pamundur të shpëtojnë vajzën, pasi ajo ka këmbëngulur të mbajë me çdo kusht fëmijën.

Shtatzëna

Kozeta Kuqi, banore e lagjes nr.18, të qytetit të Durrësit, është paraqitur në urgjencën e maternitetit në ora 03.15 të datës 11

prill me hemorragji si pasojë e shtatzënisë. Ndërhyrja ka qenë e mënjëhershme nga mjeku i shërbimit Arben Haxhihyseni. Duke e vlerësuar si rast problematik, 20 mjekë janë mbledhur rreth orës 07.00 të mëngjesit dhe i kanë kërkuar pacientës të pranojë ndërprerjen e shtatzënisë. Ata i kanë bërë të qartë se për shkak të problemeve kardiake, ajo nuk do të mund të përballonte shtazëninë. Kuqi ishte në muajin e tretë të barrës dhe kërkesën e ngutshme për ta operuar mjekët ia kanë bërë të qartë edhe prindërve të vajzës, Avniut e Elit, si dhe bashkëshortit të saj, Artanit. Por ka qenë Kozeta Kuqi, ajo që ka detyruar mjekët të tërhiqen nga vendimi i tyre. Sipas të afërmve të vajzës, Kuqi u ka bërë të ditur mjekëve, në prani të prindërve, se ajo do të pranonte çdo sakrificë për të pasur fëmijën, por ka

kundërshtuar prerë ndërprerjen e shtatzënisë.

Madje, 22-vjeçarja mësohet të ketë thënë në momentet e fundit të jetës se nuk do të dëshironte të jetonte nëse do të abortonte, duke refuzuar deri në fund heqjen e bebes.

Mjekët

Mjekët e Durrësit e kanë pasur të pamundur të kthejnë në jetë durrsaken 22–vjeçare Kozeta Kuqi. Ndonëse për ta shpëtuar atë nga vdekja janë afruar shumë mjekë kardiologë, kirurgë, reanimatorë dhe gjinekolog, Kuqi ka ndërruar jetë 12 orë pasi asaj i është afruar ndihma e kualifikuar.

Nëndrejtori i spitalit të Durrësit, Gazmir Demiri, ka pohuar se shkak i vdekjes së saj ka qenë hemorragjia, ndërkohë që ka bërë të ditur se Kozeta Kuqi ka pranuar shtatzëninë, edhe pse mjekët ia kishin mohuar në mënyrë të prerë dhe të përsëritur.

Madje, Demiri ka theksuar se 22-vjeçarja ka qenë nën vëzhgimin e një mjeke kardiologe, pasi ajo kishte bërë shumë vite më parë ndërhyrje kirurgjikale në zemër për të zgjeruar valvulën e zemrës.

Shtazënia e pamundur

Sëmundja e zemrës, që i mori jetën 22-vjeçares

Në moshën 11-vjeçare, Kuqi mësohet të ketë realizuar në Greqi një ndërhyrje kirurgjikale në zemër dhe mjekët grekë kishin paralajmëruar prindërit që vajza, në rast martese nuk duhej të provokonte shtatzëni, pasi nuk do të përballonte barrën. Një këshillë të tillë, madje deri në këmbëngulje ia kishte bërë edhe kardiologia Klodiana Belegu, e cila ndiqte ecurinë e shëndetit të

saj. Pas shtrimit të detyruar në spital, 22-vjeçarja është përmirësuar për disa orë, ndërkohë që analizat që ajo ka bërë kanë dhënë tregues kërcënues për jetën. Pas vdekjes së saj, mjekët kanë kërkuar që Kuqit t’i bëhet autopsi, por kanë qenë këtë herë prindërit dhe bashkëshorti i saj që kanë refuzuar, duke thënë se të gjithë e prisnin fatin e hidhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›