E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mullen kërkon zbatimin e planit të ri për Afganistanin

Ndërkohë që qeveria dhe ushtria amerikane po përballen me kritika për mos arritjen e rezultateve në tetë muaj, që nga kumtimi i strategjisë së re për Afganistanin të presidentit amerikan, Barack Obama, shefi i shtatmadhorisë së forcave të SHBA-së, admirali Mike Mullen, bëri thirrje për durim, të paktën deri nga fundi i këtij viti.

Ai u tha diplomatëve në ambasadën amerikane në Kabul se ai dhe komandanti i ri amerikan dhe i NATO-s në Afganistan, gjenerali David Petraeus, kishin rënë dakord se është koha për të filluar zbatimin e planit.

“Ne besojmë se është koha për vënien në jetë të planit dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe si ta bëjmë. Tani kemi forcën njerëzore dhe burimet e duhura. Tani jemi në pikën e zbatimit. Periudha gjatë 12 muajve të ardhshëm do të jetë kritike për kthimin e këtij vendi në rrugë të duhur”, tha Mullen.

Një rishikim në muajin dhjetor do të përcaktojë nëse strategjia e dërgimit të trupave shtesë dhe marrja nën kontroll e zonave civile të kontrolluara më parë nga talbanët, ka filluar të nxjerrë rezultate.

Nga korriku i vitit të ardhshëm, sipas presidentit Obama, ai do të fillojë atë që pritet të jetë një tërheqje graduale e trupave amerikane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›