E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça: Rëndësi ka vetëm të kalojmë në gjysmëfinale

Nga ELTON NIKA

Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, kërkon të heqë vëmendjen nga humbja ndaj Tiranës, për tu përqendruar totalisht sot në Shkodër

Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, kërkon vetëm përqendrim te ndeshja e sotme, duke plotësisht jashtë vëmendjes zërat e ditëve të fundit, por nuk kërkon as të flasë për objektivat. Për trajnerin e ekipit vlonjat, rëndësi kanë vetëm këto 90 minuta në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës.

Përpara stërvitjes së fundit, përpara nisjes drejt qytetit verior, Muça ka bërë me dije se Flamurtari ka vetëm një qëllim në këtë 90-minutësh, të kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. I jap shumë rëndësi këtij takimi, është një ndeshje që luhet mes dy ekipeve që për 90 minuta kanë të njëjtin qëllim, kalimin në gjysmëfinale të këtij kompeticioni, ndoshta edhe për vetë faktin se objektivat tona janë kryqëzuar pikërisht në këtë moment.

E respektojmë plotësisht Vllazninë, një ekip që ka ditur dhe vijon të mbetet një nga skuadrat më të mira të futbollit shqiptar. Është shumë e rëndësishme të jemi plotësisht të angazhuar, të jemi të vetëdijshëm se për çfarë luajmë në këto 90 minuta në fushën e lojës dhe të dimë ta mbyllim me sukses. Flamurtari do të kërkojë të bëjë lojën e vet, pa e pasur mendjen në takimet e tjera. Kemi ardhur deri këtu pa ndihmën e askujt dhe kështu duhet të vijojmë. Për ne, për qëllimet tona, kupa në këtë moment merr një rëndësi shumë të veçantë, thekson Muça.

Humbja me Tiranën Nuk mendoj se humbja ndaj Tiranës do të ndikojë tek ekipi. Ashtu si nuk besoj se zërat e ditëve të fundit do të sjellin pasoja. Sportdashësit kërkojnë, ashtu si ekipi, këtë gjysmëfinale, ne kemi për detyrë ta arrijmë në fushën e lojës. Kur humbet një ndeshje, të gjithë janë të pakënaqur, por të harrojmë ndeshjen e ditës së diel.

Ne nuk jemi pjesë e asnjë aleance, luftojmë për veten tonë dhe këtë e kemi treguar gjithmonë. Përballë Vllaznisë kam kërkuar në fushë jo vetëm 11 futbollistë, por 11 djem që do të dinë të japin gjithçka,11 djem me zemër, për të arritur kualifikimin, – mbyll deklaratën e tij trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça.

Flamurtari, shansi i fundit për të shpëtuar sezonin

Favoritë janë vlonjatët, por duke parë ndeshjen e fundit dhe duke parë Vllazninë që nuk ka çhumbet, nuk është aq e lehtë

Për Flamurtarin, ndeshja përballë Vllaznisë do të thotë jo vetëm kualifikim në gjysmëfinale të kupës, por mbi të gjitha për të harruar të gjitha zhgënjimet e këtij sezoni. Me 12 pikë larg vendit të parë, shanset matematikore të Flamurtarit për të shkuar në Europë përmes kampionatit mund të jenë vetëm me vendin e tretë. Ndërsa në kupë, në rast të kalimit në gjysmëfinale shtohen mjaft shanset.

Në këtë mënyrë, nëse vlonjatet kalojnë në gjysmëfinale të kupës, mund të ndihen plotësisht të qetë, duke pasur në konsideratë faktin se Skënderbeu dhe Tirana mund ta zhvendosin vëmendjen e tyre kryesore te kampionati dhe duke lënë ndoshta disi mënjanë kupën. E kundërta me vlonjatët, të cilët në rast të një rezultati pozitiv dhe sigurimit të kualifikimit do të kenë vëmendjen e tyre plotësisht te kupa dhe në këtë rast jo vetëm për të pretenduar Europën, por edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Një trofe që është kërkuar dhe vijohet të mbetet qëllimi kryesor në vitin e 100 Vjetorit të Pavarësisë. Por të gjitha hipotezat do të lihen pas ndeshjes me Vllazninë, ndërsa fatet e sezonit futbollistik, për Flamurtarin, mund të thuhet plotësisht se kalojnë sot nga Shkodra. Ndoshta pengesa e fundit për të pretenduar trofe, i cili me thënë të drejtën është premtuar edhe nga drejtuesit, stafi teknik dhe vetë futbollistët në këtë vit të veçantë për qytetin e Vlorës.

Flamurtari-Vllaznia është kështu më shumë se një ndeshje, pasi në 90 minuta varen plotësisht fatet e të dyja skuadrave. Njëra për të vijuar dhe pretenduar dhe natyrisht tjetra për të konfirmuar dështimin në këtë sezon.

Pezo, mungesa e vetme për Flamurtarin

Mesfushori kroat Toni Pezo ka plotësuar numrin e tre kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Muça për këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Pritet që në vend të Pezos të aktivizohet nga minuta e parë mesfushori shkodran Shtubina, duke zhvendosur në rolin e kroatit mesfushorin vlonjat Taulant Kuqi.

Gjithsesi, ende nuk është përcaktuar gjithçka për formacionin, ndërkohë që duket se veç Pezos së pezulluar, trajneri do të ketë shumë pak ndryshime në formacion nga dy ndeshjet e fundit. Kështu, në portë do të aktivizohet Koliqi, duke vijuar në mbrojtje me Abraham, Sakaj, Veliu dhe Brahja. Në mesfushë sërish me pesë lojtarë, duke nisur nga Arbri, Kuqi, Lena, Shtubina dhe Progni. Si zakonisht, në vijën e parë të sulmit kroati Pero Pejiç.

Pejiç, ai që ndëshkoi Vllazninë në Vlorë

Loja e Flamurtarit do të bazohet te Pejiç, aktualisht lojtari më i mirë dhe golashënuesi i Flamurtarit në Kupën e Shqipërisë. Kroati ka realizuar dy gola ndaj Vllaznisë, një gol me Lacin dhe një gol me Skënderbeun, duke regjistruar katër gola në këtë kompeticion. Natyrisht, Pejiç kërkon një tjetër gol me Flamurtarin, sërish ndaj Vllaznisë. Nga ana tjetër, golashënuesi i dytë më i mirë për Flamurtarin në Kupën e Shqipërisë është mbrojtësi Franc Veliu, autor i dy golave të shënuar ndaj të njëjtit kundërshtar, Skënderbeut.

Tifozët vlonjatë, sot në Loro Boriçi

Do të ketë sportdashës vlonjatë sot të pranishëm në Loro Boriçi. Pavarësisht hidhërimit  për humbjen me Tiranën dhe zërave për lënie të takimit, duket se një pjesë e tifozërisë kërkon të jetë në përkrahje të ekipit në ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni.

Edhe pse nuk ka një konfirmim për udhëtim të tyre mes organizimit të klubit (gjë e cila nuk është realizuar), sportdashësit vlonjatë kanë deklaruar praninë e tyre në stadiumin Loro Boriçi. Tifozët vlonjatë pritet të udhëtojnë me mjetet e tyre private drejt Shkodrës, ku duket se ka pasur organizime nga vetë grupimet e tifozërisë.

Vetëm një stërvitje dhe nata në Shkodër

Vetëm një stërvitje gjatë paradites së djeshme për Flamurtarin. Stërvitje e cila ka startuar rreth orës 11:00, për të vijuar gati një orë e gjysmë në ambientet e stadiumit Flamurtari. Ndërkohë, nisja e ekipit vlonjat është kryer rreth orës 15:00 pranë stadiumi. Nuk kanë munguar edhe sportdashës, të cilët i kanë kërkuar ekipit kalimin në gjysmëfinale. Ndërkohë, nata është kaluar në qytetin e Shkodrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›