E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça: “Për Kupë e kemi harruar fitoren 5-0 me Teutën”

Albania-sport- E mërkura është një sfidë shumë intriguese për Tiranën dhe Teutën, dy ekipet finaliste të sezonit 2005, madje kur kujton se Teuta fitoi Kupën e Shqipërisë ndaj Tiranës së drejtuar asokohe nga Sulejman Starova (sot trajneri i Teutës) dueli midis dy ekipeve merr ngjyra më të ndezura.
Tirana pas fitores me Teutën në shtëpi (5-0) dhe Luftëtarin në transfertë (0-2), më 43 pikët e grumbulluara dhe diferencën e qartë prej +10 pikësh nga vendi i dytë (Partizani), do të përbllet të mërkurën në Kupën e Shqipërisë me Teutën në Durrës. Tirana i ka bërë të qarta synimet se dëshiron të fitojë të dyja trofetë e këtij sezoni, dhe për këtë objektiv është shprehur për Albania-sport.com edhe trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muca, pesë herë kampion si futbollist me kryeqytetasit. "Edhe pse kemi krijuar një diferencë të konsiderueshme me ekipet rivale për titull, nuk mund të them kurrsesi se kampionati ka përfunduar. Në fakt ky është një opinion i medias dhe gazetarëve. Unë si trajner dua të theksoj faktin se cdo ndeshje duhet fituar, pasi ka dhe 14 ndeshje deri në përfundim të sezonit, dhe nuk mund t'ia lejoj vetes që të them se kampionati përfundoi", thotë Muca, që së pari nuk dëshiron të demotivojë lojtarët e tij, edhe pse në deklarimin e tij, ka ngjyra të ngrohta, për të qenë për herë të tretë kampion si trajner i Tiranës, kur ka fituar më parë titujt në sezonet 1994-1995 dhe 1999-2000.
E mërkura do të vendosë sërish Tiranën me Teutën, ose më saktë dy ekipet që një javë më parë renditeshin në vendin e parë dhe të dytë. Humbja dërmuese e Teutës së ish-trajnerit të Tiranës, Sulejman Starova me rezultatin e thellë duket se do të ndikojë psikologjikisht te durrsakët. "Ndeshjen e kampionatit të fituar nga Tirana (5-0) e konsideroj si një histori të mbyllur. Ndeshjet nga ndeshjet ndryshojnë shumë, për më tepër që dy ndeshjet direkt në Kupën e Shqipërisë kanë tjetër specifikë. "Për Kupë Teuta na ka hapur gjithmonë probleme, ne jemi përballur shumë herë me ta në Kupën e Shqipërisë, thekson Muca, duke shtuar se me Teutën madje kanë humbur dhe finalen e Kupës së Shqipërisë, në sezonin 2004-2005, ku Tirana humbi nga gjuajtjet e penalltive (koha e rregullt, plus shtesat 0-0, penalltitë 4-5). Në bankinën e Tiranës në finalen e Kupës ishte pikërisht Sulejman Starova, që drejton sot Teutën. Për "balancim të trofeve", Tirana kampione fitoi Superkupën e Shqipërisë (2005) kundër Teutës, me të njëjtin skemë: 0-0 në 120 minuta, por më pas bardheblutë triumfuan në gjuajtjet e penalltive (5-4). Madje ka qenë Shkëlqim Muca edhe atëherë në drejtimin e Tiranës. "Ne synojmë rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë, pasi në objektivat tona Kupa e Shqipërisë ka vendin e vet", përfundoi Muca, që saktëson se për ekipin e tij, nuk ka shumë rëndësi se cili ekip do të kualifikohet nga cifti Partizani-Vllaznia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›