Rama: Gati për debat me Berishën
Aristir Lumezi
Kreu socialist Edi Rama u shpreh dje i gatshëm të marrë pjesë në një debat televiziv me Kryeministrin Berisha. “Kjo nuk ka përbërë dhe nuk përbën asnjë problem për mua”, ishte përgjigjja e Ramës ndaj interesimit të gazetarëve. Një ditë pas mitingut të protestës në Sheshin “Skënderbej”, kryetari socialist Edi Rama duke shfrytëzuar një bashkëbisedim me gazetarët, falënderoi të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në përkujtim të viktimave të Gërdecit. “Ishte një manifestim qytetar. Ishte shprehje e vetëdijes se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh, i cili pa asnjë dyshim fillon brenda nesh, fillon mes nesh. Fillon nga përkrahja e njëri-tjetrit në një vend, të cilit Zoti i ka falur gjithçka popullit shqiptar, për të jetuar në paqe e mirëqenie, në një vend ku pasuritë dhe potencialet nuk mungojnë për të bërë të mundur që të rejat dhe të rinjtë të mos jenë rrugëve të papunësisë apo rrugëve të arratisë, për të gjetur një punë matanë kufijve për të mbajtur familjet e tyre”, tha Rama. Duke folur për koalicionin me të cilin PS u përfaqësua në mitingun e protestës, Rama tha se qëllimi i socialistëve është koalicioni me qytetarët përtej partive politike. “Manifestimi i djeshëm ishte me një koalicion të gjerë qytetar, një koalicion të gjerë njerëzish, që duan ndryshimin dhe që nuk mund dhe nuk duhet të jenë të përjashtuar nga përpjekja për ndryshim, për faktin se nuk janë të përfshirë dhe të rreshtuar në një parti apo në një parti tjetër. Unë besoj se ky bashkim i ri që po rritet dita-ditës, do të mishërojë në fushën e betejës zgjedhore një koalicion shumë të madh përtej partive”, tha Rama. Kreu socialist pa dhënë detaje mbi programin qeverisës të PS-së, u shpreh dje se për herë të parë një program politik është shkruar mbi bazën e shqetësimeve dhe sugjerimeve të njerëzve. “Për herë të parë në historinë e lirisë dhe të këtij tranzicioni, një forcë politike e shkruan programin e saj, duke u nisur nga shqetësimet dhe sugjerimet e njerëzve dhe harton një program, jo për të marrë votat, por për të qeverisur me votat e marra. Programi ynë i ri qeverisës është një instrument që do të na japë mundësinë të bëjmë gjithçka që do të premtojmë dhe të mos premtojmë atë që nuk bëjmë dot”, tha Rama. I pyetur nëse ai do të jetë në listat e kandidatëve për deputetë, Rama e konsideroi një temë të tillë telenovelë. “Tanimë duhet ta keni mësuar që jam në vazhdimësi i vendosur që të mos kontribuoj për telenovelat. Mjaftojnë telenovelat që televizionet e ndryshme shfaqin në orët e telenovelave, ndërkohë që politika duhet të jetë diçka tjetër dhe ata që merren me politikë duhet të ofrojnë diçka krejt tjetër, në mënyrë që në atë hapësirë që i kushtohet politikës, njerëzit të mund të dëgjojnë, se çfarë ka politika për të thënë për jetën e qytetarëve. Kjo është për mua politika dhe për këtë arsye unë merrem me politikë”, tha Rama.
Kreu socialist i është përgjigjur dhe akuzave që selia blu i ka bërë atij në lidhje me familjen e tij. Akuzat e kundërshtarëve tanë, kundër meje dhe familjarëve të mi sikundër ju e përcaktuat, por edhe më gjerë se kaq janë shprehja më kuptimplotë e krizës së tyre të ideve, e krizës së argumenteve të tyre, e mungesës së tyre të vizionit dhe të asaj që ata përfaqësojnë; politikën e vjetër të së shkuarës”, tha Rama. Dy ditë më parë, Partia Socialiste, në bashkëpunim me shoqata të ndryshme dhe grupe interesi, zhvilluan një miting proteste në përkujtim të tragjedisë së Gërdecit, me sloganin “Mos harro” dhe me simbol një flamur kombëtar gjigant ku shkruhej “Ndryshim”.