E Diel, 1 Nëntor 2026

Muho: Do ta vijoj detyrën, nuk më intereson se çfarë bën Parlamenti

TIRANE-Anëtari i KQZ-së, Ilirian Muho deklaroi dje se do të vazhdojë të qendrojë në detyrë pavarësisht kërkesës së Partisë Demokratike për ta shkarkuar si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

"Nuk më intereson se çfarë do të bëjë Kuvendi, ajo që më intereson është zbatimi i ligjit, zbatimi i Kodit Zgjedhor. Unë jam në detyrë, vazhdoj të kryej detyrën, jam nën betim", - deklaroi Muho në një prononcim për "AS". Ai ka kujtuar votën pro heqjes së një mandati në Berat, në kohën kur shpërndarja e deputetëve nëpër qarqe ishte një çështje e nxehtë në KQZ dhe kundërshtohej nga LSI, kur thotë se në ushtrimin e detyrës së tij i ka qendruar larg ngjyrave të partisë që e propozoi.

"Nuk jam përfaqësues i LSI-së në KQZ, jam përfaqësues i grupimeve të partive të opozitës dhe ajo që unë udhëhiqem në punën timë është ligji dhe vetëm ligji", - u shpreh Moho. I pyetur mandej lidhur me kërkesën e maxhorancës për ta shkarkuar dhe zëvendësuar, ai deklaroi se "në dijeninë timë KQZ nuk i ka dërguar ndonjë kërkesë për shkarkimin tim. KQZ nuk është mbledhur për të konstatuar ndonjë shkelje nga unë në veprimtarinë timë dhe për sa kohë që nuk ka një kërkesë të tillë mbetem absolutisht i befasuar sepse procedura e shkarkimit të anëtarit të KQZ është një procedurë e përcaktuar në mënyrë rigoroze në Kodin Zgjedhor", - u shpreh Muho.

Votimi për ndryshimet në KQZ, pritet të jetë kryefjala e seancës plenare të së hënës, pas dështimit të mbylljes së kësaj procedure të enjten dhe deklaratave të forta ndërkombëtare.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›