Mujota: FSK sukses për Kosovën

Qeveria e Kosovës vazhdon ta cilësojë si të suksesshëm procesin e transformimit të TMK-së dhe rekrutimit të pjesëtarëve të saj në Forcën e Sigurisë së Kosovës.Ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota është shprehur se përveç disa çështjeve teknike, procesi ka rrjedhur suksesshëm, duke sqaruar se gjatë gjithë kohës, përzgjedhja është bërë në prani të NATO-s dhe faktorit ndërkombëtar. Javën e kaluar, institucionet premtuan se do të bëjnë një rishikim total të testeve për pranimin e pjesëtarëve në FSK, por Mujota në një konferencë për shtyp tha se do të shikohen mundësitë që në bashkëpunim me NATO-n të evitohen disa lëshime teknike. Ai gjithashtu i siguroi të gjithë pjesëtarët e TMK-së që nuk kanë arritur të bëhen pjesë e FSK-së, se do të ketë një përkujdesje institucionale për ta. "Ka qenë e ditur se në FSK nuk mund të përfshihen të gjithë konkurruesit, prandaj është aprovuar ligji për pensionin e parakohshëm për pjesëtarët e TMK-së. Të gjithë pjesëtarët e përfshirë do të marrin pagë për shërbim deri më 14 qershor të vitit 2010-të. Ndërsa gjatë kësaj kohe, institucionet e Kosovës do të kujdesen për trajtim të vazhdueshëm. NATO ka ngritur dhe një program të veçantë për risistemimin e pjesëtarëve që nuk kalojnë në FSK", tha Mujota. Sidoqoftë, opozita kosovare konsideron se procesi është politizuar dhe se qeveria ka përzgjedhur politikisht pjesëtarët e TMK-së për t'i rekrutuar në FSK, duke mos i respektuar kriteret profesionale që ishin përcaktuar me konkurs. Ndërkaq, ditë më parë tre eprorë të lartë të FSK-së kishin dhënë dorëheqje.